E Diel, 1 Nëntor 2026

Alfred Mane: Menaxherët, Godard i Uest Hemit dhe Myler i Kelnit ne Shqipëri-Holandë

"Boom" menaxherësh të huaj në "Qemal Stafa" për takimin Shqipëri-Holandë, i programuar në datën 12 shtator (ora 20:45). Në këtë ndeshje, ku do të luajnë për "tulipanët" e Van Bastenit, disa nga lojtarët më të mirë e klubeve më të mirë në botë, vëmendja e ekspertëve të marketingut të "këmbëve" do t'u kushtohet tërësisht futbollistëve shqiptarë. "Në Tiranë, më 11 shtator, do të vijnë për të ndjekur takimin Shqipëri-Holandë, dy menaxherë të njohur, - tha për "Albania"-n, menaxheri shqiptar i FIFA-s, por i licencuar nga Federata Gjermane e Futbollit, Alfred Mane. "Anglezi Xhon Godard, i cili punon për Uest Hemin dhe gjermani Stefan Myler, shefi i zbulimit të talenteve, te klubi i Këlnit, e pranuan me kënaqësi ftesën time, të bërë gjatë takimit miqësor Angli-Gjermani, për të parë takimin Shqipëri-Holandë dhe vëzhguar disa lojtarë të kombëtares shqiptare", - shtoi Mane, i kompanisë "Alfa Sport Management', me qendër në Bon dhe i njohur në ambientin gjermane për lidhjet e tij të fuqishme, ku i vecantë është raporti i tij me "kaizerin", Franc Bekenbauer, por dhe me futbollistë të mirënjohur, përfshirë Ronaldinjon e deri te Olvier Kahn, duke mos harruar marrëdhëniet e tij të ngushta me lojtarët shqiptarë që luajnë në Gjermani, si Fatmir Vata e Stefan Müller Ervin Skela."Paraqitja e pëlqyeshme e Shqipërisë kundër Anglisë B në takimin e muajit maj në Bërnli dhe transferimi i Besart Berishës në Championship, ka nxitur edhe me rekomandimin tim, interesimin e Godard, një specialisti të njohur të futbollit, për futbollistët shqiptarë", - pohoi menaxheri shqiptar. Përfaqësuesja e Shqipërisë ka tre lojtarë që luajnë në Bundesligën 1 gjermane, mesfushorin Altin Lala, fantazistit Ervin Skela dhe sulmuesin Edmond Kapllani. "Menaxheri gjerman Stefan Myler vlerëson faktin e rritjes së Shqipërisë në futboll, madje ka qenë një nga miqtë e Hans Peter Brigelit dhe njëherësh ka marrëdhënie personale me Pier Litbarskin. Edhe pse zyrtarisht merkato verore është mbyllur në të gjithë Europën, më 31 gusht, Myler dhe Godard, përvec takimit të Kombëtares, do të ndjekin një ose dy ndeshje të Kategorisë Superiore, pasi do të qëndrojnë në Shqipëri deri më datën 16 shtator", - dha të tjera detaje, Alfred Mane, i cili do të shoqërojë edhe dy menaxherët e huaj, gjatë gjithë ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri.
Në listën e lojtarëve të thirrur nga Baric për ndeshjen kundër Holandës janë disa futbollistë interesantë. Për Armend Dallkun dhe Debatik Currin është folur edhe më parë për një interesim të klubeve gjermane, ndërkohë qe edhe mbrojtësi i talentuar Kristi Vangjeli, i cili mbuloi me sukses Majkëll Ouenin në ndeshjen kundër Anglisë mund të përfundojë në shënimet e Godardit.
(Ne foto Franc Bekenbauer dhe menaxheri shqiptar, Alfred Mane)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›