E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Alibeaj: Marrëveshja për Portin e Durrësit shkel Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit

Grupi parlamentar i PD-së shprehet se Marrëveshja për Portin e Durrësit është në shkelje të Kushtetutës, por edhe neneve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Deklarata në emër të grupit u bë nga kryetari i saj, Enkelejd Alibeaj, gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, në seancën plenare të së enjtes së kaluar, deputetët e PD-së kërkuam me forcë transparencë të plotë për marrëveshjen e Portit të Durrësit dhe një ditë më pas Kuvendi u vuri në dispozicion dokumentacionin e kësaj marrëveshje.

Alibeaj nënvizon se nga studimi që deputetët e grupit parlamentar të PD-së, së bashku me ekspertët, kanë konstatuar shkelje kushtetuese dhe ligjore.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e firmosur në vitin 2006 dhe hyrë në fuqi në vitin 2009, sanksionon se çdo ndihmë shtetërore që shteti shqiptar i ofron sipërmarrjeve të caktuara, e cila shtrembëron apo dëmton konkurrencën, është në kundërshtim me këtë Marrëveshje. Përcaktimi me ligj të posacëm i të drejtave dhe privilegjeve që një sipërmarrje private përfiton për realizimin e një projekti publik, përbën një shkelje flagrante të MSA-së. Lidhur me praktikën e ligjeve speciale, Komisioni Evropian është shprehur në dy raste, ligji për Teatrin Kombëtar dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke konstatuar se përcaktimi me ligj i operatorëve që përfitojnë kontrata publike është në shkelje të detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të MSA-së. Në rastin konkret, pa asnjë lloj gare, konkurrence apo transparence, qeveria shqiptare ka përcaktuar sipërmarrjen private që gëzon të drejtën për të zhvilluar projektin e portit të Durrësit.”- deklaroi Alibeaj.

Sipas tij, në për rastin në fjalë kemi edhe shkelje të nenit 11 dhe 18 të Kushtetutës, pasi Kushtetuta garanton lirinë e veprimtarisë ekonomike, ku përfshihet edhe konkurrenca, dhe mbrojtjen në mënyrë të barabartë të pronës publike dhe private me ligj.

Alibeaj nënvizon se në rastin konkret, rezulton se jo vetëm është cënuar liria e veprimtarisë ekonomike dhe konkurrenca, por edhe mbrojtja që duhet të gëzojë prona publike. Kushtetuta përcakton se kufizimi i kësaj lirie mund të bëhet vetëm me ligj dhe për interesa publikë.

“Pra, kufizimi i kësaj mbrojtje që ofron Kushtetuta mund të ishte e lejueshme vetëm për sa kohë është përcaktuar me ligj dhe bëhet për interes publik. Siç do të shohim në vijim, është e qartë se në rastin konkret nuk mbrohet interesi publik, përkundrazi cënohet rëndë. Ndërkohë, përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe kontributi në strehimin social, është një trajtim i diferencuar që diskriminon padrejtësisht të gjithë ndërtuesit e qytetit të Durrësit, të cilët për zhvillimin e një projekti ndërtimi janë të detyruar t’i paguajnë këto detyrime.”- theksoi kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Sipas tij, edhe për aspektin e leverdisë ekonomike, pyetje që me të drejtë mund të ngrejë çdo qytetar, është se cila është leverdia ekonomike që ka shteti shqiptar për realizimin e këtij projekti?

Alibeaj shprehet se për të kuptuar leverdinë, do të na duhet të kuptojmë se çfarë ofron shteti shqiptar dhe çfarë merr në këmbim?

“Nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se shteti shqiptar, nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 (628.45) milionë Euro. Ndërkohë, sipas biznes planit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje. Një mënyrë tjetër për të vlerësuar leverdinë ekonomike, mund të ishte duke parë praktikat që ndjek çdo pronar toke që ofron për zhvillimin pronën e tij. Në kontrata private, pronari i tokës merr të paktën 30% të sipërfaqes ndërtimore, çka në rastin konkret do të nënkuptonte që shteti do të përfitonte 612 milionë euro vlerë ndërtimi. Edhe në këtë rast rezulton se diferenca është 332 milionë euro më pak. Qartazi pra, shteti shqiptar nuk ka asnjë leverdi ekonomike nga kjo marrëdhënie kontraktuale.”- thekson Alibeaj.  

Sipas tij, kryeministrin dhe ministrat të mburren shpesh se po sjellin në Shqipëri një nga investitorët më të mëdhenj të Emirateve të Bashkuara, por pyetja që mund të ngrihet me të drejtë është: cila është arsyeja që një projekt i tillë i jepet një kompanie të regjistruar në off-shore? Pse kompania ndërkombëtare Emmar nuk ka ardhur vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri, por nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Ishujt Kajman?

“Edhe këto janë pyetje që mbeten pa përgjigje. Emri i kësaj kompanie me reputacion ndërkombëtar, jo vetëm do t’i jepte siguri realizimit të këtij projekti, por do të ishte një markë e mirë për të garantuar suksesin e projektit në praktikë. Ndërkohë, nuk mund të mohohet rreziku që ekziston për pastrimin e parave nëpërmjet kompanive të regjistruara në parajsa fiskale, aksionarët e të cilës mbeten enigmatikë. Pra, shteti shqiptar nuk do të ketë asnjë informacion se si do të ndryshojnë aksionarët e kompanisë mëmë. Është fakt se sipërmarrësi privat ka ofruar vetëm 80 mln euro nga kapitalet e tij dhe 80 mln euro nga kreditë bankare, pra në total 160 mln euro, ndërkohë që paratë e tjera thuhet se do sigurohen nga borxhe, kredi apo investime nga të tretë dhe shitjet në fazë projektimi. Se kush janë këta të tretë mbetet e paqartë, por nuk është i largët skenari që pastrimi i parave që po bëhet sot në kullat e Tiranës, të përsëritet në rastin e portit të Durrësit.”- deklaroi Alibeaj.  

Sipas Alibeajt, marrëveshja përcakton se shteti shqiptar do të ketë 33% të kompanisë së re që do të krijohet, ndërsa sipërmarrësi privat 67%, por ajo që mbetet e pasqaruar është se si është bërë kjo ndarje aksionesh, në një kohë që siç kemi shpjeguar më pare, shteti shqiptar ka ofruar 630 milionë euro, ndërsa sipërmarrësi privat do të ofrojë vetëm 160 milionë euro.

“Nga ana tjetër, thuhet se fitimi i shtetit shqiptar do të vijë nëpërmjet dividentit, pra ndarjes së fitimeve, por duke qenë se jetojmë në Shqipëri dhe skemat me kompani publiko-private që dalin vazhdimisht me humbje nuk janë të panjohura, si do të garantojë shteti që kompania nuk del çdo vit me humbje dhe shteti nuk fiton asgjë. Skemat janë të njohura: marrja e kredive dhe borxheve në shuma të larta, nënkontraktimet me fatura të fryra tej logjikës ekonomike dhe shpërndarja e fitimit nëpërmjet pagave marramendëse të stafit. Megjithëse pra, se në teori thuhet se shteti mund të fitojë 280 mln euro nga ndarja e fitimeve, mundësitë janë të mëdha që shteti të mos fitojë asgjë, pasi kompania do të dalë çdo vit me bilanc negativ.”- nënvizon kreu i grupit të PD-së. 

 Alibeaj thekson se i gjithë ky projekt, i cili do të ketë një impakt të madh ka kaluar në mungesë totale të transparencës me qytetarët dhe publikun dhe ndërsa  deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur informacion lidhur me zhvillimin e këtij projekti, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), e ka refuzuar dhënien e informacion me pretendimin absurd të ruajtjes së konfidencialitetit.

“Çfarë ndodh me portin aktual? Ajo që mungon në dokumentacion e sjellë dhe nuk thuhet asgjëkundi është se si do të realizohet transferimi i portit të Durrësit në Porto Romano? Cfarë kosto ka ky transferim? Kush i përballon këto kosto? A do të sjellë kjo kosto të rritura për qytetarët dhe bizneset? Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto pyetje, por ajo që dihet është se vetëm projekti ka kushtuar 10 mln Euro, ndërkohë që zëra të pavarur ekspertësh thonë se transferimi i portit në Porto Romano mund të kushtojë deri në 1 miliard Euro. Pra, kush i merr përsipër këto kosto dhe a i ka kalkuluar qeveria shqiptare këto kosto shtesë për realizimin e projektit të Portit të Durrësit? Krahas asaj që e përmendëm më lart, pra shteti ofron 630 milionë euro pasuri dhe të drejta, shteti do të përballojë kosto e transferimit, kostot e shpronësimeve, kosto e shërbimeve ligjore dhe kosto e depozitimit të mbetjeve. A ka një përllogaritje të të gjitha këtyre kostove dhe nëse po, cila është leverdia ekonomike nga realizimi i këtij projekti? Asnjë pronar privat toke nuk do të pranonte të hiqte dora nga prona e tij në mënyrë që të dilte me humbje. Si është e mundur atëherë që këtë e bën pronari shtet? Pyetjet dhe paqartësitë e mësipërme meritojnë një debat të gjërë publik dhe parlamentar, në mënyrë që të merrnin përgjigje shteruese. E megjithëse ka kaq shumë pyetje dhe kundërshti, qeveria ka zgjedhur ta kalojë këtë projektligj me një diskutim minimal 2-ditor. Është e qartë se kjo përpjekje e qeverisë ka për qëllim që të kalojë pa debat, pa transparencë, pa llogaridhënie një projekt në kundërshtim me Kushtetutën, MSA-në, ligjet shqiptare dhe interesin publik.”- theksoi Alibeaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›