E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Alibeaj: PD do e shoh Serbinë vetëm me sytë e Kosovës! Balla: Duhet të kishim mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së

Në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë, kreu i grupit të PD, Enkelejd Alibeaj tha se PD ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë në krah të Kosovës. Alibeaj u shpreh se OPD do e shohim Serbinë gjithmonë me sytë e Kosovës, ndërsa shtoi se dëshiron që dy popujt të gjejnë gjuhën e dialogut dhe paqes mes tyre.

“Sot në këtë kuvend është mbledhur kombi. Në çdo rast PD do e shoh Serbinë vetëm me sytë e Kosovës. PD është për paqe mes dy popujve, por ne qëndrojmë krah fjalës që thotë Kosova. Partia Demokratike është e përcaktuar në qëndrimin se dhe një ndër çështjet më delikate në rajon, siç është ai i i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka të gjithë mbështetjen tonë për t’u zgjidhur ne dialog. PD ka votuar e mbështetur pa asnjë dilemë, çdo nisme që shkon në mbështetje apo me pjesëmarrjen e Kosovës. Kemi mbështetur mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe kemi kërkuar që marrëveshjet të implementime në terren në mënyrë aktive e të mos mbeten në letë”, tha Alibeaj.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se Shqipëria dhe Kosova duhet ta kishin mbrojtur shkëlqimin e merituar të fitores dhe pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës, ku ish krerët e saj sot janë në burgjet e Hagës ku kanë qenë edhe kriminelët e gjenocidit.

“Kështu si sot Adem Jashari do të donte të na shihte shpesh ne përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe ndoshta do të na qortonte për çkujdesjen tonë për të mbrojtur shkëlqimin e merituar të fitores dhe pastërtinë e luftës çlirimtare. Sepse, ndërsa ne i gëzoheshim fitores dhe shpalljes së pavarësisë, të tjerët, humbësit bashkë me aleatët e tyre u kujdesën mjeshtërisht që të njollosnin tinëz, luftën e ndritshme çlirimtare. Qëndresa paqësore, beteja e drejtë për liri dhe demokraci e popullit shqiptar të Kosovës dhe valët biblike njerëzore që i iknin kasaphanës, vunë në lëvizje botën demokratike me një reagim të vendosur. Reagim që erdhi pas operacionesh barbare ushtarake spastrimesh etnike, që sollën si rezultat zhvendosjen e qindra mijëra civilëve, gjysmë milioni vetëm këtu në Shqipëri. Por Monumenti i Errësirës, nuk mbaron me kaq! Sepse sot, komandantët e UCK-së mbahen të arrestuar, në të njëjtin burg, sikur ata që urdhëruan masakrat në Kosovë, Srebrenicë e gjetkë, mbi bazën e disa akuzave të paqena, të një raporti dhe një rezolute turpi, për ata që e shkruan dhe ata që e votuan. Ne shqiptarët i jemi gjithmonë mirënjohës komunitetit ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë SHBA-ve, të cilët morën përgjegjësinë dhe na erdhën në ndihmë” tha Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›