Visho, shtetasi kanadez që punon për Shërbimin Sekret Shqiptar
Kreu i SHISH nën betim për besnikëri ndaj mbretëreshës
Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi-Lika ka qenë një nga emigrantët politikë të ikur disa muaj pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Ai u shpërngul në Kanada duke kërkuar për të jetuar për 12 vite me radhë. Nëse pas tre vitesh qëndrim, Lika do të ketë përfituar nënshtetësinë kanadeze, sipas ligjeve të atjeshme, i bie që shefi i Shërbimeve Sekrete Shqiptare duhet të zbatojë ligjet e përtej Atlantikut. Në fakt, në formulën e betimit të çdo shtetasi kanadez përcaktohet se do ti shërbejë me besnikëri Mbretëreshës Elizabet II. Betohem (ose pohoj) se unë do të jem përkrahës dhe do ti tregoj besnikërinë e vërtetë Madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabetë II, Mbretëresha e Kanadasë, trashëgimtarëve dhe pasardhësve të saj, dhe se unë me besnikëri do të respektojë ligjet e Kanadasë dhe do të përmbush detyrat e mia si qytetar kanadez, thuhet në formulën e betimit të shtetit kanadez. Pikërisht ky është dhe paradoksi, sepse Lika nëse ka dy nënshtetësi duhet të vendosë se cilit shtet duhet ti shërbejë me besnikëri e devotshmëri, Shqipërisë apo Kanadasë për të cilën jetoi dhe punoi për 12 vite në Toronto, ku pati dhe kontribute monetare në fondet e pensioneve të këtij shteti. Nuk dihet nëse dy drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar e kanë marrë në konsideratë një fakt të tillë, pra që shefi i ri SHISH-it ka jetuar prej vitesh jashtë Shqipërisë dhe që të ketë marrë nënshtetësinë kanadeze ose jo.
Ligji për Shërbimin Sekret Shqiptar ka një paradoks, pasi nuk përcakton kriteret e zgjedhjes së kreut të këtij institucioni. Shefi i SHISH-it sipas ligjit përkatës ka të përcaktuar se emërohet nga Presidenti me propozimin e Kryeministrit. Kaq është dhe nuk është saktësuar asnjë kriter për faktin nëse një person që do të mbajë sekretet e shtetit shqiptar duhet të jetë shtetas rezident shqiptar për disa vite ose jo. Ekspertë të fushës pranojnë se ligji nuk ka përcaktime të tilla, por në çështje të një rëndësie të veçantë, për sektorë specialë shihet interesi i përbashkët. Ata theksojnë se është e kuptueshme që për këta sektorë persona të tillë që mund të kenë dy shtetësi shmangen nga emërimi në këto dikastere. Po këta ekspertë pohojnë se edhe në rastet kur punësojnë punëtorin më të thjeshtë në SHISH, roje, atij i shihet e kaluara nëse ka qenë jashtë shtetit ose jo, qoftë edhe për një javë. Atij i kontrollohet nëpërmjet shërbimeve partnere natyra e vizitës dhe sjellja e personit që do të punësohet në Shërbimin Sekret Shqiptar. E më tepër kjo merr vlerë kur në krye të shërbimit caktohet një njeri që ka qëndruar për 12 vjet jashtë Shqipërisë.
Jeta e Likës në Kanada
Lika ka deklaruar pasurinë që kishte arritur të akumulonte gjatë gjithë jetës, e cila rezulton të jetë krijuar në Kanada, vend në të cilin kreu i ri i SHISH-it ka kaluar 10 vite të jetës së tij. Ajo që bie në sy lidhet me faktin se Lika ka preferuar që të ardhurat e fituara nga puna dhe kursimet për pensionin ti investojë në kompani të specifikuara për menaxhimin e të ardhurave. Visho Lika ka deklaruar se ai ka investuar 60 mijë dollarë kanadezë (CAN) fond pensioni në një shoqëri të quajtur Mutal Funds Standart Life në Kanada, me qëllim investimin e tyre nga kjo kompani dhe për pasojë rritjen e përfitimeve personale. Të njëjtën gjë ai ka bërë dhe me një shumë tjetër prej 50 mijë CAN, të cilën e ka depozituar pranë Canadian Bank Of Comerce (CIBC), përsëri me qëllimin për të rritur të ardhurat e tij. Por këto investime nuk i kanë sjellë frytet e pritura, por përkundrazi humbje të të ardhurave. Kështu, në vitin 2009, Lika deklaron se gjatë këtij viti për depozitën 60 000 CAN ka pasur një humbje 30% dhe po kështu të njëjtin vit për shumën 50 000 CAN ka pasuar një humbje 30%. Ishte supozuar që investimet e mia të sillnin të ardhura, por që prej mesit të vitit 2008, ato kanë pasur një humbje që kanë shkuar te 40%, pohon vetë Lika në deklaratën e pasurisë së vitit 2009. Po atë vit ai deklaron pronësinë e një makine tip Free Lander e vitit të prodhimit 1999 dhe me një vlerë prej 9600 USD. Ai deklaron edhe 500 euro, plus 400 USD në cash.
Betimi i shtetësisë
Betohem (ose pohoj) se unë do të jem përkrahës dhe do ti tregoj besnikërinë e vërtetë Madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabetë II, Mbretëresha e Kanadasë, trashëgimtarëve dhe pasardhësve të saj, dhe se unë me besnikëri do të respektojë ligjet e Kanadasë dhe do të përmbush detyrat e mia si qytetar kanadez
Visho, shtetasi kanadez që punon për Shërbimin Sekret Shqiptar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip
