SHISH, Braçe kundër Majkos: Duhet reagim popullor
Emërimi i kreut të SHISH-it po shkakton dhe një ndasi mes vetë socialistëve për mënyrën e qëndrimit që duhet mbajtur ndaj veprimeve të fundit të mazhorancës
BLEDAR HOTI
Shkarkimi i kreut të SHISH-it dhe mënyra e përqendrimit të pushtetit në duar të Kryeministrit Berisha përçan socialistët. Pandeli Majko dhe Erjon Braçe, dy eksponentë të njohur të opozitës, kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me mënyrën e përqendrimit të pushtetit, por mbi të gjitha dhe me reagimin që duhet të mbajë opozita.
Qëndrimi i zbutur i Majkos
Ish-kryeministri Pandeli Majko në një takim me të rinjtë e FRESSH-it në plazhin e Jalës, ka deklaruar se jemi drejt një shtetit monokratik të Saliut. Në përgjigje të pyetjeve për çështjen e heqjes së imunitetit, deputeti Majko u shpreh se fakti më shqetësues, që lidhet drejtpërdrejtë me imunitetin, është që krerët e institucioneve kryesore të vendit emërohen nga një parti. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është, ore po çjanë këta qeveritarë që nuk kanë frikë. Realisht, sot çjerrja më e madhe për këtë çështje është nga qeveritarët që thonë s kemi frikë, hajde na hetoni! Problemi është shumë i thjeshtë, sepse sot jetojmë në një vend ku gjykatësit, Prokurorin, sot edhe kryetarin e SHISH-it, edhe Presidentin para disa javësh e emëron një parti, tha Majko. Themeluesi i FRESSH-it, Majko u shpreh se gjithë emërimet e fundit në institucionet kryesore të vendit nuk vijnë si pasojë e një gabimi, por sepse vendi tashmë është nën urdhrat e këtij njeriu. Ky njeri është ai i cili emëroi dhe kreun e SHISH-it, ky njeri është po ai që kërkon të vendosë se kur dhe pse mund të bëhen referendumet, pa marrë parasysh firmën popullore. SHISH ishte institucioni i fundit, drejtuesi i të cilit nuk ishte ndryshuar nga viti 2005. Me dekretimin të Presidentit të Republikës të ish-zëvendësit të Gazidedes, para vitit 97, ne kemi një histori shtetërore që nga maja deri në fund është kthyer në një institucion monokratik, nën urdhrat e një njeriu. Ne themi që kemi një Republikë Parlamentare, që kemi një President, që kemi parlament, që kemi Gjykatë Kushtetuese, që kemi Gjykatë të Lartë, që kemi institucione të pavarura, por në terma konkretë për fat të keq, ne duhet ti themi vetes që ky vend është nën urdhrat e një njeriu. Nën urdhrat e një njeriu, i cili, në fakt, nuk është duke bërë një gabim, sepse gabimi vjen nga padija në disa raste, gabimi që vjen nga interesa politike të caktuara, por për rastin e Kryeministrit aktual është një histori e përsëritur. Një histori e përsëritur nuk mund të jetë një gabim. Drejtimi nga një individ po ndodh në shoqërinë shqiptare, tha ish-Kryeministri.
Reagimi i Braçes
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe doli kundër qëndrimit të zbutur të Majkos. Lexova gazetat e ditës dhe më bëjnë përshtypje dy gjëra: E para, deklarata e një udhëheqësi të lartë socialist, që vëren se po shkojmë drejt shtetit njëpartiak. Në fakt, ne jemi prej muajsh në shtetin njëpartiak”. Ky stërhollimi socialist, në përshkrimin e realitetit politiko-ligjor, jo po kështu, jo po ashtu, jo po rrezikojmë, po jemi pak larg akoma, jo po shkojmë drejt, po do ta ndalin ndërkombëtarët, jo po ai se bën dot edhe këtë se është çmenduri-ndërkohë që Ai po bën çmenduri pas çmendurie, vetëm sa po i heqin nervin e reagimit, kundërshtimin, refuzimit, betejës kundër kthimit pas në një regjim autokrat deri totalitar! Mik e miq të dashur, boll me kaq!! Po jetojmë në një shtet njëpartiak, në krye të tij ka një regjim të korruptuar e gjakatar. Ky regjim, kudo ku shfaqet, vetëm luftohet, politikisht, juridikisht, por mbi të gjitha në një mënyrë të provuar si e suksesshme: betejë popullore. Kjo betejë ka dy kushte: Bashkim dhe mosbashkëpunim në asnjë rast, në asnjë rrethanë me regjimin. Por së pari, duhet të bindemi ne për betejë, ua kemi borxh shqiptarëve pas ndryshimeve kushtetuese që i pranuam symbyllur e që i hapen rrugën me pashë shtetit njëpartiak, shkruan Braçe në rrjetin social Facebook. Më tej nënkryetari i Grupit të PS-së, thekson se Kam që prej zgjedhjeve lokale të 2011-ës, që flas e bërtas kudo në ambientet tona, të PS-së, që po shkojmë drejt kësaj të keqeje, ndaj kam propozuar ndryshime në Kushtetutë e në sistemin politik. Dëgjojnë, të japin të drejtë po kaq, deri këtu, sepse më shumë e mendojnë si sulm ndaj Kryetarit. Jo, jo, nuk është sulm të pranosh gabimin, ta korrigjosh, për më tepër kur nga ky korrigjim varet e ardhmja demokratike e vendit!. Ja ku Jemi! Gjithë çfarë paralajmërova ndodhi! Tani të paktën të mbledhim mendjen se jemi nën regjim e duhet të bëjmë betejë me të!. Së dyti, njerëz që i çmoj shumë, si profesor Klosi, më tej analistë siç Nazarko dje, Kikia sot, e shquajnë emërimin e kryetarit të SHISH-it si arsye për tu trembur. Miq, kujdes, ju bëni opinion publik dhe çdo fjalë e juaja përpihet. Çfarë mesazhi po përcillni? Nëse emërimi në fjalë është kontribut në pushtimin prej partisë së institucioneve të pavarura dhe e gjitha është investim në shtetin njëpartiak, atëherë mesazhi që pritet nuk duhet të jetë ai i frikës, por i betejës kundër së keqes. Si thonë, diktatorët nuk lindin të tillë, ata i bën diktatorë mungesa e reagimit, mefshtësia dhe frika e popullit. Lexova po sot edhe Mustafa Nanon që shkruante se “Tani është vonë për ta ndalur Berishën”! Unë nuk mendoj kështu! Nuk është vonë asnjëherë për një betejë të drejtë.
Po e përsëris, ka vetëm dy kushte: Bashkim dhe mosbashkëpunim me regjimin e Sali Berishës. Bindje dhe vendosmëri se kjo e keqe shkulet. Vazhdon të më ushtojë në vesh: E vjetra shembet! Këtë duhet të bëjmë!, thekson Braçe.
Reagimi
Opozita të reagojë sa më fort ndaj klanit oligarkik
Koçi: Nishani goditi rëndë formatin kushtetues
Kreu i PSV 91 e cilësoi emërimin e kreut të ri të SHISH-it si një goditje të rëndë të Kushtetutës. Privatizimi i shërbimit informativ nëpërmjet emërimit në krye të tij të një personi me precedentë në praktikat famëkeqe të Shik-ut 92-97 i vuri kapakun kapjes totale të shtetit dhe grabitjes së Republikës. Me këtë akt Nishani dhe Berisha treguan shpirt antieuroatlantisti. Jo rastësisht vendimi u mor në momentin e revanshit ushtarak të Bashar Al Asad-it mbi opozitën siriane. Guximi për të shmangur mirëkuptimin paraprak të aleatit tonë strategjik në realizimin e këtij aksioni antishtet dëshmon se klani oligarkik që ka kapur Republikën dhe arkat e saj mund të na riçojë në greminë sërish si në 97-ën! Pozita zyrtare euroatlantike e Shqipërisë është vënë në pikëpyetje. Kapja arrogante e Shërbimit Informativ tani dhe më pas e Prokurorisë së Përgjithshme po e fut procesin politik dhe shtetëror në kapitullim antidemokratik dhe antikushtetues, deklaron Koçi. Sipas tij, Presidenti i Republikës mban përgjegjësi të madhe në kryerjen e kësaj porosie të kryetarit të PD-së. Pas një procesi partiak të zgjedhjes së Presidentit, tashmë është vetë zoti Nishani që i ka dhënë një goditje të rëndë formatit kushtetues të Presidencës. Opozita duhet të reagojë me forcë dhe të japë garanci se praktikat e saj qeverisëse do të jenë pastërtish euroatlantike në fushën e sigurisë dhe të demokracisë.