E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Xhuvani në 130 vjetor

"Shekulli" boton mendime të dijetarit për stilin dhe letërsinë, fjalën e Xhuvanit në varrimin e Fishtës, letër-protestën dërguar "Bashkimit" më 45-ën. Si dhe mendime të Çabejt, Domit dhe Joklit për kontributin e tij në gjuhën shqipe.

Tepër të vështirë e kam të shkruaj për një njeri që e ndjej shumë afër, por që e kam fare pak në kujtesë: tim gjysh nga nëna, Aleksandër Xhuvanin. Kam qenë 4 vjeç kur- jetonim bashkë në një shtëpi dykatëshe në rrugën Jul Variboba - ai vdiq, dhe e mbaj mend turbull vetëm në dhomën e tij të punës, kur më linte ose më duket sot sikur më linte, të luaja mbi qilimin nën tryezën e tij të punës, ndërsa ai shkruante mbi skrivani.


Por ajo tryezë e vjetër, biblioteka e ngarkuar me libra, gjithë fryma e asaj dhome janë nga imazhet më të rëndësishme të jetës sime, nga ato që më kanë shoqëruar gjithmonë e që ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme jam munduar t'i rindërtoj për t'i imituar.
Pjesën tjetër të Xhuvanit e kam mësuar si shumica e shqiptarëve të arsimuar e të kënduar.


Te shkolla, sidomos ajo fillorja, te gjuha që përdor, mënyra e të shprehurit. Kur shkruajmë dhe flasim e mendojmë fare pak që fjalë krejt të zakonshme sot si ndijim, parafytyrim, ndihmesë, përvojë, ndajfolje, bashkëtingëllore, parafjalë, kryefjalë, kallzues, lakim, zgjedhim i krijoi e i futi në përdorimin e përditshëm Xhuvani në përpjekjen e tij për pastërtinë e gjuhës shqipe.


Sikurse pak atdhetarë e filologë të tjerë, puna e tij ishte shumë pak individuale dhe shumë për të tjerët. Nuk njihet si Mjedja për Andrrën e jetës", si Noli për Albumin", si Lasgushi për Vallen e yjeve" dhe Yllin e zemrës" ose si Çabej për Studimet e tij etimilogjike.


Megjithëse botoi një numër librash, për gjuhën shqipe, për pedagjogjinë dhe për shkollën shqipe, për historinë etj., vepra e tij më e madhe u tret në ngritjen e shkollës shqipe, në dlirësimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe, në përgatitjen e brezave të tërë të arsimtarëve që u shpërndanë në të gjitha këndet e Shqipërisë e Kosovës, nga Normalja e Elbasanit, ku ishte drejtor në pjesën më të madhe të ekzistencës së saj.


Prandaj dhe nuk dëshiroj të flas më shumë për të në Ditën e Verës të Elbasanit të tij, ku lindi 130 vjet më parë, por dua që ta lë të flasë atë vetë në shkrime pak të njohura ose të pabotuara, si dhe përmes disa vlerësimesh që kanë dhënë për të kolegë dijetarë filologë.



Fjala e Aleksandër Xhuvanit në varrimin e Gjergj Fishtës
Zotnij të ndershëm


Si vetëtimë u-perhap an'e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t'onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t'auktorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin'e besën e fisit t'onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë.


E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit' e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtû edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit'e Mrrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s'onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare.


Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s'ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit'e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s'onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj.


Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë s'onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t'ona vetëm artin e tij poetik, bukurin'e harmonin'e vargut, rrjedhshmnin'e dlirsin'e stilit e të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.


Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë


Zanat e malevet t'ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t'u-ushqye e për t'u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.


Na të gjithë lavdimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t'i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t'i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në kët dhe, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë.
dhjetor 1940


Letër proteste për mospërfilljen e Sotir Kolesë, gazetës Bashkimi"
Tiranë, më 9/VII/945
Z. Drejtor

Ju lutem të botoni në të ndershmen gazetën t'uej këto mâ poshtë:
U-shkrue më 7 të këtij te NR.165 i Bashkimit" për vorrimin e Sotir Kolesë n'Elbasan.


E vërteta âsht se S.Kolea jo vetëm nuk u-çmue si duhej gjatë jetës së tij plot me aktivitet e patriotizëm, por as nuk i u-banë nderimet e duhuna në vorrimin e tij.


Tue lanë më nj'anë të shkuemen e tij patriotike dhe gjithë punë e studim për gjuhën shqipe, Sotir Kolea ka qenë, si dihet, për nji kohë të gjatë Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, të cilën e rregulloi si âsht mâ mirë, kujdesej për tê me të madhe dhe e ruente si servèr i vërtetë, që të mos prisheshin e të mos humbisnin librat e saj.


Me gjithë këtê, në kohë të Ministris s'Arsimit Faik Shatkos u-qit jashtë nga Biblioteka, pse kishte individualitet në detyrën e tij të ndërgjegjshëme e nuk bante dallkaukllëk, pa i u-shfaqë asnji falnderim për punën me zemër që bante për Bibliotekën. Me qenë se nuk e kishte mbushë kohën e duhun për pension, i dhanë mbasandaj nji rrogë të vogël jetike, 275 fr. në muej, me të cilën me zi e qiste jetesën.


Për tetë vjet që ndejti n'Elbasan tue punue mbi fjalorin e tij e mbi të tjera çashtje të gjuhës, rroi modest, i padukun, larg çdo reklame e dallkaukllëku, vetëm i nderuem e i çmuem prej shokëvet e dashamirëvet të tij, që në këto kohët e fundit i ndifën edhe materialisht, se Qeverija nuk e përfilli aspak, tue e lanë në mjerësi të madhe ekonomike.


Përveç Ministrisë s'Arsimit, shkollavet të qytetit dhe disa organizatave të vendit (pse pjesëtarët e këtyneve u-ndodhën miq të tij), asnji tjetër nderim qeveritar nuk i u-bâ S. Kolesë në vorrimin e tij; dhe sa fort i gëzonte e i donte ai partizanët!


Por populli i Elbasanit, në mes të cilit jetoi kaqë vjet dhe ja çmoi virtytet e tij të nalta, e nderoi sa s'bâhet në banesën e tij të fundit.Jeta e Kolesë âsht nji varg i papremë aktiviteti në fushë t'atdhetarisë e të lavrimit të gjuhës.


Të pakë janë ata që e dijnë jetën e këtij njeriu me karakter dhe individualitet, të këtij patrioti të kulluem e lavrimtari të madh të gjuhës, sikurse duket nga Fjalori i nga morija e madhe e dorëshkrimevet që ka lanë; janë të pakë ata që e kanë njoftë e çmue, se i ndyeri rronte i vetmuem, larg çdo reklame e dallkaukllëku.


Me punën e S. Kolesë âsht për të thanë se prapë rrojmë në nji shekull e atmosferë, ku nuk çmohen vlerat dhe nuk shtihen në numër veteranët, që i kanë vû nga nji gur kësaj Shqipnije.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›