Alibeaj: Komisionet nuk janë përdorur për të trembur harabelkat delikate të prokurorisë, presidencës, medias apo opozitës
Flet kryetari i Komisionit hetimor parlamentar për veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së dhe anëtari i komisionit hetimor për 21 Janarin. Kundërshtimi i opozitës për të hetuar Spahiun nuk mallëngjen askënd. Komisioni është i vonuar, por vetëm tani u kuptua përmasa e shkeljes së ligjit, thotë ish-ministri i drejtësisë Alibeaj. Deputeti demokrat që është antar i komisionit të hetimit të 21 Janarit thotë se deputetët e tij nuk janë përdorur për të trembur harabelkat delikate të prokurorisë, presidencës, medias apo opozitës. Berisha President? Ka vetëm një pengesë për të kapërcyer. Veten e tij. Kushtetuta nuk e ndalon zgjedhjen e tij në krye të shtetit, thotë Alibeaj
Nga Lorenc Vangjeli
Komisioni parlamentar hetimor për nënkryetarin e KLD-së u ngrit me gjithë kundërshtimin e opozitës që akuzon për mungesë morali në këtë nismë dhe mbi të gjitha, për mospërputhje me ligjin. Si e komentoni ju aktin tuaj?
Përgjigjen po e jap në dy plane, qoftë juridik, qoftë politik. Juridikisht ky komision e gjen mbështetjen e tij në Kushtetutën e Republikës, në ligjin për komisionet hetimore, në rregulloren e Kuvendit, në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe në ligjin për KLD. I gjithë ky shtrat normativ parasheh mundësinë që Kuvendi, si organ emërtese, ka të drejtë jo vetëm të zgjedhë të deleguarin e tij pranë KLD-së, porse, me të njëjtin moral, ka të drejtë që, nëse ekzistojnë strikt rastet ligjore të respektimit të pozitës juridike, edhe ta revokojë këtë përfaqësim. Mundësia e shkarkimit të një funksionari kushtetues, qoftë ky edhe anëtar i KLD-së, është mëse evident në Kushtetutë. Nga analiza formulës së kompozimit të KLD-së, vërehet se pushteti ekzekutiv ka një përfaqësues, pushteti legjislativ ka tre përfaqësues dhe pushteti gjyqësor ka dhjetë përfaqësues. Kjo formulë dëshmon qartë qëllimin e Kushtetutës që të konfigurojë KLD-në si një organ kolegjial, i cili sintetizon, bashkëveprimin dhe ndërveprimin e tre pushteteve. Kjo është edhe ratio e kompozimit të KLD-së. Secili nga pushtetet të ketë mundësinë të përçojë frymën, zërin, shqetësimet, problematikën dhe sensibilitetet respektive në këtë organ. Duke respektuar ndarjen e pushteteve, (ruhet predominanca e pushtetit gjyqësor), por edhe balancimin e tyre.
Eshtë fare lehtë e kuptueshme se anëtari i KLD-së (i zgjedhshëm), teksa votohet dhe përzgjidhet nga organi i emërtesës, vlerësohet dhe mandatohet për marrjen përsipër të barrës, për të përcjellë, frymën, sensibilitetin dhe porosinë ligjore të organit të emërtesës. Ministri i Drejtësisë, padyshim paraqet atë çfarë pushteti ekzekutiv ndjen se duhet ndryshuar apo përmirësuar në sistemin e drejtësisë. Te zgjedhurit e Kuvendit janë ata që përçojnë sensibilitetet se çfarë Kuvendi duhet të përmirësojë në veprimtarinë e sistemit gjyqësor nëpërmjet funksionit ligjvënës. Dhjetë përfaqësuesit e sistemit gjyqësor, duhet të tregohen deri edhe fanatikë në mbrojtjen e vlerave të pavarësisë, paanësisë, meritokracisë, dhe asaj çfarë ata kanë premtuar tek zgjedhësit e tyre gjyqtarë në konferencën gjyqësore. Pra mandati i të zgjedhurve në KLD është qartësisht një mandat përfaqesues, që i nënshtrohet vlerësimit dhe testimit të ditëpërditshëm të trupës që i ka zgjedhur. Pavarësia dhe paanësia e vetë KLD-së si organ kolegjial, arrihet nëpërmjet dialektikës së brendëshme të këtyre tre rrymave apo flukseve që përfaqësojnë ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin. Secili nga pushtetet ka të drejtën të kontrollojë nëse përfaqësuesie e tyre pranë KLD-së, po mbrojnë apo jo interesat e tyre. Nëse jo, atëhere ka të drejtë të revokojë këtë mandat përfaqësimi. Kjo është ajo çfarë thotë Kushtetuta.
Politikisht, do të sqaroja se mosmarrja pjesë në këtë komision është mungesë e moralit politik. Është mungesë e marrjes përsipër të përgjegjësive politike që një grupim partiak ka ndaj qytetarëve. Të marrësh pjesë në komision nuk do të thotë të bëhesh pjesë e ndonjë loje të ndyrë, të vogël, të pamoralshme politike. Jo! Të marrësh pjesë në komision është përmbushje e detyrës institucionale në Kuvend, është funksionim normal i mekanizmit të kontrollit parlamentar, është normalitet i veprimtarisë kushtetuese. Funksionari, nëse gjendet se duhet shkarkuar, nuk e pëson këtë fat për shkak të komisionit hetimor, por për shkak të fakteve, sjelljeve dhe rrethanave të shkaktuara nga ky funksionar dhe të verifikuara nga komisioni.
Gjithsesi, pak rëndësi ka çfarë thotë opozita. Më vjen keq që arrij në këtë përfundim, porse sjellja e opozitës ka bëre që të zhvlerësohet dhe të mos merret seriozisht qëndrimi i grupimit opozitar tashmë në arenën politike, për shkak të mungesës së arsyes politike në sjelljen e saj. Tashmë qëndrimet opozitare, nuk mallëngjejnë asnjë dhe nuk përbëjnë temë diskutimi.
Aktiviteti i nënkryetarit të KLD-së ka nisur që prej pothuaj një viti, pse vetëm tani vendosët ngritjen e këtij komisioni?
Më duhet tju jap ndoshta pakëz të drejtë. Jo për tu justifikuar, porse vetëm tash, është kristalizuar qartë, se çfarë dimensionesh i ka dhënë aktivitetit të tij ky funksionar, çfarë orientimi publik, sa intensiv e ka, dhe çfarë është më kryesorja, se tashmë, përkundrejt përkushtimit total ndaj kësaj veprimtarie, është lënë totalisht pas dore detyra kushtetuese që ka. Duhet pakëz kohë gjithsesi derisa të krijohet kjo masë kritike e kësaj psikoze masive mbi padyshueshmërinë e natyrës së veprimtarisë së tij. Gjithsesi, përsëris që pakëz vonesë edhe ka, porse u gjykua që ndonjë hap i shpejtuar, do të mund të krijonte ndonjë gjurmë sado të vogël për cenim dhe ndërhyrje në pushtetin gjyqësor. Tashmë jo, tashmë nuk ka asnjë dyshim që ngelet veçse të shpëtohet pushteti gjyqësor nga rrënimi moral që po i kanoset me fenomenin e mësipërm.
Ka një përplasje mes dy aktorësh politikë, Presidentit të Republikës dhe një anëtari të kabinetit qeveritar për hartë çmimesh në emërimet në gjyqësor. Sa normale, sa politike është një gjë e tillë, sepse ndër këto dy qëndrime të kundërta, me siguri mund të thuhet që një nga palët ka konsumuar vepër penale?
Është tërësisht normale që të ketë këndvështrime të ndryshme në demokraci. Është normale që të ketë pikëpamje deri edhe antietike. Eshtë normale që edhe përplasje të ketë. Është tërësisht anormale që të ketë fenomene të tilla si ai i pagimit të parave përkundrejt emërimeve apo promovimeve në sistemin gjyqësor dhe jo vetëm. Nëse një anëtar kabineti e ka thënë këtë besoj se ka pasur edhe faktet e nevojshme për këtë, ashtu si edhe një sërë dokumentesh të ekspertizës monitoruese europiane kanë treguar. Është nevojë imediate të mos heshtet për të tilla fenomene. Është sjellja e duhur politike që duhet instaluar si frymë. Heshtja në këto raste do ishte vrastare. Është e nevojshme të gjendet kurajoja civile për ta deklaruar së paku. Ju thoni se me siguri njëri nga dy qëndrimet ka konsumuar vepër penale?