“Aleanca zi-zi kundër Shqipërisë në NATO, akuzon me shpifjet e PS”
Reagon ministria e Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar fort ndaj akuzave të përpiluara në Partinë Socialiste dhe të shprehura nëpërmjet çetës faqezi të Spahiut. Sipas deklaratës për shtyp të ministrisë së Mbrojtjes këto sulme janë për shkak të reformave të thella në ushtri dhe daljes në pension të një kaste të formuar përgjatë ushtrisë pa grada të Enver Hoxhës. “Aleanca zi-zi, e shqetësuar për trashëgiminë e Enver Hoxhës në Forcat e Armatosura bëri sot një përmbledhje të akuzave dhe sulmeve të Partisë Socialiste”, thekson njoftimi për shtyp i Minsitrisë së Mbrojtjes.
Ndërsa më pas nënvizon faktin që në këto sulme janë angazhuar ish-sekserë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilët sot janë shtylla kurrizore e Partisë Aleanca Kuq e Zi, në bashkëpunim me kuadro që refuzojnë NATO sepse kanë nostalgji traktatin e ushtrive komuniste të Paktit të Varshavës.
“Ish-sekserë të KLD-së dhe ish-oficerë të Traktatit të Varshavës nuk pranojnë dot reformat e shkëlqyera të realizuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura në të gjitha fushat e as faktin që Shqipëria është anëtare e besueshme dhe e vlerësuar e Aleancës së Atlantikut të Veriut”, nënvizon deklarata e dikasterit të Mbrojtjes.
Ndërkohë më herët ministri i Mbrojtjes, Arben Imami priti në një takim, ambasadorin e Malit të Zi në Shqipëri Ferhat Dinosha, ku u diskutua rreth bashkëpunimit në rritje ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Malit të Zi.
Palët vlerësuan rritjen e marrëdhënieve në nivel politik ndërmjet dy ministrive dhe veçanërisht rritjen e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcave të Armatosura respektive. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë të angazhuara për të dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme në mbështetje të perspektivës së Malit të Zi për tu anëtarësuar në NATO.
Të dyja palët vlerësuan këtë raport të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe në kuadër të iniciativave rajonale dhe biseduan për perspektivën e rritjes së mëtejshme të këtyre marrëdhënieve.