Projeksioni i votave të 8 Majit në deputetë. AQ 76 mandate, AA 64
Zgjedhjet administrative të 8 Majit nxorën në pah një avantazh të koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike në rang vendi, në raport me atë të Partisë Socialiste. Përparësi që do të përkthehej edhe në mandate deputetësh, në Kuvendin e Shqipërisë në shifrat: koalicion mazhorance 76 mandate dhe koalicion opozite 64 mandate. Shifrat paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në proporcional për zgjedhjet e fundit, na lejojnë që të analizojmë ndarjen e këtyre votave në bazë qarqesh. Për shkak studimi, elementët ndërhyrës të natyrave të ndryshme dhe që kanë të bëjnë me ndryshimin mes sjelljes së elektoratit në zgjedhje lokale dhe në zgjedhje parlamentare, do t’i mbajmë të pandikueshëm. Më tutje, përmes formulës D’Hont që parashikon Kodi Zgjedhor, mund të përshtasim këto vota në mandate deputetësh për secilin prej koalicioneve që garuan në zgjedhjet administrative të 8 Majit. Pra, mund të kryejmë një projektim të të njëjtave vota të hedhura për subjektet politike më 8 maj, sikur ato do të hidheshin për zgjedhje parlamentare dhe jo administrative. Në këtë formë do mund të kuptojmë se sa deputetë do mund të merrte matematikisht koalicioni qeverisës “Aleanca për Qytetarin” dhe se sa vota do merrte koalicioni opozitar “Aleanca për të Ardhmen”. Duke marrë parasysh faktin se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut garoi më vete në zgjedhjet administrative të 8 Majit, por për shkak se ajo zyrtarisht është e rreshtuar në bllokun e opozitës dhe koalicionin me socialistët, votat e këtij subjekti i janë shtuar në këtë studim votave të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”. Në rang vendi, koalicioni i socialistëve do të shtohet me 40474 vota, që i përkasin Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në tabelat e zbatimit të formulës D’Hont, koalicionet janë shënuar përkatësisht AQ (Aleanca për Qytetarin) dhe AA (Aleanca për të Ardhmen”. “P.Jashtë” janë klasifikuar votat e partive politike që kanë garuar jashtë koalicioneve, ndërsa me “K.propo” janë cilësuar votat e marra nga kandidatë të propozuar nga zgjedhës. Në Qarkun e Tiranës rezulton se koalicioni i mazhorancës, brenda të cilit ndodhet edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, do të merrte 17 deputetë, ndërsa koalicioni opozitar do të merrte 15 të tillë. Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, PS mori 15 mandate, PD kishte 16 dhe një i përkiste LSI-së. Në Qarkun e Vlorës rezulton se 12 deputetët do të ndaheshin përgjysmë, midis dy koalicioneve, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009 socialistët dhe aleatët e tyre morën 7 mandate deputetësh. Në Qarkun e Elbasanit, “Aleanca për Qytetarin” do fitonte 8 mandate deputetësh, ndërsa “Aleanca për të Ardhmen” 6 të tillë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, dy koalicionet kryesore ndanë përgjysmë 14 deputetët e këtij qarku. Në Qarkun e Gjirokastrës nuk do të kishte ndryshime dhe koalicioni opozitar do të vazhdonte të merrte tre mandate deputetësh përballë dy mandateve të koalicionit të shumicës. Analiza e votave të Qarkut Dibër tregon se koalicioni AQ do të merrte katër mandate dhe koalicioni AA dy të tjerë, duke mos ndryshuar nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Në Qarkun e Durrësit, koalicioni i shumicës në pushtet do merrte 7 deputetë, ndërsa koalicioni i opozitës 6 të tjerë. Aktualisht në këtë qark, PD dhe aleatët, kanë 7 mandate, LSI ka 1 dhe PS me aleatët kanë 5 deputetë. Nisur nga votat e zgjedhjeve të 8 Majit rezulton se në Qarkun e Fierit, koalicioni i PD-LSI do merrte 8 mandate dhe po kaq edhe koalicioni i PS. Aktualisht raporti është 9 mandate PS me aleatët, 1 mandat LSI dhe 6 mandate PD me aleatët. Qarku i Korçës nuk do të kishte ndryshime, për shkak se sërish dy koalicionet do të ndanin përgjysmë numrin prej 12 deputetësh që ka ky qark. Rezultat do të kishim edhe në raportet numerike në Qarkun Kukës, ku sërish tre mandate do t’i merrte koalicioni i PD-LSI dhe një mandat koalicioni i PS. Në Qarqet Lezhë, Shkodër dhe Berat, sërish nuk do të kishte ndryshime raportesh numerike në mandate deputetësh, nisur nga ato çka aktualisht ekzistojnë.