Aleatët e PD, dy herë më shumë vota se të PS
Strategjia e përdorur nga Partia Demokratike, për ndërtimin e koalicioneve zgjedhore, rezulton më e suksesshme se ajo e Partisë Socialiste. Aleatët e Kryeministrit Sali Berisha kanë sjellë në “shportën” e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dy herë më shumë vota sesa aleatët e Edi Ramës te koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”. Rezultatet paraprake, ende jo të zyrtarizuara prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, flasin për një total prej 237,914 votash, të mbledhura nga 22 partitë që garuan krah socialistëve në zgjedhjet administrative të 8 Majit. Sakaq, 21 partitë politike aleate të demokratëve kanë mbledhur një numër prej 477,432 votash. Në këto llogaritje nuk janë përfshirë partitë që kanë garuar jashtë koalicioneve si LZHK, PBDNJ, PKSH etj. Partia që ka sjellë më shumë produkt në koalicionin e socialistëve është Demokracia Sociale e Paskal Milos, me 53070 vota. Në vendin e dytë pozicionohet Partia Demokristiane e Nard Ndokës, me 47661 vota, ndërsa pas saj rreshtohet Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, me 43792 vota. Socialistët e vërtetë të Petro Koçit janë të katërtët në listën e aleatëve të selisë rozë, me 23362 vota, ndërsa G99 ka 15160 vota. Lëvizja Socialiste për Integrim është aleati i demokratëve, që ka sjellë më shumë vota në shportën e përbashkët dhe konkretisht 116298 të tilla. Në vendin e dytë renditet Partia Republikane, me 73006 vota. Surprizë është pozicionimi i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, që ka grumbulluar 63024 vota. Lista vazhdon me Partinë Lëvizja e Legalitetit që ka marrë 37015 vota, Partia Aleanca Demokratike me 32646 vota, Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë me 30355, Partia Bashkimi Liberal Demokrat ka 26675 vota, Partia Balli Kombëtar me 20630 vota dhe Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare ka fituar 20022 vota.