E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti gjerman, hetim për masakrën e Vlorës

TIRANE- Duket se ngjarja e rëndë e ndodhur në plazhin e Vlorës më 28 korrik të këtij viti, ku u vranë tre pushues të pafajshëm, është rikthyer përsëri në vëmendje, por këtë herë të mediave gjermane. Në dy prej tyre, “tz-online” dhe “Schwaebische”, të datave 30 gusht dhe 2 shtator, përshkruhet e gjithë ngjarja, duke i kushtuar vëmendje 53-vjeçares Diana Ademi, e cila jetonte prej më shumë se 20 vitesh në Gjermani. Ka qenë vetë djali i viktimës, Rudi D. Ademi, i cili ka folur për mediat gjermane dhe ka përshkruar si e ka mësuar lajmin e rëndë për vdekjen e së ëmës dhe jetesën e tij tashmë pa të. Artikulli i “Schwaebische” nis me titujt që flasin për vrasjen e rastësishme të Dianës, duke përmendur dhe faktin se fqinjët gjermanë kishin ndërtuar një kënd përkujtimor në hyrje të pallatit ku 53-vjeçarja jetonte me të birin. Ndërkohë që Rudi, djali i saj u është drejtuar autoriteteve gjermane për hetimin e çështjes, ndërsa ka bërë apel: “Kapeni vrasësin e nënës sime”. 

MEDIAT GJERMANE 
Artikulli në gazetën “Schwaebische” nis me pyetjet e djalit të Dianës, “Pse autorët e bënë këtë gjë? Pse qëlluan ndaj tyre? Pse vrasësi nuk është kapur ende?”, ndërkohë që sipas tij, e vetmja gjë që mund të bëjë është të apelojë në media. Artikulli vijon me përshkrimin e ngjarjes me të gjitha detajet, ndërkohë që mësohet se çështja po ndiqet tashmë edhe nga drejtësia gjermane, për shkak se viktima ishte dhe nënshtetase e këtij vendi. Në artikullin e “Schwaebische”, thuhet se njoftimi nga autoritetet shqiptare për palën gjermane duhej të ishte bërë më shpejt. Aktualisht, autoritetet e drejtësisë gjermane, sipas artikullit, janë në pritje të përkthimit të informacioneve të ardhura nga Shqipëria. Artikulli përmbyllet po me fjalët e Rudit, i cili, pas emrit të tij ka shtuar edhe shkronjën D., inicialin e emrit të nënës së tij. Ai shprehet se “është për nënën time, ajo do të vazhdojë të jetojë në mua”, duke shtuar se “mamaja ime ishte krijuese dhe grua e fortë”. Ndërkohë, shkrimi për masakrën në plazhin e Vlorës dhe 53-vjeçaren Diana Ademi në portalin tjetër informativ “tz-online”, është pak më i ashpër. Artikulli nis me apelin e djalit të viktimës: “Kapeni vrasësin e nënës sime”, si dhe duke publikuar me fytyrë të sfumuar fotografinë e Delin Hajdarit, autorit të ngjarjes, i cili është ende në kërkim. Artikulli vijon duke përshkruar jetën e Dianës, ku punonte fillimisht, dhe hapja e biznesit të saj si stiliste. Pas përshkrimit të ngjarjes, në artikull shkruhet se në Shqipëri nuk ka pasur interes që kjo ngjarje të bëhet shumë publike në Gjermani. Rudi apelon që shteti gjerman të mos e harrojë rastin e nënës së tij. Interesi i mediave gjermane ka bërë që edhe një prej gazetave më të mëdha në gjermani, “Bild”, pas dy ditësh t’i kushtojë një hapësirë shumë të madhe kësaj ngjarjeje.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›