E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alfred Bualoti; Butrinti e do shtetin si bos

Pse banalizohet Festivali i Teatrit në Butrint sa herë vjen fjala për financimin?! Këtë vit mbushen dhjetë vjet nga mbajtja e këtij festivali, por pikëpyetjet për të organizuar këtë veprimtari nga ideatorët e saj ka ardhur duke iu ngushtuar vetëm ana financiare.

Dosja e këtij aktiviteti është nga më unikalet në vend, është e vetmja që nis organizimin në një hark kohor njëvjeçar. Tani kjo dosje është në ministri. Ideatori dhe organizatori Alfred Bualoti nuk dihet për të satën herë ripërsërit që ligji i sponsorizimeve ka dështuar, dhe se sot të dalë një biznesmen për zot është shumë e vështirë - mund të të ndihmojë një vit, por në tjetrin të degradon.

Është bindje e tij, se ndoshta ministri duhet ta prekë vetë me dorë dosjen e Butrintit, për të pasur sigurinë se vendimi i tij të paktën të jetë krejt personal, vlerësues për çfarë ndodh atje me teatrin

Intervistoi: Violeta Murati

Pse banalizohet Festivali i Teatrit në Butrint sa herë vjen fjala për financimin?! Këtë vit mbushen dhjetë vjet nga mbajtja e këtij festivali, por pikëpyetjet për të organizuar këtë veprimtari nga ideatorët e saj ka ardhur duke iu ngushtuar vetëm ana financiare.

Dosja e këtij aktiviteti është nga më unikalet në vend, është e vetmja që nis organizimin në një hark kohor njëvjeçar. Tani kjo dosje është në ministri. Këtë vit trupat që marrin pjesë na tregojnë çfarë ndodh me teatrin sot, eksperimente që as në ëndërr nuk i sjellin dot njerëzit e teatrit në Shqipëri, se sa për vizion ju ka mbetur hija e teatrit të soc-realizmit, ajo e traditës që nuk shkul që nuk shkul rrënjë.

Vetë Butrinti është arsyeja më thelbësore, pse shteti duhet t’i qëndrojë pranë kësaj veprimtarie. Ideatori dhe organizatori Alfred Bualoti nuk dihet për të satën herë ripërsërit që ligji i sponsorizimeve ka dështuar, dhe se sot të dalë një biznesmen për zot është shumë e vështirë- mund të të ndihmojë një vit, por në tjetrin të degradon. Ndaj për Bualotin është serioze që shteti të jetë bos i festivalit. Është bindje e tij, se ndoshta ministri duhet ta prekë vetë me dorë dosjen e Butrintit, për të pasur sigurinë se vendimi i tij të paktën të jetë krejt personal, vlerësues për çfarë ndodh atje me teatrin. Në intervistën e mëposhtme, Bualoti tregon sinqeritet se e gjithë kjo betejë e ndodhur deri më tani, të mos lidhet me emrin e tij, por me një veprimtari të rëndësishme që tashmë ka përfshirë gjithë vendin tonë në një axhendë turistike, atë kulturore.

Jemi në fillim viti dhe ashtu si funksionohet me projektet e mëdha siç është organizimi i një festivali, struktura dihet qysh në fillim viti, pra bëhet fjalë për plotësimin e një dosjeje. Ju ku jeni me këtë përgatitje?

Pyetja është shumë e vërtetë, ne e kemi nisur përgatitjen e dosjes. Kontaktet tona ose si të themi marrëdhëniet e para i kemi qysh me mbarimin e festivalit. Sigurisht dhe pak kohë më tutje, pasi është edhe sezon pushimesh. Që nga muaji shtator e në vazhdim ne jemi në kontakt për të rikonceptuar festivalin e ardhshëm, që fatmirësisht është i dhjeti. Kjo është një shenjë, një jubile, jo i zakonshëm. Kemi bërë më parë një premtim para publikut se donim të arrinim në këto dhjetë vjet të festivalit, në dhjetë spektakle brenda tij. Kjo ishte thjesht ëndrra, dëshira ngasja jonë për të arritur në këto dhjetë vjet një majë të vërtetë reale, siç i takon festivalit të Butrintit.

Por sigurisht që jemi akoma në angazhimet tona, kontaktet tona, dosja është paraqitur në Ministrinë e Kulturës. Dosja është dorëzuar dhe përmban një material konkret të bollshëm së bashku me dosjen e shtypit, preventivat, trupat që pretendojmë të jenë në Festivalin e Butrintit. Sigurisht që në dhjetë vjet së bashku me çmimet që duam të japim me domosdo këtë vit, pasi kemi premtuar disa vjet për t’i dhënë, por nuk kemi mundur. Përpos Ministrisë së Kulturës, do të përplasemi në donacione në sponsorë ku të mundemi që të arrijmë të plotësojmë të gjitha objektivat që i kemi vënë vetes. Këto janë të shkruara, është një dosje voluminoze, e çdovitshme e Butrintit, dhe shpresojmë t’i arrijmë në festivalin e dhjetë. Këtë do ta tregojë vetë zhvillimi i festivalit me çfarë kemi të bëjmë ne.

Marka e festivalit është një ide organizative e Qendrës Mesdhetare të Teatrit. Së fundi është pranë festivalit dhe një grup bashkëpunëtorësh, moderatorë, njerëz të teatrit që ju e keni ngritur si staf - ky organizim për hir të së vërtetës është përmirësuar në vite, sa i takon lobingut konkret, që tashmë jeni permanent, të pakontestueshëm. Po me kaq qëndrueshmëri është edhe financimi i Ministrisë së Kulturës, që ka hyrë në vitin e dhjetë. Çfarë është kjo në kontekstin politik, artistik për festivalin?

Është krejtësisht e saktë çfarë thatë. Pa këtë lobing që përmendet në pyetjen tuaj, sigurisht që Festivali i Butrintit do të kishte jo impaktin që ka sot, do të kishte jo nivelin që ka sot, ndofta do të kishte jo shkëmbimet dhe emrin e madh që ka sot.

Sepse sigurisht, i kërkoi koha, niveli, marrëdhënia, vetë stadi i zhvillimit qoftë të eksperiencave tona, qoftë dhe të ndikimit që patën profesionistët e vërtetë të teatrit dhe të mediave tona në raport me festivalin. Pra, si mund të funksiononte kjo më mirë dhe më saktë në të gjitha drejtimet? Ishte pikërisht kjo shtytje dhe ky kondicion bëri që Festivali i Butrintit, tashmë në këtë permanencë që përmendët më sipër, të ketë një emër shumë të mirë në axhendën ndërkombëtare të teatrit, kudo në Evropë. Për sa i takon subvencionit, një kontekst politik, që është pika më delikate dhe më e diskutueshmja, më e prekshmja nga të thënat dhe të pathënat, nga të saktat e të sajuara, nga të ndikuara ose të pandikuara, por të kthyer në një mjegullnajë, sigurisht bëhet fjalë për subvencionin nga Ministria e Kulturës.

Por, duhet me qenë shumë konkret dhe të hapur në këtë drejtim. Sigurisht që në çdo vend tjetër, nuk po shkoj në Evropë Perëndimore, sepse atje janë shumë më larg nesh, në shumë drejtime, por po flasim për rajonin tonë, i cili ka një eksperiencë më të madhe sesa ne të organizimit të festivaleve të tilla dhe mbështetjes financiare që kanë ato. Duke filluar që nga festivali i Ohrit, me 1 milion euro në sezon, festivali i Sarajevës “Mess Festival” që shkon 800 mijë euro, po shkojmë në Beograd tek Bitef, për të cilin financohen rreth 2 milionë, në Bullgari në festivalin Barna etj. - këto festivale që kanë mbi 40 vjet organizim, e dikush 25 vjet, mbështeten kryesisht nga shteti. Kur them kryesisht nga shteti, do të thotë që mbi 60% të buxhetit ata e marrin nga shteti, se ndryshe nuk mundet që ata të kenë impakt me festivalin, ndryshe nuk janë të garantuar. Pasi sado sponsorët, sado që donatorët të të japin, festivali është një produkt teatror, nuk është një produkt që të kthen monedhën, që të jep në dyfish në darkë.

Përse ky festival duhet të jetë pranë shtetit?

Pikërisht për këtë jam i trishtuar. Ky festival në radhë të parë është festival integrues. Brenda tij ka disa evenimente të mëdha që nuk konvertohen dot në para, në kuptimin e vlerave. Shkëmbimi i kulturave ndërkombëtare, ndër vendet, të ndërsjella në vendet e Evropës dhe më gjerë, është një gjë e jashtëzakonshme, në mënyrë konkrete dhe direkte. Shkëmbimi i shkollave të teatrit të sotëm që i shërben drejtpërsëdrejti artistëve shqiptarë, sidomos atyre të rinjve, të cilët kanë etje të madhe për të kuptuar ku është teatri sot, dhe se çfarë duhet të bëjnë ata në raport me vendin dhe me profesionin e tyre në raport me teatrin. Kjo është një gjë e madhe. Nga ana tjetër, është një shkëmbim i shkollave të mëdha teatrore, që në fund të fundit së bashku me impakt e teatrit sot në Evropë, kemi të bëjmë dhe me shkolla teatrore, pra kontakti me shkollat e mëdha teatrore janë pikërisht në Festivalin e Butrintit. Pra është një marrëdhënie e drejtpërsëdrejti e një turizmi kulturor, ku sigurisht strategjia e shtetit, e fut në përparësi të tij, në axhendën e tij. Në këtë kontekst është në prioritet për të investuar për të. Pra, ky festival investon drejtpërdrejt në turizmin kulturor, kjo është shumë konkrete sepse prurjet janë të mëdha. Sepse njerëzit për të ardhur në brigjet e Jonit dëshirojnë jo thjesht të njihen dhe të kënaqen me rërën dhe me detin. Duan të kenë dhe shumë më tepër impakt me gjëra të tjera që ka ky vend, sidomos i huaji në këtë drejtim. Por edhe turisti i vendit do që të mbushë jetën e tij me evenimente, të cilat nuk janë të zakonshme për të. Pikërisht festivali i Butrintit i ofron këto me një çmim krejt modest, që nuk ka lidhje as me vetë çmimin e biletës - por ama i ofron një gjë, që nuk mund ta përftojë dot në vendin e tij.

Ka një sërë impaktesh të mrekullueshme në raport në atë se pse shteti duhet ta ketë në strategjinë e tij dhe ta mbajë pranë.

Nga një shumë prej 10 milionë lekësh të reja, që është mbështetur në vitin 2000, festivali deri tani ka pasur rënie, kur vjet ju dhatë alarmin se mund të rrezikohej si aktivitet. Për mosfinancimin e festivalit ka qenë prej vitesh një atmosferë jo shumë miqësore dhe nga njerëz të veçantë të teatrit, debate që kanë shkuar deri në konflikte mbi markën e festivalit. Çfarë e shkakton gjithë këtë debat sipas jush, këtë pasiguri të shtetit deri në dilemën e mbështetjes në mënyrë permanente të festivalit?

Do të thosha se shumëkush nuk njihet në mënyrë konkrete, jo vetëm me dosjen e festivalit, por dhe me vetë atë. Kjo është një gjë që nuk duhet të ndodhë. Duke u nisur që nga ky moment, dhe në replikat e fundit që kanë dalë në drejtim të festivalit, apo emrit tim personalisht, kanë qenë nga moskontakti me dosjen dhe me festivalin. Ndoshta është mirë dhe e udhës, që vetë ministri i Kulturës të ketë pranë tij dosjen e festivalit, të shikojë çfarë ndodh me të, të shikojë në mënyrë konkrete çfarë zhvillohet në këtë festival - thjesht në mënyrë të ndershme i sugjeroj që ta marrë në dorë këtë dosje, në zyrën e tij, dhe ta shikojë personalisht që të arrijë në një bindje të tij. Dhe në radhë të dytë, këshilli i kulturës në ministri, kolegët që janë zgjedhur, duke pasur dosjen përpara, duke e parë në mënyrë konkrete dhe dikush e ka parë realisht se çfarë ndodh në Butrint, jemi të bindur se do të dashurohen me këtë festival, jo vetëm në kuptimin e mirë të fjalës, por jam i bindur që do të flasin objektivisht se çfarë i takon këtij festivali.

Vjet pasi u bë debati për rrezikimin e financimit të festivalit, shkrimtari Fatos Kongoli, një prej anëtarëve të këshillit që ju përmendet, ruante të njëjtën rezervë, ashtu siç është thënë në shtyp, duke iu referuar deklaratës së Ministrisë së Butrintit, duhet të ngrejë arkën e vet të financimit. Ndërkohë që përballë pyetjes nëse e kishte parë dosjen e Butrintit u përgjigj “jo”, por kishte dëgjuar fjalët e të tjerëve. Si e komentoni këtë dhe pse nuk jeni në gjendje të krijoni arkën tuaj?

Unë jam plotësisht dakord me konceptin e formimit të një arke, e formimit të një minibuxheti të vazhdueshëm permanent që duhet të ketë jashtë Ministrisë së Kulturës festivali. Këtu nuk ka asgjë të keqe dhe nuk e kundërshtoj, përkundrazi për mua është një gjë shumë e mirë të krijohet kjo. Por, tek ne është krejtësisht e pamundur deri në këto momente që po flasim. Duke filluar që nga ligji i sponsorizimeve, i cili nuk funksionon në Shqipëri, edhe pse është miratuar nga Parlamenti. Edhe pse është e shkruar e zeza mbi të bardhë, dhe pse mundohemi të themi se kemi një ligj sponsorizimi që donatorët dhe sponsorët të reflektojnë karshi tij, ai nuk zbatohet. Ai ka dështuar. Tashmë donacionet tona vetëm e dinë që ky festival është serioz, i mirë, që ka mpakte, ka një njohje dhe thjesht nga miqësia mundohen të të ndihmojnë me ndonjë lëmoshë. Ne nuk kemi një bos që të marrë përsipër që të krijojë shumën, jo të nevojshme, por optimiste për ta çuar më tutje, për ta bërë Festivalin e Butrintit të mos vuajë më kaq shumë, edhe pse Ministria e Kulturës vendos të japë optimalisht shumën e kërkuar ose ta përgjysmojë atë.

Pra, në këtë drejtim është krejtësisht e pamundur që ne ta kemi këtë, sepse në fund të fundit, po të shikojmë dosjen e Butrintit, buxheti i përgjithshëm i festivalit është 40 milionë lekë të reja, me të gjitha parametrat që kërkon ai, dhe ne kërkojmë nga Ministria e Kulturës vetëm një të tretën e kësaj shume, që të mbështetet. Asnjëherë nuk është mbështetur në shumat që kemi kërkuar dhe sigurisht është mbështetur në shuma që kanë menduar ata. Nga ana tjetër, ne kemi bërë një luftë të jashtëzakonshme për të arritur sa të mundet në atë që kërkon Festivali i Butrintit. Dhe sigurisht vjet ishte më e rënda për ne, pasi mbështetja e MTKRS ishte përgjysmë dhe donatorët ishin tepër pak. Ju vetë, si media keni qenë prezent, duke luajtur një rol parësor profesional dhe njerëzve që nuk na kanë lënë shumë të gabojmë siç ka qenë grupi i medias. Disa nga gazetat kryesore kanë qenë pranë festivalit, duke qenë prezente në çdo shfaqje dhe debat, duke sonduar dhe mbi anën financiare të festivalit dhe e kanë shumë të qartë se çfarë ndodh në këtë festival, se sa lekë duhen për të arritur majat, dhe për të thithur trupat, të cilat nuk i kemi kthyer mbrapsht, sepse nuk kemi pasur mundësi t’i afrojmë në festival dhe se sa realisht ne kemi në dorë për ta konturuar festivalin. Në këtë drejtim edhe një herë ngul këmbë që të shikohet dosja e Festivalit të Butrintit, të merret një vendim real në raport me festivalin, sepse ne pikërisht këtë arkë, këtë bos të festivalit, këtë koncern të madh që kemi pranë tij, edhe pse kërkesat tona janë të pafundme. Sepse në fund të fundit është teatër. Ne me dëshirë e kërkojmë ministrinë si mecenat të festivalit, sepse ndryshe do të ishte e pamundur të bëhet pa të, ashtu siç ndodh të paktën me festivalet rreth nesh. Janë të gjithë festivale që mbështeten në përqindjen më të madhe nga shteti.

A mund të na thoni pse banalizohet apo shpërfillet festivali i Butrintit sa herë afrohet problemi i financimit?

Nuk arrij të kuptoj akoma pse tërhiqet shteti, pse duhet të tërhiqet, nga donacioni nga mbështetja që i bëhet këtij festivali? Pse duhet të ketë rol pasiv, kur unë do ta mendoja krejtësisht ndryshe, që shteti duhet të ishte jo vetëm garanti, por zëvendësi jonë për ta formuar këtë me një institucion, me një miniarkë, me një minibord, me një minibuxhet jashtë kësaj. Duhej të ishte zëvendësi jonë për t’iu thënë të tjerëve se sigurisht shteti është gjë e madhe, ku bizneset ndikohen shumë nga ç’raporte ka shteti me këtë aktivitet a me një x aktivitet të madh. Absolutisht ndikohet, sepse na kthehet përgjigjja se çfarë interesi kanë kur shteti nuk të ndihmon. Biznesi na përgjigjet se mund të na ndihmojë në rast se është aktivitet i madh, kurse për ta bërë këtë permanencë është në dorë të shtetit. Ne jo vetëm që nuk kemi marrë një ngritje financimi për këtë festival, sipas nivelit ku ka shkuar, arritur, siç bëjnë dhe analogët tanë, pra gjithnjë rriten raportet subvencionet nga shteti për ato që quhen evenimente të mëdha, siç është Festivali i Butrintit dhe asnjëherë nuk i ulin këto. Sepse interesi më i madh në raport me festivalin është shteti, nuk është donatori apo biznesi privat.

Absolutisht ata do ta degradonin, sipas biznesit nuk i intereson shumë ndodh apo nuk ndodh Festivali i Butrintit. Dhe të mos zhvillohet festivali, me emrin e madh që ka, në raport me Evropën dhe me teatrin është shumë sakrilegj i madh, për vetë shtetin në radhë të parë dhe gjithë këtë komunitet.

Ka zëra se shuma që ju kërkoni për Festivalin e Butrintit është afërsisht sa merr Teatri i Operës për një vit - është paradoks me pretendimin tuaj, që nuk ju favorizon, apo jo?

Kjo është një lloj mossaktësimi në informacion. Sepse janë dy zëra të veçanta. Ne jemi te zërat e projekteve të ministrisë dhe nuk është një zë i mbështetjes për institucionet kombëtare. Shuma e projekteve është deklaruar prej 120 milionë lekësh. Dhe ne sigurisht këtu pretendojmë, për nga rëndësia kombëtare se çfarë vendi zëmë ne me projektet e tjera. Ne këtu pretendojmë. Ne duhet të ballafaqohemi me projektet e ministrisë; çfarë është Butrinti në krahasim me një këngëtar?!

Shpesh është thënë se kemi shumë festivale të teatrit, ndërkohë që zhvillimet e brendshme teatrore janë shumë mbrapa... mund të jetë kjo një arsye pse e injoron Butrintin?

Unë mendoj se edhe festivalet çojnë ujë tek burimi. Nuk është se festivalet bëjnë një gjë që s’kanë lidhje me teatrin. Festivalet sjellin prurje që ndikojnë në një mënyrë a në një tjetër në jetën teatrore shqiptare.

Festivalin e Butrintit do ta veçoja këtu, sepse niveli i saj ka stekën e kampionëve. Nuk mund të hyjë kushdo në Butrint. Në këtë kuptim ka pasur prurje që janë kthyer në refleksione të mëdha për artistët shqiptarë. Për teatrin tonë sidomos ata të rinjtë. Për të ardhur në Butrint duhet të kesh një produksion të mirë. P.sh., një nga arsyet e vendosjes së një vepre nga antikiteti në Teatrin Kombëtar, pavarësisht nga regjisori, niveli, mënyra etj., por ishte pikërisht festivali i Butrintit. Regjisori grek e ka shprehur se erdhi në Shqipëri me objeksionin për të marrë pjesë në Festivalin e Butrintit. Dhe ajo që unë dua të nënvizoj është se impaktin që e pati kjo vepër në Butrint, pra “Trojanët” nuk e pati kurrë në sallën e Teatrit Kombëtar, kjo do të thotë që ky festival rezonoka në mënyrë direkte ose indirekte me atë që quhet sot teatri kontemporan. Nga ana tjetër, pati një kritikë të drejtpërdrejtë se çfarë ndodh sot me antikitetin. Të gjithë duhet të reflektojmë për këtë punë, se ku janë defektet, tek regjia, tek aktori, vizioni përse nuk e pati kjo shfaqje këtë impakt brenda në sallën e Teatrit Kombëtar. Butrinti është shndërruar kështu në një ballafaqim, në një debat, duke çliruar përmes medias, edhe kritikën nga tabutë muzeale. Ndaj Butrinti duhet shfrytëzuar, sepse të gjithë shprehen se kemi një teatër të mrekullueshëm nga të gjitha pikëpamjet. Atëherë kjo skenë duhet të jetë arenë, sepse Butrinti është Butrinti, ai që është atje. Vizitorët njihen me lashtësinë, historinë që është atje, por një nga kryexhevahiret është teatri. Nëse kjo skenë do të mbetet thjesht si një gjë e lënë pas dore, a si një relikte, do të ishte sakrilegji më i madh që do bënim kësaj pasurie. Prandaj nuk ka asnjë arsye për ta injoruar, aq më tepër duke iu referuar festivaleve të tjera. Butrinti është Butrint.

I kthehemi dosjes. Na treguat se do marrë pjesë një trupë pasionante italiane me “Trojanët”, çfarë pretendoni të sillni këtë edicion si ngjarje?

Sivjet kemi një shkollë krejtësisht tjetër italiane nga versioni shqiptar i “Trojanëve”, e cila vjen me nëntë personazhe, me tre meshkuj, me katër vajza, që do të bëjnë “Pasionin e grave trojane”, që do të jetë një laborator krejtësisht tjetër. Ne kemi disa kontakte që besojmë do të na realizohen. Do të kemi një kompani nga Kuvajti, një kulturë arabe që nuk e kemi pasur kurrë, që ka bërë emër shumë të madh sot në Evropë, por edhe në mbarë botën, që është një kompani që na përshfaq “Rikardi III dhe tragjedia arabe”. Kjo është një vepër e cila është shkruar në raport me Rikardin III, nga një djalosh 40-vjeçar me mbiemrin Albasam, që është një nga më të mirët e shkollës angleze, dhe me një trupë të mrekullueshme. Jemi në kontakte dhe shpresojmë t’ia arrijmë, pasi kjo trupë ka nisur turnetë që nga Pekini, Boston, Athinë e kudo. Kemi rënë në kontakt dhe do të jemi të lumtur nëse do të jenë prezentë në festivalin e Butrintit, që do të jetë një nga majat e këtij festivali, sepse ka bërë shumë emër. Ashtu siç do të jetë “Shekspir Theatër” nga Bostoni, me të cilët kemi arritur një kontakt për të qenë pranë nesh. Do të jetë një tjetër version grek sivjet, një danc teatër. “Elektra” do të jetë një danc teatër modern i jashtëzakonshëm që vjen nga Greqia. Kemi parë plot trupa greke që kanë një frymë dhe koncept modern të teatrit të antikitetit, ky është një tjetër version se si trajtohet një danc-teatër me antikitet. Po ashtu është një tjetër version i “Rikardi III”, i zhvendosur në kohën e socializmit të hershëm në Rumani, me teatrin “Bulavra”, që është një teatër i Evropës. Këto janë kontaktet tona të para të drejtpërdrejta.

Si përzgjidhen veprat, si bini në kontakt me këto vepra?

Ne në radhë të parë jemi në kontakt me koordinatorët tanë, ne tashmë kemi një staf brenda stafit që quhen miq të festivalit dhe që janë permanent tashmë. Një nga aktorët më të mëdhenj rumunë, Virgjil Ugosanu, është koordinatori ynë, dhe na ka sugjeruar. Pas kësaj ne kemi në duar kasetën video, dhe çka është më e rëndësishmja dosjen e shtypit. Ajo për ne është vendimtarja, le që nuk vjen asnjë trupë pa këtë dosje. Sepse mund të sjellin një video, e cila sigurisht ka momentet më interesante, dhe për një moment të prishet mendja. Nuk është si rasti i Leçes që ne e kemi parë shfaqjen, që e sjellim me kënaqësi në festival, pra dosja na flet çfarë shkruan kritika për trupat. Por nuk mund ta bëjmë këtë me të gjitha shfaqjet për të shkuar vetë sepse nuk kemi buxhet, atëherë pikërisht është DVD-ja dhe dosja e shtypit, si dhe kontaktet me koordinatorët tanë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›