Ali Halimi, kandidat i VETËVENDOSJE!-s për Kryetar të Komunës së Shtërpcës

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Shtërpcë, sot në një konferencë për media ka shpallur Ali Halimin, kandidat për kryetar të Komunës së Shtërpcës. Ali Halimi, me këtë rast, falënderoi aktivistët e Qendrës së Shtërpcës, për besimin që i dhanë.
Duke folur për gjendjen e rëndë ekonomike në këtë komunë, Halimi tha se Shtërpca ka nevojë për një qeverisje ndryshe. “Shtërpca ka nevojë për Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje!. Ka nevojë për një administratë profesionale, joneglizhente, të pakorruptuar dhe jonepotiste. Qytetarët e Shtërpcës kanë nevojë për ujë të pijshëm. Bujqit e Shtërpcës kanë nevojë për subvencione. Shtërpca ka nevojë për mbrojtjen e resurseve të saja pyjore, të cilat po shkatërrohen nga prerësit ilegalë, e mbi 50% e të cilave menaxhohen nga strukturat paralele të Serbisë”, tha Halimi.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, tha se me 3 nëntor në Shtërpcë do t’i kemi ndryshimet e nevojshme dhe të domosdoshme, të cilat shprehen jo vetëm në aspektin socio-ekonomik, por edhe atë politik e institucional, sepse dihet që Republika e Kosovës, si shtet, nuk është plotësisht e shtrirë në këtë komunë dhe vazhdon të sfidohet nga strukturat ilegale e kriminale të Serbisë. “Kjo është arsyeja se pse këto zgjedhje të brendshme të Lëvizjes për kandidat për kryetar komunë e kanë një rëndësi të jashtëzakonshme” tha Kurti, duke shtuar se zgjedhja e Ali Halimit është e drejtë dhe e mirë për Komunën e Shtërpcës. /Indeksonline/