Alibeaj: PS nuk e bllokon referendumin me 2/3 e votave
Ish-ministri, kundër idesë së opozitës për çështje të tjera të referendumit
BLEDAR HOTI - Zëra brenda mazhorancës shprehen se heqja e imunitetit mund të realizohet në shtator në Kuvend, pa pasur mundësinë e kryerjes së referendumit. Pavarësisht idesë fikse të Kryeministrit Sali Berisha, duket se edhe brenda grupit të PD-së ka zëra që kontestojnë një gjë të tillë. Ish-ministri i Drejtësisë, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj nëse do të ketë vullnet politik nga opozita dhe vjen për ti votuar ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit në Parlament, atëherë kjo çështje mund të zgjidhet në rrugë parlamentare me nisjen e sesionit të ri kuvendor. Për Alibeajn, heqja e imunitetit ka 10 vite që përflitet dhe se nuk ka të bëjë me politikën, por me moralin politik. Kjo është një çështje kardinale, e moralit politik dhe se duhet të konsultohet me popullin. Ka dhjetë vite që është diskutuar dhe është identifikuar si një nga pengesat kryesore për të identifikuar për luftën kundër korrupsionit, ose të kriminalitetit përreth korrupsionit, tha për Alibeaj për Ora News. Nëse nuk jepet konsensusi për deputetin e mazhorancës referendumi është e vetmja rrugë për të hequr një koracë të tillë. Alibeaj thekson se referendumi nuk mund të ndalohet nga Kuvendi. Referendumi për rishikimin e Kushtetutës kërkon edhe 2/3 e votave, pra duhen edhe votat e PS-së, porse socialistët nuk do ti japin ato. Neni 150 i Kushtetutës pika 1 dhe 2 parashikon dy lloje referendumesh. Abrogativ është referendumi me anë të të cilit populli ka të drejtë të shfuqizojë me një ligj apo një pjesë të tij. Afirmativ është referendumi me të cilin populli ka të drejtën për të miratuar dhe aprovuar një ligj apo disa dispozita ligjore. Ka dhe një referendum tjetër të llojit konsultativ, ku populli konsultohet. Pra janë këto tre mjete të referendumit që marrin udhë pa kërkesë të cilësuar të deputetëve. Pra ose me iniciativë të 1/5 të deputetëve dhe Kuvendi e miraton me shumicë të thjeshtë, me 71 vota një referendum abrogativ, afirmativ apo konsultativ e po në të njëjtën mënyrë mund të iniciohet dhe nga vendimi i Këshillit të Ministrave. Pra mjeti procedural i referendumit është praktikisht dhe teorikisht i pandalshëm nga psikoza bllokuese e disa parlamentarëve siç janë ato të PS-së, theksoi Alibeaj. Për ish-ministrin, brenda muajit mars mund të realizohet mbajtja e referendumit. Nuk ka asnjë mundësi, asnjë lloj mjeti kushtetues që PS-ja ta bllokojë një iniciativë për referendum popullor, edhe pse dëshira e tyre ekziston një çështje të tillë, thekson Alibeaj. Duke komentuar kërkesat e opozitës për bërjen e referendumit dhe për çështjet e tjera, deputeti i PD-së thekson se kjo është njësoj sikur të thuash që bashkë me heqjen e imunitetit duam që të bjerë borë në gusht. PS ka frikë nga transparenca dhe nuk do heqjen e imunitetit. Nuk ka asgjë të keqe nëse ata duan të testojnë vullnetin e popullit për çështjet e tyre dhe të mund ti shtrojnë në referendum. Çfarëdolloj iniciative referendare mbart me vete edhe atë test politik, elektoral. Për imunitetin populli është dakord, për çështjet e tjera plehrat apo paketa e reformës në drejtësi unë besoj se kjo i tremb socialistët për ti hedhur në referendum, sepse një humbje e tillë do të ishte një damkë ndaj elektoratit para zgjedhjeve të ardhshme, theksoi Alibeaj.
Alibeaj: PS nuk e bllokon referendumin me 2/3 e votave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip