Lokale apo parlamentare? Lloji i zgjedhjeve ndikon te votat
Nga analiza e shifrave në disa procese elektorale rezulton se zgjedhjet lokale “fryjnë” partitë e vogla, ndërsa votimet parlamentare i “shfryjnë” ato. Fenomeni i kundërt ndodh tek dy partitë e mëdha, të cilat “shfryhen” në zgjedhje lokale dhe “fryhen” në ato parlamentare. Ky mund të jetë një element, i cili mund të ndikojë në shpërndarjen e votave mes koalicioneve nga një lloj zgjedhjesh te tjetra, çka pasqyrohet edhe në ndryshim raportesh numerike, edhe në mandate të mundshme deputetësh. Një tjetër element ka të bëjë me faktin se sjellja elektorale në rastin e votimeve në komuna dhe bashki në rang vendi, ndryshon dhe nuk është e njëjtë me atë kur votohet një listë proporcionale për deputetë. Për të ilustruar trajektoren e votave të partive të vogla, kemi shembullin e zgjedhjeve të vitit 2007, ku Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 121.172 vota, por dy vite më pas do të merrte vetëm 73,678 vota. Në votimet e fundit të 8 majit, partia e Ilir Metës ka grumbulluar 116,298 vota. Partia Republikane ka marrë në zgjedhjet lokale të vitit 2007, 75,730 vota, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare mori 31990 vota. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka marrë në vitin 2007 numrin prej 15,523 votash, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009 mori 14477 vota. Në votimet e fundit, kjo forcë politike që u krijua nga bashkimi i PDI dhe PDU mori 63024 vota. Partinë Demokracia Sociale të Paskal Milos, e cila në vitin 2007 mori 39390 vota, në votim 2009 mori 10395 ndërsa në zgjedhjet e fundit grumbulloi 53070 vota. Partia Demokristiane mori në zgjedhjet lokale të vitit 2007 afro 58484 vota, në votimet e vitit 2009 mori 13 308 vota, ndërsa sëfundi doli nga procesi me 47661 vota. Socialdemokratët e Skënder Gjinushit morën katër vjet më parë 52194 vota, në zgjedhjet parlamentare morën 26700 ndërsa aktualisht kanë marrë 43792 vota. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, katër vite më parë mori 49730 vota, ndërsa aktualisht ka marrë 40474 vota.