Alibeaj: Rama- Berisha mbajnë sot peng opozitën dhe ndryshimin që presin shqiptarët

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, nëpërmjet një postimi të gjatë në llogarinë e tij personale në Facebook, ka bërë një analizë të detajuar politike për vitin 2022, duke vënë theksin tek fakti që, sipas tij, “Rama dhe Berisha mbajnë sot peng opozitën, e bashkë me të edhe ndryshimin që presin shqiptarët”.
Pa dorashka, Alibeaj thekson se Rama dhe Berisha janë dy vjetërsirat e tranzicionit që mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do ta ketë më të gjatë.
Sipas tij, ky ishte një vit i vështirë për demokratët dhe pa dyshim një nga më të vështirët e tranzicionit të gjatë për shqiptarët.
“Në kushtet e një regjimi që ka hedhur rrënjë në çdo hallkë të shtetit, ku drejtësia e ka gjithnjë e më të vështirë të jetë funksionale dhe e drejtpërdrejtë, ku opozita po kalon kohën më të madhe në përçarjet mes vetes dhe halleve personale, qytetarët e thjeshtë e kanë vërtet të vështirë të ringrejnë shpresën për ndryshimin që kërkojmë të gjithë.”- thekson Alibeaj.
Kreu i grupit parlamentarë të PD-së thekson më tej se të mundësh një regjim të instaluar nga hallka më e fundit dhe deri në majën e shtetit është një mision i vështirë, por jo i pamundur.
Ai vlerëson se për ta bërë këtë, së pari, “duhet të jemi të vërtetë me veten, me faktet, me atë që ndodh, dhe mbi të gjjtha me alternativën që mund të sjellë ndryshimin”.
“Të mundësh një regjim të mirëstruktuar patronazhist, duhet një organizim i fortë, angazhim i strukturave partiake. Por mbështetja dhe vota e elektoratit të pavendosur, të qytetarëve të zhgënjyer nga banaliteti i politikës së ditës, është kusht i domosdoshëm për opozitën që të vijë në pushtet. Dhe për të bindur këtë kategori, opozita ka nevojë për alternativë dhe figura të pakompromentuara. Për politikanë të papërfshirë në afera korruptive, larg gjuhës së urrejtjes, linçimit. Sepse ky është modeli që shqiptarët kanë parë mjaftueshëm me Edi Ramën.
Të mundësh një regjim, mbi të gjjtha ka nevojë për moral dhe vërtetësi. Jo nga ato përbetimet e zakonshme të atyre që shahen e kërdisën, e më pas përtypin çdo gjë për hir të karriges.”- shkruan Alibeaj.
Sipas tij, intrigat, kurthet dhe hilet janë mekanizmat në duart e politikës së vjetër, që përpiqet të mbahet në këmbë me metodat komuniste.
“Me të njëjtat metoda, Edi Rama dhe Sali Berisha mbajnë sot peng opozitën, e bashkë me të edhe ndryshimin që presin shqiptarët. Dy vjetërsirat e tranzicionit mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë. Lojrat meskine, pazaret dhe marrveshjet, që ndër vite kanë bërë me njëri-tjetrin, i bëjnë të duken lojtarë të fortë, ndonëse të rrënuar nga hija e skandaleve dhe vula e “non gratave”.”- thekson ai.
Alibeaj vlerëson se të mundësh një regjim duhet të largosh bashkë me të edhe të gjithë elementët që e mbajnë në këmbë dhe për të arritur këtë qëllim, nuk ka rrugë të mesme, nuk ka kompromise.
“Balta që prodhon regjimi dhe aleatët e tij, kurthet që ngrejnë dhe bullizmi që prodhojnë janë vetëm një pjesë e përpjekjeve për ta mbajtur në këmbë sistemin që kanë ngritur. Ajo që na bën ne të fortë është vendosmëria për t’u përballur me moral dhe vërtetësi. Me forcë dhe me kurajo. Mbi të gjitha, me dinjitet dhe më virtytin e çdo demokrati që beson se PD është forca e krijuar për të përfaqësuar dinjitetin njerëzor. Me ikjen e 2022, të mundim regjimin dhe të lëmë pas shpifjet dhe mashtrimet”- përfundon Alibeaj.
/rtsh.al/