E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Gjoka: Mbesa, burim frymëzimi, kthehem me albumin “FMN”

TIRANE- Ai është pa diskutim një prej zërave më potentë që ka skena shqiptare prej vitesh. Si i tillë, numëron me mijëra fansa në të gjithë Shqipërinë, të cilët jemi të bindur që do të gëzohen pa masë nga ky lajm. Aleksandër Gjoka, virtuozi i muzikës shqiptare, që me zërin e tij ka shndërruar në hite dhjetëra këngë, pritet të vijë shumë shpejt me një album të ri, për të gjithë dashamirësit e muzikës së tij. “FMN” është titulli që Sandri ka menduar për këtë album, për të cilin, siç pohon gjatë një bisede telefonike, është ende në proces... “Për albumin po punohet intensivisht. Jam duke bashkëpunuar me Gent Myftarajn dhe besoj se shumë shpejt ai do të jetë në duart tuaja. 

Sa i përket emrit ‘FMN’, nuk ka lidhje me Fondin Monetar Ndërko-mbëtar (qesh), mos u ngatërroni kot. Është një këngë e imja me këtë titull, prapa të cilit fshihen emrat e Fan Nolit, Migjenit dhe Naim Frashërit”, - rrëfen artisti i mirënjohur, duke na zbuluar më tej se një prej surprizave të këtij albumi do të jetë edhe bashkëpunimi me mikun e tij të vjetër, Redon Makashin. Gjatë bisedës, Aleksandër Gjoka u përgjigjet edhe pyetjeve tona për pushimet e këtij viti, të cilat, nga sa na tregoi, nuk kanë qenë edhe aq të tilla... “Megjithëse mund të duket e çuditshme, unë këtë verë kam qenë i angazhuar me një tur nëpër të gjitha qytetet bregdetare dhe jo vetëm. Jam argëtuar vërtet shumë, pasi ngado ku kam shkuar, kam marrë si ‘feedback’ dashurinë e publikut, që për një artist është shumë e rëndësishme”, - ka saktësuar Gjoka. “Sigurisht që kam bërë edhe disa ditë pushime, pasi nuk mund të rrija dot larg mbesës sime, e cila është tashmë muzika ime, një burim i ri frymëzimi. Aleksandra është engjëlli i gjyshit, që më ka mbushur plot energji”, - ka përfunduar Sandri, duke na zbuluar kështu edhe emrin e mbesës, që siç kuptohet qartë, është gjinia femërore e emrit të tij... Të lidhur përjetë bashkë, Aleksandra dhe gjyshi i saj, i cili më datë 21 do të niset drejt Italisë për të marrë pjesë në ceremoninë e pagëzimit të mbesës.
(m.a/summer pages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›