Shoferi vetëvaret në oborrin e spitalit
Avni Kita, 46 vjeç, punonjës i Urdhrit të Mjekut, u gjet i vetëvarur dje në mëngjes në oborrin e spitalit infektiv
Dyshimet e policisë mbi vetëflijimin, lidhen mbi një çështje borxhesh të pashlyera nga viktima
TIRANË- Shoferi i Urdhrit të Përgjithshëm të Mjekut vetëvaret në një prej pemëve të godinës së spitalit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.
Ndërkaq, motivet e ngjarjes mbeten ende të panjohura për policinë ndërsa dyshimet e tyre lidhen me një borxh të konsiderueshëm që viktima kishte dhe nuk kishte mundësi ta shlyente
Avni Kita, 46 vjeç, nga Librazhdi, banues në lagjen Shkozë të kryeqytetit, u gjet dje i vetëvarur rreth orës 6:30 të mëngjesit nga një shofer i këtij spitali. Trupi i pajetë i 46- vjeçarit u vu re nga disa persona që po shkonin në spital mes të cilëve edhe shoferi i spitalit.
Ai menjëherë më pas lajmëroi policinë, ndërsa aty mbërritën efektivë të ndryshëm të Policisë të cilët menjëherë rrethuan vendin e ngjarjes ndërsa nisën hetimin.
Shoferi i vetëvrarë, Avni Kita, babai i një djali pesë vjeçar, mësohet se është parë gjatë orëve të vona të mbrëmjes të lëvizte me automjetin e tij në spitalin infektiv, vendi ku kishte kryer vetëvarjen dhe dyshohet se këtë veprim e ka kryer gjatë mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme.
Por asnjë nga pacientët e spitalit nuk ka arritur që të shikojë veprimet e viktimës dhe ky i fundit ka marrë makinën e tij dhe është afruar tek njëra nga pemët dekorative që ndodhet përpara godinës së Infektivit.
Viktima ka përdorur makinën e tij që të ngjisë litarin në lartësinë e pemës, për t'i dhënë më pas fund jetës. Pema ku kishte vendosur litarin me qëllim për t'u vetëflijuar ndodhej rreth dhjetë metra larg hyrjes kryesore të Infektivit, por veprimi i tij nuk është vënë re nga asnjë person, qoftë nga pacientët, ashtu edhe nga stafi i mjekëve.
Dyshohet se Kita mund të jetë vetëvarur disa orë para se të gjendej në mëngjes nga personeli i Spitalit Infektiv. Sipas punonjësit të gjelbërimit të Infektivit, trupi i pajetë i Avni Kitës ka qëndruar i varur në pemë deri në 7 e 10 minuta të mëngjesit të djeshëm, derisa policia e dërgoi trupin në morg. Sipas tij, askush nuk e ka lëvizur trupin, pasi të gjithë prisnin policinë për të kryer veprimet hetimore.
Nga hetimet paraprake të Policisë së Tiranës mësohet se mbi trupin e 46 vjeçarit me banim në Shkozë nuk kishte shenja dhune dhe pista e hetimeve është përqendruar në vdekjen e ardhur si pasojë e kryerjes së aktit të vetëvarjes. Ndërkohë, personat që gjetën të varur në pemë shoferin e Urdhrit të Mjekut, kur kanë konstatuar se është i pa jetë kanë njoftuar policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 4 për të nisur hetimet për ngjarjen e rëndë.
Pasi kanë bërë këqyrjen e trupit të viktimës, më pas e kanë nisur në morg për t'i kryer ekspertizën mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së shoferit. Në pyetje janë marrë personat që kanë gjetur në mëngjes trupin e pajetë të shoferit. Mësohet se pas identifikimit të viktimës, policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e 46- vjeçarit, ku janë pyetur nëse i afërmi i tyre ka shfaqur probleme ditët e fundit.
Policia e Tiranës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve që e kanë shtyre Avni Kitën t'i japë fund jetës duke u vetëvarur. Burimet e rezervuara të uniformave blu pohuan dje se dyshohet që aktin e vetëvrasjes e ka kryer në kushtet e depresionit.
Ceremonia mortore për Avni Kitën, babain e ve do të kryhet sot në lagjen ku ai banonte, në Shkozë të kryeqytetit. Presidenti i Urdhrit të mjekuit, ku punonte Kita, që prej vitit 1999 thanë se ai njihej si serioz në punë dhe korrekt, por se nuk kishin dijeni mbi shkaqet e mundshme të vetëvrasjes së tij.
Veprimi i tij na ka shokuar të gjithëve dhe nuk di ndonjë arsye se pse mund ta ketë kryer atë akt"- u shpreh dje Abazaj pas vetëvrasjes së 46- vjeçarit Avni Kita