E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti Fidel Ylli, drejt humbjes së mandatit

25-01-2013 / Gazeta 55

Konstatohen shkelje të Kushtetutës, gjatë ushtrimit të detyrës

Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë konstatuar papajtueshmërinë me Kushtetutën të mandatit të deputetit socialist Fidel Ylli. Sot ata kanë nënshkruar një nismë, ku i kërkojnë Kuvendit që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen, që ata e konsiderojnë si shkelje flagrante të nenit 70 të Kushtetutës nga zoti Fidel Ylli.
Në kërkesën e tyre thuhet se deputeti socialist ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç dihet, dhe siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike.
Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
Pas katër muajve në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009.
Rasti i deputetit Fidel Ylli është shumë i ngjashëm me atë të ish-kolegut të tij Ilir Beqja. Zoti Beqja e humbi mandatin e deputetit, rreth dy vjet më parë, pasi Kuvendi çoi në Gjykatën Kushtetuese fakte, që provonin se ai kishte përfituar fonde nga pushteti vendor, gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Gjykata Kushtetuese e çmoi të drejtë kërkesën e Kuvendit, i cili u vu në lëvizje sërish nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›