E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: LDK-ja ka vizion

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të shtunën ka vazhduar debatin brenda partiak për ndryshimin e statutit të kësaj partie. Debatet e tilla u cilësuan si të nevojshme në mënyrë që të kjo parti të jetë unike, bindëse dhe profesionale.

Kështu u shpreh kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në fjalimin e tij të mbajtur me degën e kësaj partie në Prishtinë, me ç’ rast tha se angazhimet e LDK-së për ndryshimin e statutit të saj, po bëhen që ajo të jetë më e fortë, me njerëz të aftë dhe me një anëtarësi besnike.

“Ne kemi përcaktuar vizionin e Lidhjes Demokratike dhe ajo çfarë ne dëshirojmë ta arrijmë në të ardhmen është që Lidhja Demokratike të jetë një parti e profilizuar, me funksionalitet të lartë, me lidership të fortë, me komunikim profesional, të jetë një parti e qartë, bindëse dhe unike në mesazhe, me njerëz të aftë dhe të shkathtë, të zgjedhur në pushtetit qendror dhe në pushtetin lokal, me anëtarësi besnike dhe të përkushtuar dhe me platformë politike, e cila ofron qasje dinamike dhe pozitive për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka thënë ai.

Po ashtu, Mustafa ka përmendur edhe elementet e tjera që i parasheh programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e që është zhvillimi ekonomik i vendit, sundimi i ligjit, tregtia e lirë dhe lëvizja e lirë e qytetarëve.

“Kemi përcaktuar po ashtu edhe misionin dhe objektivat e LDK-së dhe ndër objektivat themelore të cilat ne synojmë t’i arrijmë është ndërtimi i një Kosove evropiane, në të cilën do të forcohet demokracia qytetare, në të cilin do të sundojë ligji dhe do të respektohen të drejtat e njeriut, do të promovohet mirëqenia e qytetarit dhe zhvillimi ekonomik, do të stimulohet tregu i hapur dhe lëvizja e lirë e qytetarëve, dhe ideve e mbështetur në arsim modern dhe shoqëri të dijes, në të cilën respektohen vlerat dhe tradita e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë së për t’i arritur misionin, vizionit dhe objektivat e LDK-së, ata mendojnë se duhet ta bëjnë një riorganizim dhe një ristrukturim të Lidhjes Demokratike dhe me këtë të bëhet edhe profilizimi i saj.

Sipas tij, realizimi i misionit, vizionit dhe objektivave të LDK-së, LDK-ja do ta ruajë fondamentin Rugovian të saj dhe vlerat bazike dhe krahas kësaj, në programin dhe organizimin e anëtarësisë së saj do të profilizohet qartë në një konkurrencë shumë-partiake në Kosovë, në frymën e kërkesave të reja për ndërtimin e Kosovës dhe për përqafimin e vlerave evropiane.

Mustafa duke folur për riorganizimin e LDK-së, ka thënë se këtë do ta bëjnë në dy nivele, në degët dhe nëndegët e kësaj partie.

Ai ka shtuar se riorganizimin e LDK-së do ta rishikojmë edhe në diasporë, dhe në harmoni me përvojat dhe sugjerimet e partive evropiane, do të vendosin se a do ta shuajnë degën e LDK-së në diasporë, apo do të vazhdojë së ekzistuari.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës dje në Gjilan ka filluar debatin nëpër degët e saj për ndryshimin e statutit dhe programit të kësaj partie. Pas Prishtinës, mbledhja e radhës do të mbahet në Lipjan, për të vazhduar në ditët në vijim me Pejën, Klinën dhe komunat e tjera.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›