Aleksandër Xhuvani dhe gjuha letrare shqipe
Nga Ardian Klosi
Njihet dhe është cituar shpesh një artikull i Aleksandër Xhuvanit (1880-1961)botuar në Albanian e Konicës më 1905, nr. 11, me titull Për themelim të nji gjuhe letrëtare. Për promotorët e gjuhës letrare shqipe të vitit 1972 e cila ato kohë e për disa dekada më pas u quajt gjuha e njësuar shqipe ky artikull ishte gati-gati profetik. Aty studenti 25-vjeçar që po diplomohej për filologji në Universitetin e Athinës, hedh tezën se gjuha e ardhshme letrare e gjithë shqiptarëve do të mbështetet mbi një dialekt dhe ky dialekt duhet të jetë toskërishtja. Shkruan Xhuvani: … këto shëmbëllime tregojnë se edhe gjuha shkrimtare letrëtare qi duëm me krijuë nga nji ligjëronjë [dialekt] ka me dalë nga toskënishtja. Unë në toskënishtet shof ato dukje istoriake, ato ngjarje, atë udhëtim shtëllisjë qi kallzova sipër për gjuhët greqishte, latinishte etj…. shtëllisjet e gjuhësiës sonë… më mbushinë mendjen se toskënishtja ka ma shumë arësye me zanë kryesinë në gjuhët letrëtare të paskëtajshime. Lartësimin e toskënishtes në shkallë të gjuhës letrëtare, vetëm nji arësye, përdorimi saj në ma të shumtat e libravet qi kanë dalë deri tashti, asht mjaft i fort me e ba të nevojshim dhe të kërkueshëm.
Që nga shpirtndritunit dhe të shkëlqyeshmit atdhetarë Sami dhe Naim, të cilët me librat të bukurë dhe të posaçme, gjer në ditë të sotshme shumicat e vepravet shkronjëtorake e letrërtare qi kanë dalë: vjersha, ditare, fletore, të përkohëshme – pëveç ALBANIES – e cila ka programën e bashkimit – shumica shkruhet në dialekt të toskëvet.
Për kryementorin e gjuhës letrare që u sanksionua më 1972, njërin prej hartuesve të rregullave të drejtshkrimit të saj, Androkli Kostallarin, Aleksandër Xhuvani ishte i pari që iu kundërvu idesë së dy a tri gjuhëve letrare. Teza e A. Xhuvanit në thelb ishte kjo …toskënishten lypset me e marrë për themel, mbi të cilin të ndërtojmë gjuhën tonë letrare. Por, mbasi edhe gegënishtja… ka edhe ajo të mirat e saj, atje ku toskënishtja nuk e mbush dot qëllimin, le ti vijë ndifmëtare gegënishtja (A. Kostallari, Vepra e Aleksandër Xhuvanit për gjuhën letrare kombëtare, te: Studime për nder të Aleksandër Xhuvanit, Tiranë 1986, f. 74-75). Vihet re te ky citim që Kostallari normalizon ortografinë origjinale të shkrimit, thekson fjalën themel duke e shkruar me italike dhe lë jashtë në citim një pjesë mjaft interesante të fjalisë së Xhuvanit, pikërisht vendin ku ai thotë: Por mbasi edhe gegënishtja nuk asht për të hedhë tejë (nënvizimi im A.Klosi), sepse ka dhe ajo të mirat e saj…. Në këtë kumtesë që është mbajtur në mars të vitit 1980 Kostallari lë pa përmendur pikërisht atë që ndodhi realisht me vendimet politike-gjuhësore të 1972shit, hedhjen tej dhe ndalimin e gegënishtes.
Është e kuptueshme përse ngrinte ato teza në vitin 1905 gjuhëtari i ri, e përse anonte nga vendosja e toskërishtes në themel të gjuhës së ardhshme letrare; le që ai e thotë edhe vetë në shkrim: përdorimi saj në ma të shumtat e libravet qi kanë dalë deri tashti. Rilindja, apo zgjimi kombëtar i shqiptarëve u frymëzua kryesisht nga botime që dolën prej kolonive shqiptare të Stambollit, Sofies, Bukureshtit, Misirit dhe këto botime ishin në të shumtën e tyre toskërishte, sepse prej Jugut të Shqipërisë vinin vëllezërit Frashëri, sikurse edhe Naum Veqilharxhi, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Petro Nini Luarasi, Çajupi e të tjerë. Jo se munguan shkrimet a vjershat e Pashko Vasës a të Filip Shirokës në ato botime patriotike, vetëm se autorët kryesorë të gegënishtes që ishin Fishta e Mjedja dhe gjithë rrethi i filologëve e dijetarëve, shkrimtarëve të tjerë që dolën prej françeskanëve e jezuitëve të Shkodrës do ta njihnin lulëzimin më të madh në dekadat e mëpasme dhe nuk patën, në vitet kur hidhte Xhuvani këto mendime, atë ndikim që patën poemat e Naimit dhe shkrimet programatike të Samiut. Toskërishtja po tregonte në botime një vitalitet shumë më të madh se gegënishtja, e cila dukej e kufizuar në seminaret dhe shtypshkronjat e Shkodrës.
Gjendja dhe qëndrimi i vetë Xhuvanit do të ndryshonte me lejimin e shkollave shqipe dhe afrimin e pavarësisë së Shqipërisë. Më 1909 ai u bë një nga mësuesit kryesorë të Shkollës së re Normale të Elbasanit që pati për drejtor Luigj Gurakuqin e më pas vetë Xhuvanin për disa dhjetëvjeçarë. Këtu ai jo vetëm që dha mësim për brezat e mësueve të ardhshëm të Shqipërisë e Kosovës, por hartoi edhe një numër librash shkollorë, gramatikash e tekstesh pedagogjike, të gjitha në idiomën e vet të natyrshme që ishte gegënishtja e Elbasanit siç po e vijonte nga mësuesi i vet Kristoforidhi. Krijimi i shtetit të ri, pas një alfabeti të vendosur mbas debatesh të shumta më 1909 në Manastir, kërkoi vetiu drejtpeshimin apo barazdistancën mes dy kryedialekteve, në mënyrë të ngjashme siç kërkoi drejtpeshimin në përfaqësimin e feve në figurat drejtuese. Asnjë koine nuk duhej të ndihej e diskriminuar, asnjë variant letrar nuk duhej të tregonte superioritetin e vet. Një përpjekje e shënueshme për ti dhënë shtetit të ri një gjuhë letrare ishte veprimtaria e Komisisë Letrare të Shkodrës (1916-1918), e thërritur nga Luigj Gurakuqi nën mbrojtjen e komandës austro-hungareze në Shkodër, ku morën pjesë Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani, Maximilian Lambertz-i etj. Kjo komisi vendosi rregulla e norma që më pas, me miratimin e Kongresit të Lushnjës i dhanë së paku administratës së shtetit shqiptar një gjuhë të vetme e të vijueshme që vlejti deri në vitin 1944. Në relacionin e Lambertzit për këtë komisi lexojmë: Çâshtja se cili djalekt i gjallë i Shqipnis âsht mâ i ardhshëm për me vjeftë ndërmjet çdo djalekti të ndryshëm si gjuhë e përbashkme, qe zgidhë prej shqiptarvet të kuptueshëm si ndër kongresat e përparshëm edhe prej komisis letrare ndë Shkodër, tue zgjedhë djalektin e Elbasanit… Marrë thjesht gjuhsisht, djalekti i Elbasanit ase tufa djalektore e Elbasanit ka nji lehtësi shumë të madhe, për me u bâm gjuha zyrtare edhe gjuha arsimore, âsht gjendja e tij qendrore, lehtësija e tij qi afrohet si me gegnishten ashtu edhe me toskënishten… Sepse me diftuem të drejtën djalekti i Elbasanit, po të jetë vullneti i mirë, mund të kuptohet prej nji Shkodrani, gjithë ashtu si prej nji njieriu nga Monastiri, Korça ase nga Gjinokastra… Për me e vû tufën djalektore tElbasanit si ndër zyra ashtu edhe ndër shkolla, piksëpari âsht nevoja qi të botohet ndë ket djalekt nji gramatikë. Nji gramatikë e tillë asht lumtësisht si dorëshkrim, gati, edhe âsht e shkrueme nga dora e Aleksandër Xhuvanit, drejtorit të shkollës normale tElbasanit.
Në fund të relacionit të Lambertzit në protokoll thuhet: Misët e komisis nga diftimet e Z. Lambertzit mbesin fort të kënaqun e i falen nderit me nxehtësi. As prej atë Gjergj Fishtës nuk erdhën kundërshtime: Z. Atë Gjergj Fisha tha, se për në pastë djalekti i Elbasanit nji literatyrë, âsht gadi të bashkohet në kët mendim, edhe tue i paraqitun Z. Gurakuqi shkrimet e Kristoforidhit, atëherë Z. Atë Fishta pëlqeu plotësisht, qi të merret për bazë djalekti i Elbasanit për gjuhë-shkrimi (Laimet e Komisis Letrare Shqipe. Në Shkodër, Nr. 1 Kallënduer 1918 Vjet I).
Ja pra, si kishin ndryshuar shumë gjëra nga viti 1905 në 1917. Xhuvani natyrisht që ndihej mirë në gjuhën e përcaktuar si normë për administratën dhe shkollën e shtetit të ri, për të cilën do të jepte një kontribut të veçantë, me tekste mësimore që i hartonte pikërisht në gjuhën e kultivuar të qytetit të tij. Veçse duhet thënë që përcaktimi i gegënishtes në këtë funksion, nuk se i afroi në dhjetëvjeçarët që do të vinin dy kryevariantet letrare të shqipes; Fishta dhe gjithë dishepujt e tij, Mjedja e krejt autorët e koinesë së S