E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Lesona Kujtimet e një kryediplomati dhe “shformimet” e historisë

26/12/2011  Kostaq XOXA

Prilli, si muaji që shënjoi një ngjarje të kobshme në historinë e popullit shqiptar në 1939-ën, është bërë tashmë, pas diktaturës, si muaj debatesh politike për tradhti të qena e të paqena, për përligjje të tradhtive të njëmendta kombëtare gjatë enverizmit, në ngulmimin e historisë së falsifikuar të asaj periudhe, për ta mbajtur ende në këmbë atë ngrehinë mashtrimesh historike. Mjaft historianë nostalgjikë u shndërruan në lektorë të indoktrinuar. Është spekuluar, veçanërisht, për traktatin e fshehtë italo-shqiptar të 1926-ës, të cilin Enver Hoxha dhe historianët e tij e kishin shpallur si një akt tradhtie. Tani traktati është zbardhur plotësisht dhe zërat më të autoritetshëm për këtë traktat janë diplomati Aleksandër Lesona, në radhë të parë, si edhe mëkëmbësi i Viktor Emanuelit III, Françesko Jakomoni. Përmes kujtimeve të tij ai rrëfen në një botim të “Sansoni”-t, në maj 1958 në Firence, botim që tani vjen edhe në shqip në përkthimin e Kostaq Xoxës.

Lesona ka përshkruar hollësisht, hap pas hapi, peripecitë për përpilimin e këtij dokumenti historik, maturinë e Presidentit të Republikës për ta bërë sa më angazhues nga ana italiane për të prerë përfundimisht synimet shovene jugosllave, telashet që iu deshën të përballoheshin nga kryediplomati Lesona, kundërveprimi i Musolinit për këmbënguljen nga ana shqiptare se Presidenti nuk do të firmoste nëse nuk do të shtohej edhe klauzola se Italia do të hynte në luftë përkrah shqiptarëve, nëse Shqipëria do të pësonte një akt agresioni nga Jugosllavia, gjë që e bëri Musolinin të lëshonte, së fundi, edhe në këtë pikë, me kushtin që traktati të mbahej i fshehur.

Ja edhe pse traktati mban mbiemrin e fshehur, gjë e cila është interpretuar subjektivisht nga ata që, mbase, nuk e njihni fare këtë traktat. Këta të fundit, madje, me përfytyrimet si në xhialot komerciale, duke mos u mbështetur asfare në faktet, ngritën edhe versionin e lidhjes me Pasiçin, kur të dy dëshmitarët-shtyllë të ngjarjes, Lesona dhe Jakomoni, pohojnë se Jugosllavia ishte e detyruar nga faktori ndërkombëtar t’i jepte lejekalimi Zogut që të kalonte nga Jugosllavia, për të rimarrë pushtetin e rrëzuar në mënyrë jokonstitucionale nga kryengritja, e cila ishte emërtuar si “demokratike” nga historiografia e pas -’44-s. (Fan Noli, ky njeri i madh i kulturës dhe i letrave, por politikan i papranueshëm nga faktori ndërkombëtar për lidhjet me qarqet majtiste dhe me B.S., nuk arriti të gjejë mbështetje në Lidhjen e Kombeve, të cilën e quajti, madje “flluskë sapuni”).

Lesona dhe Jakomoni i dinë më mirë se kushdo sesa Presidenti shqiptar i kohës (1924) mund të bëhej vasal i Pasiçit, siç do të dëshironte historiografia komuniste..

Lesona shkruan se “Presidenti kishte ambicien të ishte një kryepushtetar i pavarur dhe jo një vasal, i kujtdoqoftë”. Jakomoni jep një frazë vërtet emblematike: Në takimin e përshëndetjes, kur Zogu do të linte truallin jugosllav, Pasiçi e përshëndet:- “Lamtumirë, miku im i sotëm dhe armiku im i nesërm!”. Tepër domethënëse për ata që i shohin mbarë thëniet e rëndësishme historike dhe nuk i shformojnë ato, apo i lënë në harresë, si tema-tabù. Kohët e fundit ka dalë në shqip edhe një vepër dinjitoze e studiuesit Hubert Neußirth, me titullin “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri”. Një libër që i sheh ngjarjet historike jo ashtu siç i kanë shfytyruar “historianët” fanatikë. Do të kemi rastin që të flasim edhe për këtë vepër. Por ajo që kërkojmë të theksojmë, me këtë rast, është që të këqyret si një domosdoshmëri kohore që historiografia jonë të spastrohet rrënjësisht nga goditjet deri në palcë që i është bërë vazhdimisht në kohën e diktaturës, historisë së vërtetë shqiptare të kohës së luftës e të pasluftës. E që vazhdon t’i bëhet edhe sot!

* * *

Lesona, duke folur gjithmonë në synimin e nënshkrimit të këtij traktati, ka pasur ditë të qeta, periudha mirëkuptimi, por edhe çaste të stuhishme, në bashkëpunimin me Presidentin, (A. Zogun) i cili ishte shumë i matur për të jetësuar një akt të fuqishëm në dobi të sigurisë së Shqipërisë, në përshtatje me idenë se rreziku më i madh i vendit, në atë kohë, ishin mëtimet jugosllave për ta shtrirë pushtimin përtej kufijve të Kosovës, të cilën e kishin në zotërim, qysh nga pazaret e 1913-ës. Por duheshin ruajtur edhe kufijtë jugorë, vazhdimisht të kërcënuar nga një shtet gjithmonë ngacmues dhe ndërhyrës. Pikërisht se ky bashkëpunim ka qenë tërë mundime, shohim shpërthime nga ana e Lesonës të tipit “është i paskrupullt”, por edhe vlerësime si “është i sinqertë, përkundrejt pabesive të Çianos”. Pra, duam të themi se Lesona nuk është ithtar i Presidentit shqiptar, por i Musolinit. Me Zogun, madje, ka gjetur pengesa, në ngulmimin e këtij të fundit, duke e futur Italinë në vështirësi të padëshiruara prej saj, nëse Jugosllavia do ta cenonte sadopak pavarësinë dhe integritetin shqiptar.

* * *

Faktet historike, në pajtueshmëri me atë që quhej “tendencioziteti klasor”, paraqiteshin gjithmonë e vazhdimisht, në mënyrë vijëzore të shfytyruara në një trajtë të çuditshme. Për historinë e viteve njëzet, marrëveshja e fshehtë me Romën, veçanërisht, ishte masakruar në mënyrë të turpshme. Historia panegjirike ishte e ngarkuar që të mbeteshin si një argument i mbyllur të gjitha temat nën rrogoz dhe ato të hapura që, në të vërtetë, qenë tepër poshtëruese për vasalitetin ndaj emisarëve jugosllavë gjatë luftës e, për njëfarë kohe, edhe pas saj. Faktet dëshmonin për nënshtrim pa kushte në dëm të frymëzimeve kombëtare. Antikombëtarizmi maskohej nën sloganin e internacionalizmit proletar. Ndërkaq programohej që ta bënin Republikën tonë Popullore, si një republikë të shtatë të Republikës Federative të Jugosllavisë. Kuptohet, pra, dëshira e ethshme e regjimit të E. Hoxhës, për të bërë të qenësishëm mendimin se edhe pushtetarët e paraluftës, ia kishin shitur Jugosllavisë fatet e Shqipërisë.

Të dy kapitujt e librit të kujtimeve të Aleksandër Lesonës, vërtetojnë në mënyrë bindëse se nuk mund të hiqet asnjë paralele ndërmjet qëndrimit të pasluftës në marrëdhëniet me Titon dhe atij të paraluftës, në qëndrimin ndaj Jugosllavisë. Ndonëse autori i ka nxjerrë vetë përfundimet e fakteve të paraqitura prej tij në fund të kreut VIII, na duket e dobishme të paraqesim, të përmbledhur në nëntë pika, lëndën kryesore të librit të Lesonës:

1.- “Pakti i Tiranës, 1926”, siç e quan Jakomoni, në një studim të vitit 1953, apo “Traktati i fshehtë”, siç e cilëson Aleksandër Lesona në librin e tij të kujtimeve (1958), është një nga dukuritë politike të trajtuara në mënyrën më të shformuar të mundshme nga historiografia jonë e kohës së diktaturës.

2.- Çdo lexues i zellshëm shqiptar i ngjarjeve të historisë së re, është keqinformuar mbi këtë traktat, për mundësinë e kufizuar që të lexonte edhe interpretime e dokumente të tjera autentike, përveç atyre që ishin vetëm shpërthime politike të kohës e që ishin të denja vetëm për efekte propagandistike, sepse s’kishin asgjë të përbashkët me paanësinë historike.

3.- Në detyrën e ngutshme për çindoktrimin e historiografisë së diktuar, ngjarjet që shtjellohen në librin e Lesonës, si edhe faktet e paraqitura, bashkë me dokumente historike të pakundërshtueshme, janë një ndriçim që s’mund të vihet dot në errësirë, për periudhën e fillesës së ndërtimit të një shteti të ri, të një shteti ligjor, me frymëzime perëndimore, duke nisur thuajse nga asgjëja(*), kur kishte kaluar vetëm një dhjetëvjeçar nga Shpallja e Pavarësisë, në nëntorin e 1912-ës.

4.- Autori Aleksandër Lesona është personi që ka dhënë ndihmesën më të madhe vetjake, në bashkëpunim me Presidentin e Republikës, Ahmet Zogun, për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Ai i njeh më mirë se kushdo, edhe më mirë se Jakomoni, të gjitha hollësitë e kësaj marrëveshjeje. Madje, edhe peripecitë që lidhen me të.

5.- Autori Lesona ka bërë një portret të besueshëm për figurën e personit më të rëndësishëm të kohës, Zogut, që ishte në atë kohë figura përfaqësuese e një vendi të varfër, të çorganizuar, të kapluar nga anarkia, të rrezikuar nga fqinjët, në prag të mynxyrës.

6.- Lesona, duke folur gjithmonë në synimin e nënshkrimit të këtij traktati, ka pasur ditë të qeta, periudha mirëkuptimi, por edhe çaste të stuhishme, në bashkëpunimin me Zogun, i cili ishte shumë i matur për të jetësuar një akt të fuqishëm në dobi të sigurisë së Shqipërisë, në përshtatje me idenë se rreziku më i madh i vendit, në atë kohë, ishin mëtimet jugosllave për ta shtrirë pushtimin përtej kufijve të Kosovës, të cilën e kishin në zotërim, qysh nga pazaret e 1913-ës. Por duheshin ruajtur edhe kufijtë jugorë, vazhdimisht të kërcënuar nga një shtet gjithmonë ngacmues dhe ndërhyrës. Pikërisht se ky bashkëpunim ka qenë tërë lodhje, mundime e shpesh edhe mospajtime, shohim shpërthime të tipit “është i paskrupullt”, por edhe vlerësime si “është i sinqertë, përkundrejt pabesive të Çianos”. Pra, duam të themi se Lesona nuk është ithtar i Zogut, por i Musolinit. Me Zogun, madje, ka gjetur pengesa, në ngulmimin e këtij të fundit, duke e futur Italinë në vështirësi të padëshiruara prej saj, nëse Jugosllavia do ta cenonte sadopak pavarësinë dhe integritetin shqiptar. Autori, në disa copëza të librit të tij, shfryn kundër Zogut, me shprehje të ashpra, madje edhe fyese. Por kjo është një dëshmi se këtu s’kemi të bëjmë me një apologjet dhe, bash për këtë arsye, ai është i besueshëm në vlerësimet që i bën “kundërshtarit” të tij. E këto vlerësime janë thelbësore, veçanërisht në atdhedashurinë e Presidentit shqiptar dhe, më vonë, të monarkut të shqiptarëve. Në këtë pamje, ambicia e Zogut për të qenë “i pari i vendit” është fatlume për fatet e kombit shqiptar, në një çast aq kulmor.

Natyrisht Jugosllavia, e nën trysninë e faktorit ndërkombëtar të atëhershëm, i dha njëfarë ndihmese Zogut (duke i ofruar truallin e saj) për të rivendosur pushtetin e vënë në dorë nga regjimi i Fan Nolit, prej të cilit tashmë fuqitë e madha kishin pësuar zhgënjim. Këtë ndodhi Jugosllavia donte ta shfrytëzonte duke e mbajtur gjithmonë urtë e butë me Zogun, për ndonjë përfitim në dobi të saj, kundër integritetit shqiptar. Por ky “idil” qe jetëshkurtër, për arsye se Zogu ia njihte mirë lakminë Jugosllavisë dhe nuk ia lejoi vetes që të binte në kurthin e saj. Kjo shkaktoi, madje, armiqësinë e shfaqur sheshit kundër Presidentit shqiptar nga të gjitha institucionet jugosllave qëllimkëqija. Askush tjetër, përveç Zogut, në gjendjen e amullt të kohës, nuk do të kishte aftësinë diplomatike dhe vendosmërinë e karakterit, për t’u bërë ballë këtyre kanosjeve, që do të shkaktonin zgjatjen e kohës së anarkisë së brendshme. Pa këtë aftësi diplomatike, rrezikohej të zhbëhej edhe ajo pavarësi e cunguar e 1912-ës. Lesona e kishte të qartë, në bashkëbisedimet me protagonistin shqiptar, se një pikë ishte e pacenueshme: solidariteti i numrit një, me shqiptarët që kishin mbetur jashtë kufijve, si pjesë përbërëse e politikës kombëtare të Zogut. Kjo do të përbënte thelbin e traktatit të fshehtë të 1926-s. Kjo i ishte bërë e qartë edhe Musolinit.

7.- Më duket se Lesona e tepron paksa në gjendjen e mjeruar në Shqipëri, kur erdhi për misionin e tij që përshkruan në libër. Ai thotë se s’kishte as ura dhe makina e tij duhej të kalonte nëpër vahun e lumit, për të mbërritur në Tiranë, me një hotel të vetëm, në të cilin ai nuk guxonte të zhvishej për t’u futur në shtrat. Mbase donte të nënkuptohej se ç`përparime ishin bërë pas ’39-s. Por, ama, kjo tregon edhe hapin e madh përpara që kishte bërë Shqipëria, kur Zogu e forcoi brishtësinë e tij të kohës së traktatit dhe Tirana e Prillit të ’39-s, në një hark kohor kaq të shkurtër, ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo ku “nuk ecje dot me makinë”.

8.- Ajo thjeshtësi që vëren autori i tekstit, në jetën e përkorë të Presidentit të Republikës, e përshkruar në mënyrë të imtë dhe me hollësira, është një element krahasimi edhe për ditët e sotme. Dhe morali që del i përftuar vetvetiu (spontanisht), qëndron në atë se është amorale të bëhet jetë luksi nga politikanët në pushtet, kur populli vuan në varfëri.

9.- Autori citon një mori diplomatësh të asaj kohe, që kanë marrë pjesë në përpjekjet për këtë traktat. Ata e kanë nxjerrë nga fshehtësia këtë dokument, pas luftës. Në të gjitha shkrimet e tyre, të botuara në revistat historike me prestigj, ngjarjet e paraqitura nga Lesona nuk janë kontestuar. Në pikën 3 të përfundimeve të tij, autori shkruan:

“Dyshimet e tratativave të fshehta ndërmjet Zogut dhe Jugosllavisë u treguan të pathemelta, ashtu siç i kisha thënë unë kryetarit të qeverisë italiane (Musolinit)”.

Njëri ndër blofet e historiografisë komuniste në vendin tonë ishte “lulëzimi ekonomik” i ekonomisë socialiste. Kësaj nuseje me fustan të bukur nusërie, por me të brendshmet të pëgëra, i ra menjëherë fustani i nusërisë, pas proceseve demokratike të ’90-s, kur dolën në shesh haptazi se çfarë fshihte ky vel i bukur nusërie. Duke nisur nga “çlirimi i dytë i Shqipërisë”, kombinati metalurgjik i Elbasanit, që u amortizua kaq shpejt dhe i dolën “bakëret”, tashmë si një ndotës i tmerrshëm ekologjik, por edhe duke e hedhur vështrimin pa syze të veshura me katran (si në vëzhgimin e eklipseve), të fshatarësisë kooperativiste barktharë, që e mbante shpirtin gjallë vetëm me atë thërrime vjedhjeje “të lejuar”, për të mos vdekur nga uria! Pesëvjeçarët bubullitës u shndërruan në një të vërtetë mashtrimi...

Por e gjithë kjo megalomani lumturie e mirëqenieje, u pompua gjer në grotesk nga propagandistë sharlatanë, që krijuan shabllonin e krahasimit qesharak, të pandalshëm e monoton gjer në pakapërdimje, me 1938-n.

Kur themi se shteti i parë shqiptar, ishte i ngritur nga asgjëja, duhet të na shkojë mendja se në ç’gjendje e mori në dorë shtetin kryetari i parë i këtij institucioni, që u vu vërtet në baza ligjore. Ja ç’dëshmon Aleksandër Lesona, në kapitullin “Panoramë e një vendi në pikë të hallit”:

“Mbërrita në Shqipëri andej nga mesi i shkurtit. Përshtypja që pata për këtë vend ishte mjeruese. Disa shtëpiza në Durrës; një rrugë thuajse e papërdorshme për të vajtur në Tiranë; por edhe vetë Tirana, kryeqyteti i Republikës, të jepte një pamje që të bënte përshtypje për varfërinë, për primitivitetin. Ndriçimi publik ishte i paqenë. Ashtu edhe elektriciteti, apo gazi. Rrugët me zhavorr, ishin po ato që u meremetuan mbi gjurmët e lashta romake dhe në kushtet e përçueshmërisë mjaft të mundimshme. Pjesa me gropa dhe shkëputjet rrugore ishin më të shpeshta se ato që mund të quheshin të mundshme për të ecur pa ndalesa; nuk kishte ura dhe detyroheshim të kalonim në vah përrenj e lumenj. Ujët e pijshëm mezi merrej, me pagesë, nëpër qytete nga shitës bredhës, që e përçonin duke e mbartur me kafshë. Me një fjalë: një vend parak, i çorganizuar sa s’ka ku të vejë. Kam parë me sytë e mi të theren kafshët nëpër rrugët e Tiranës. Hoteli i kryeqytetit ishte kaq tmerrësisht i pisët, sa nuk mundja dot të merrja guximin të zhvishesha dhe rashë me rrobe mbi shtrat, duke e mposhtur neverinë që m’u shpif nga cikja e rrobave të mia me mbulesën e krevatit”.

Shënim: Njëri ndër historianët e shquar të diktaturës, autor tekstesh, që diti të kalërojë bukur gjatë ndërrimit të sistemeve në vendin tonë, e kishte aq të rrënjosur përbuzjen e tij ndaj regjimit të A. Zogut I sa, në një intervistë, nuk gjendet dot asgjë pozitive në atë regjim që, pas pavarësisë, kaloi në thuajse në një gjendje anarkie: me pasiguri, me grabitje, me keqbërës ordinerë. Sado të jesh ndikuar nga qëndrimi obskurantist i E. Hoxhës ndaj këtij regjimi, ai historian që ishte dërguar edhe në Londër për pasurimin e njohurive të tij, nuk dallonte dot se Zogu, qyshkur ende nuk ishte bërë monark, kishte ndërtuar nga asgjëja një shtet ligjor, me institucione të rregullta, me ligje të zbatueshme, me ministra kompetentë, pavarësisht se ishin apo nuk ishin ithtarë të tij. Pra, në kohën që u bë mbret, realizoi edhe një gjë të jashtëzakonshme: bëri Pajtimin Kombëtar. (Jo si “Pajtimi Kombëtar” i R. Qoses, me poshtërimin e ish-të përndjekurit politikë, duke e zvetënuar, kështu pajtimin, pajtim i thënçin, që të dështojë, sa pa lindur!). Zogut i besuan një pjesë e madhe e kundërshtarëve të tij në emigracion, që erdhën të bashkëpunojnë, për të mirën e atdheut.

Por ajo që habiti jo vetëm historianët tanë demokratë, profesionistë në shkencën e tyre historike, por edhe amatorët e përkushtuar të historisë, ishte se i ftuari për intervistë mbështetej në denigrimin e Ahmet Zogut I, në ditarët e ministrit italian të Punëve të Jashtme, kontit Galeaco Çiano! Siç e kemi parë pjesërisht edhe në këtë hyrje, Çiano ishte personi më i pabesueshëm, që mund të merrej për referencë!

Me rastin e martesës së mbretit, Çiano e ndjeu veten në gjendje të vështirë, se mjaft nga damat e pallatit, nuk donin të kërcenin me këtë donaiolo, siç e merrnin në gojë princeshat, motrat e mbretit.

Në libra që përmbajnë mendime konfidenciale të mbretit, vihet ré antipatia e mbretit ndaj këtij diplomati italian, që quhet “i pabesë” nga Lesona, siç e kemi vënë në dukje në pikën 6 të hyrjes. Të mbështetesh te Çiano për të bërë fizionominë politike të njërës prej figurave më madhore të kombit tonë, është si ta shpallësh veten profan në historí.

Enveri e kishte përcaktuar tiran! Por ky “tiran” kishte bërë një gjyq politik, vetëm një (atë të Q. Stafës, që u quajt gjyqi i komunistëve), me dënimin më të rëndë prej 2- 4 vjetësh privim lirie, duke ua falur pa mbaruar afatin edhe këtë dënim, siç kishte bërë edhe me dënimet e Fierit...

Regjim “tiranik”, kur në vitrinat e librarive paraqitej “Nëna” e Gorkit, kur kishte një numër të madh gazetash ditore, bindjesh të ndryshme, dhe kur revista “Bota e Re” kishte firmat e të gjithë shkrimtarëve të ardhshëm të realizmit socialist! Ndërsa tirani i vërtetë komunist, Enveri, çoi në litar edhe nacionalçlirimtarët. Dhe socialdemokraten Musine Kokalari, - që ishte personifikimi i mirësisë dhe talentit letrar, e la tërë jetën burgjeve dhe internimeve dhe asaj nuk iu lejua të zinte njërin nga shtretërit e onkologjikut, kur u sëmur nga sëmundja e kancerit!

Kur lexuesi të mbarojë së lexuari këtë histori, atëherë do të kuptojë ndryshimin e madh ndërmjet njërit dhe tjetrit. Dhe do të qartësohet, për më tepër, se historiografinë e vërtetë nuk mund ta bëjnë ata historianë, që janë indoktrinuar nga ideologjia mashtruese e Enver Hoxhës.

Disa të dhëna biografike për Lesonën, (1891-1991)

Ishte njëri ndër përgjegjësit më të spikatur të politikës italiane në kohën kur Ahmed Zogu ishte President i Republikës.

Në vitet 1929-1936 ishte nënsekretar për kolonitë italiane. Drejtoi dikasterin në vitet 1936-’37 kur, pas shpalljes së Perandorisë, u emërua ministër i Afrikës italiane.

Ka pasqyruar arsyet e natyrës politike dhe ekonomike për kolonizimin demografik të Libisë, që u realizua nga Kuixhi Raca (Razza) më 1932 dhe veçanërisht nga Italo Balbo, në vitin 1938. Në vitin 1936 ndërtoi një forcë ushtarake të re, por jo të rregullt, “Trupin e policisë koloniale”, i cili u quajt më vonë (1939) “Trupi i policisë të Afrikës italiane”, që njihej zakonisht nën fillestaret PAI (Policia e Afrikës italiane). Ka pasur detyra në dikastere që kishin të bënin me çështjen e Sigurisë Publike. Parregullsia e kësaj force qëndron në atë se ishte nën varësinë e një ministrie civile, siç ishte ajo e Afrikës italiane.

Zyrtar i shquar i burokracisë së dikastereve në vitet më të rëndësishme gjatë luftës në Etiopi, pati një rol të dorës së parë në ndeshjet e atyre viteve ndërmjet politikanëve dhe ushtarakëve, në fillim për veprimet e luftës dhe, më pas, për “paqësimin” e atyre vendeve. Udhëzimet që jepte e paraqesin si një mbrojtës të përpiktë të vendimeve që përftoheshin në qendër. Me Musolinin ishte i një mendjeje për projektet në përgjithësi.

Pas pushtimit të Etiopisë, Lesona ishte kundërshtar i vendosur i mundësisë për një administratë të kolonive, me një qeverisje si ajo e indirect rule (sundimit të tërthortë) britanik, e kërkuar nga mareshali Badolio (Badoglio), por edhe në një formë të afërt nga mareshali Gracianini. Duhej të gjendej një formulë për qetësimin e krerëve tradicionalë vendorë, në funksion të një rregulli politik në trojet e pushtuara nga ana e Perandorisë.

Lesona u kritikua veçanërisht për emërimin e dy nga të pesë guvernatorët e emëruar me nismë të tij, pas fitores mbi Etiopinë, Aleksandër Pircio Birolit dhe Vinçenco de Feos.

Këto dyshime, të cilat u zmadhuan në raportet e karabinierëve dhe nga përdorimi i pushtetit nga ana e të akuzuarit, në mënyrë tepër të shpenguar, e bënë Musolini që ta zgjidhte grindjen, duke e lëvizur Aleksandër Lesonën nga detyra si drejtues i dikasterit, më 19 nëntor të vitit 1938.

Nuk u thirr më për një punë tjetër politike. Zuri një vend në Katedrën e Universitetit të Romës, në degën e Historisë politike koloniale ( pastaj në Historinë e institucioneve në vendet afroaziatike). Kjo detyrë, të cilën e mbajti gjer në daljen në pension, iu dha me cilësimin “për merita të jashtëzakonshme”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›