Aleatët nuk i besojnë Ramës

Qysh në zanafillë, koalicioni i partive të opozitës ka prodhuar një abort politik. Të gjithë aleatët i kanë kërkuar Ramës, marrëveshje të shkruar, pasi ai ka dhënë prova se i lë në baltë, siç ka bërë në 2009-n. Mungesa e besimit tek fitorja e opozitës, po i shtyn partitë e majta të kërkojnë propozime në tavolinë, në mënyrë që të vlerësojnë paraprakisht, nëse ia vlen të shkojnë me një alternativë humbëse, pa fituar as një mandat të sigurtë deputeti
Edi Rama ka humbur edhe besimin e aleatëve të tij. Ftesave për tryezë të opozitës ia janë përgjigjur vetëm individët gjoja politikanëve që s’kanë as parti, as kryesi, as anëtarë si Gjerj Koja, Petro Koçi, Kurt Kola, Spartak Ngjela e Preç Zogaj. Ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule mungoi në tryezën e thirrur nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Arsyeja e kësaj mungese është flirtimi i Ramës me Spa(t)hiun e faqezinjve, që me shkelje syri e deklarata që ngjasojnë si dy pika uji, po parapërgatiten të lidhen në një aleancë parazgjedhore kundër kryeministrit Berisha.
Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ka deklaruar dje se nuk do të jetë kurrë në një grup aleancash me parti që cenojnë profilin europian të vendit tonë duke iu referuar faqezinjve.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo edhe pse ka shkuar në tryezën e Ramës nuk vonoi ta braktiste në mënyrë demonstrative pak minuta më pas. Milo ka qëndruar pak momente në selinë rozë pasi u largua me pretendimin se kishte impenjime të rëndësishme. Mirëpo për një kryetar partie opozitare nuk ka impenjime më të rëndësishme sesa të definojë koalicionit, pra, si rrjedhojë largimi demonstrativ sinjalizon një përçarje të opozitës.
Sigurisht në tryezën e opozitës nuk mungonin Spartak Ngjela, Kurt Kola dhe Preç Zogaj që përfaqësojnë vetëm votën e tyre pasi nuk kanë mbështetje publike dhe s’përfaqësojnë elektorat, as kanë kryesi, as anëtarë.
Ndërsa Gjinushi me të dalë përpara mediave theksoi se “nuk ka shumë rëndësi numri i partive, sesa fryma e bashkëpunimit”, duke nënkuptuar qëndrimin kundër të PSD për ftesa e PS për LSI.
Megjithatë ky takim i opozitës ka zgjatur rreth një orë ku Edi Rama iu është përbetuar se do të mbrojë votën e tij. Por Skëndër Gjinushi, Preç Zogaj, Spartak Ngjela e Kurt Kola kanë kërkuar që Edi Rama t’i fusë në listat e sigurta të PS në Tiranë, duke i futur automatikisht në parlament dhe nuk janë të gatshëm të jetë sërish jashtë. Dhe ketë ia kanë bërë të qartë kreut të opozitës.
Ndërkohë Edi Rama është në presionin e deputetëve të tij për të zbardhur listat e kandidimit në mënyrë që të punojnë me grupet e punës. Edhe dalja publike e rivalit të Ramës në parti, Ben Blushit se do të kandidojë në Elbasan tregon se Rama përdor dy standarde. Sepse grupin më afër tij i parapërgatit me vendimmarrjen e listës së deputetëve ndërsa një pjesë tjetër i mban var në një çengel pasigurie, çka detyron shumë deputetë të ankohen në media ose të dalin shpesh në media për të bërë presion siç është rasti i Arben Malajt apo Ilir Gjonit.
Opozita vijon të jetë e përçarë në thelb për shkak të paaftësisë së Ramës për të punuar në grup. Ai ka frikë nga tradhtia e aleatëve në dekonspirimin e strategjisë elektorale, megjithëse, me këtë sjellje ka humbur besimin e aleatëve.