E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Alibeaj: Çoroditja e opozitës, në përfitim të Ramës! Të martën çojmë në “Kushtetuese” Bordin e Transparencës

Kryetari i Grupit Parlamentar i PD Enkelejd Alibeaj sugjeron se Partia Demokratike duhet të lejë pas konfliktet e së shkuarës dhe të bashkëpunojë në emër të interesit qytetar. Sipas tij çoroditja e opozitës ka sjellë përfitimin e Edi Ramës.

“1 vit më parë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një paketë të plotë për kontrollin e pastërtisë së figurës dhe integritetit të zyrtarëve të lart. Duke përfituar edhe nga çoroditja e opozitës, Edi Rama e ka mbyllur atë në syrtar, duke mos lejuar avancimin e kësaj reforme të shumëpritur nga qytetarët.

Shqipëria ka nevojë emergjentë për drejtësi, shqiptarët janë të etur për llogaridhënie. Pandëshkueshmëria, paprekshmëria e qeveritarëve, zyrtarëve të lart, bizneseve pranë tyre dhe krimit të organizuar janë arsyeja e vetme pse shqiptarët sot kanë humbur shpresën dhe besimin. Tanimë është koha që SPAK të veprojë dhe të mos ketë më asnjë alibi. Ne do të mbështesim cdo propozim që e forcon SPAK, që çon përpara zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe shmang kapjen politike të drejtësisë”, tha Alibeaj.

Alibeaj e konsideron Bordin e Transparencës abuziv, ndaj ai njofton se të martën Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do të çojë të martën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e tij.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka përgatitur dhe ditën e nesërme do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shfuqizimin si antikushtetues të dy ligjeve mbi bazën e të cilave funksionon Bordi i paracaktimit të çmimit të naftës, benzinës dhe gazit”, tha Alibeaj.

Alibeaj prezantoi prioritetet e grupit demokrat të cilat do të fokusohen në tre shtylla kryesore të cilat janë, Reforma legjislative, Mbrojtja e interesit të qytetarëve dhe Kontrolli parlamentar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›