Refuzimi i lejes, Berisha: Vendim nul, tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi! Protesta do jetë madhështore

Kryetari i Partisë Demokratike, zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha, tha se protesta e 6 dhjetorit do të mbahet, pa cenuar sigurinë e liderëve të Bashkimit Evropian. Ndonëse Policia e Shtetit refuzoi mbajtjen e protestës, në një komunikim me qytetarët në rrjete sociale, Berisha e konsideroi nul këtë refuzim, ndërsa shtoi se bulevardi do të mbushet si kurrë më parë.
“Një refuzim është nul, që tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi që është i tmerruar nga populli opozitar që në datën 6 ora 12 do mbushë bulevardin e Tiranës si kurrë në historinë e tij.
I rikujtoj vasalëve të Edi Ramës, se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që vendos se protestuesi nuk ka asnjë detyrim që të njoftojë policinë. Policia e Shtetit e Edi Ramës, po e trajton samitin e liderëve të BE, sikur këtu po mblidhen diktatorët e botës, në një kohë kur ata që vijnë në Tiranë janë shtetarë të zgjedhur me votën e lirë. Do jetë një protestë që nuk është parë ndonjëherë.
Do jetë një protestë ku do buçasë në çdo anë thirrja, E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Thirrja: Edi Rama dhe narkoshteti nuk përfaqësojnë Shqipërinë, Edi Rama dhunues kryesor i votës së lirë në Europë pas Lukashenkos, Edi Rama, një vasal i verbër i Vuçiçit dhe avokat mjeran i Rusisë së Vogël dhe Putinit.
Kemi kaq motive për të qenë në shesh duke garantuar sigurinë e plotë të miqve tanë, të cilët i përshëndesim dhe e konsiderojmë nderim të madh për kombin shqiptar. Por Edi Rama nuk përfaqëson votën e lirë, ai përfaqëson narkoshtetin dhe gjithçka që e shndërroi këtë popull në popullin e gomoneve. Kështu që ne duhet të jemi aty, të gjithë së bashku, dhe do jemi“, tha Berisha.
Policia ka ndaluar organizimin e protestës së paralajmëruar Sali Berisha më 6 dhjetor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me argumentin se se mbajtja e protestës në këtë datë, që përkon me mbajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, është rrezik për sigurinë kombëtare. Ndërkohë, sipas policisë, opozita mund ta zhvillojë protestën në një zonë tjetër, jashtë perimetrit të sigurisë, caktuar për mbarëvajtjen e Samiti.
Ndalur tek projekti për Portin e Durrësit, të cilin Berisha e konsideron si një mega aferë, ky i fundit paralajmëroi mbajtjen e një proteste kundër këtij projekti.
“Do të mbajmë një protestë të fuqishme. Durrësin nuk do mund ta dorëzojë portin që ka qenë arteria kryesore e jetës, krenaria kombëtare, porta me të cilën Shqipëria është lidhur me perëndimin. Ata që mendojnë ta shndërrojnë në pronë private, nuk do ta arrijnë kurrë projektin e tyre ogurzi”, tha Berisha.
/rtsh.al/