E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papunësia, jemi të 5-tët në rajon

26/12/2011  Rritet punësimi në privat. Open Data: Turqia ka rritjen më të madhe të papunësisë

Krahasimi, Shqipëria lë pas Maqedoninë, Bosnjën, Serbinë dhe Turqinë

Shqipëria renditet e pesta në rajon sa i përket shkallës së papunësisë. Sipas të dhënave të publikuara nga Open Data, vendi ynë renditet pas Maqedonisë, e cila e ka shkallën e papunësisë 33%, Bosnjë-Hercegovinës me shkallë papunësie 24%, Serbisë e cila e ka këtë tregues në nivelin 17.4% dhe Turqisë me 14%. Ndërkohë pas Shqipërisë ku shkalla e papunësisë është rreth 13,2% renditen Mali i Zi me 11%, Greqia me 9.4% dhe Kroacia me 9.2%. Duke bërë një analizë kohore, vihet re se vendi me uljen më drastike të shkallës së papunësisë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit është Mali i Zi, ndërsa vendi me rritjen më të madhe të papunësisë rezulton Turqia. Sipas ekspertëve, në shkallë e ulët e papunësisë e shtyn një ekonomi më pranë prodhimit potencial të mundshëm dhe rrit mirëqenien e popullatës. Kështu, puna mund të konsiderohet si burimi më pak i zëvendësueshëm. Humbjet ekonomike të shkaktuara nga papunësia vlerësohen më të mëdha se humbjet e shkaktuara nga ineficienca e ndërmarrjeve. Nga ana tjetër, papunësia shoqërohet edhe me kosto suplementare financiare që qeveria i përdor për dhënie ndihme financiare të të papunëve. Zvogëlimi i të ardhurave personale si rezultat i humbjes së vendit të punës, përbën një nga kostot e dukshme të papunësisë. Krahas kostove ekonomike, papunësia shoqërohet edhe me kostot e saj sociale, si zhvlerësim i kapitalit njerëzor, humbje të shkallës së arsimimit dhe aftësimit, ulje të dinjitetit personal dhe vetëvlerësimit, si edhe si rritje të mundshme të kriminalitetit.

Të dhënat sipas sektorëve

Kushtet e tregut të punës raportohen të përmirësuara disi në tremujorët e fundit të 2011-ës, pas stanjacionit në vitin 2010. Sipas Institutit të Statistikave, ky ndryshim pasqyron rimëkëmbjen në aktivitetin ekonomik. Punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 4.3% në terma vjetorë në tremujorin e 1-rë të 2011 dhe vazhdoi të rritet me 6.5% ose 15 689 persona më shumë në tremujorin e 2-të të po këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përmirësimi i punësimit në sektorin privat jobujqësor ka reflektuar kryesisht rritje të numrit të të punësuarve në industri dhe në sektorët e shërbimeve. Këta janë sektorët me performancën më të mirë në aspektin e vlerës së shtuar në rritje. Në të kundërt, treguesi i të punësuarve në sektorin e ndërtimit pësoi një rënie. Totali i punësimit në sektorin privat (me përjashtim të sektorit bujqësor) është rritur me rreth 10,474 persona krahasuar me tremujorin e 2-të të 2010. Në sektorin publik, punësimi ka mbetur pothuajse i pandryshuar nga 3-mujori në 3-mujor, ndërsa gjatë tremujorit të 2-të të vitit 2011 numri i të punësuarve në këtë sektor është ulur me rreth 1,500 persona krahasuar me tremujorin e 2-të të vitit 2010. Numri i personave të papunë gjatë tremujorit të 2-të të vitit 2011, në krahasim me të njëjtin 3-mujor të një viti më parë është ulur me rreth 2 573 persona. Shkalla e papunësisë për tremujorin e 2-të të vitit 2011 ishte 13.26%, duke shënuar një rënie prej 0.17% krahasuar me tremujorin e 1-rë të vitit 2011 dhe rreth 0.52% krahasuar me tremujorin e 2-të të vitit 2010.

Analiza

Duke analizuar shkallën e papunësisë në vite, megjithëse diferenca në shkallën e papunësisë mes meshkujve dhe femrave ka ardhur duke rënë, tregu i punës në Shqipëri reflekton qartazi pabarazinë mes femrave dhe meshkujve. Kështu gjatë viteve 2000-2010, të dhënat administrative për papunësinë tregojnë që kjo diferencë është 5 për qind. Nga burimet administrative për papunësinë, vihet re që numri i të regjistruarve si të papunë pranë zyrave të punës ka pasur një trend në rënie përgjatë viteve 2000-2010. Struktura e papunësisë sipas nivelit arsimor të të papunëve të regjistruar tregon se përqindjen më të lartë e zënë punëkërkuesit me arsim tetëvjeçar, pasuar nga punëkërkuesit me arsim të mesëm. Nga viti 2000 deri në 2010 vihet re që numri i të papunëve që përfitojnë nga skema e pagesës së papunësisë ka ardhur duke rënë dhe shprehur në përqindje ky numër përbën mesatarisht 6.4 për qind të totalit të të papunëve të regjistruar.

Box 6 radhë

Struktura sipas grupmoshave

Nga analiza e strukturës së papunësisë sipas grupmoshave, përqindja e të papunëve të regjistruar të grupmoshës 35 vjeç e lart është më e lartë dhe ka një tendencë në rritje nga viti në vit. Ndërsa përqindja e të papunëve të regjistruar të grupmoshës 15-19 vjeç dhe 21-34 vjeç ka ardhur duke rënë. Një tregues tjetër i tregut të punës është përqindja që zënë të papunët afatgjatë të regjistruar ndaj totalit të të papunëve të regjistruar. Për vitin 2000, të papunët afatgjatë përbënin 89.6% të totalit të të papunëve të regjistruar, ndërsa deri në vitin 2010 kjo përqindje ulet deri në 62.5%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›