Rriten çmimet e gazit dhe siguracionet për makinat, buxheti rrezikon të shkojë për të blerë drita
Çfarë viti i vështirë ky i sivjetmi! Jo sepse në fund të tij parashikohet sipas kalendarit Maja fundi i botës, por sepse realisht në fund të tij mund të kemi një shkatërrim të financave shqiptare.
Normalisht ky për qeverinë është një vit elektoral, ndaj do të synojë të bëjë çështë e mundur që të fitojë votues, por ka dy probleme të mëdha. E para është kriza e dritave. Fondi i emergjencës është prekur për të blerë energji, por me shumë gjasë qeveria pritet të ndërhyjë edhe në buxhet për dritat. Kjo do e bëjë të vështirë që të realizohen disa investime, mjaft të domosdoshme për qeverinë në këtë vit elektoral. Në të dy rastet qeveria është e kapur mat.
Problemi i dytë është ai i çmimeve. Vetëm sot është lajmëruar për rritje të çmimit të gazit, ndërkohë që raportohet për dyfishim të çmimeve për siguracionin e makinave. Rritja e ndjeshme e çmimit të karburantit ka bërë që shumë njerëz të heqin dorë nga makinat e tyre. Po ashtu Banka e Shqipërisë thotë se shqiptarët konsumojnë më pak, bankat japin më pak kredi. Një sektor i rëndësishëm, ai i ndërtimeve është duke ecur shumë avash. Mundësitë janë që ky vit me rritjen ekonomike 0.5 përqind të jetë nga më të zinjtë në Shqipëri prej një dekade. Zgjidhja e qeverisë është që të hedhë në erë gjithçka dhe të largohet duke lënë pas një shkretëtirë financiare.