E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Alibeaj: Rama shthur gojën në Kuvend, pasi është i zhytur në afera që e mbajnë peng

Jehona e përplasjeve politike në Kuvend mes pozitës dhe opozitës, ndërsa diskutohej buxheti për vitin 2023, ka vijuar më pas edhe në rrjetet sociale.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, nëpërmjet një postimi në Twitter, komenton se kryeministri, Edi Rama reagon ashpër në parlament, sepse është i zhytur në afera.

Sipas tij, nuk do shumë mund për të kuptuar se “sa herë ai shthur gjuhën aq më shumë është i zhytur në aferat që e mbajnë peng”.

 “Kështu ndodh kur “fal” për sadaka portin e Durrësit, një copë të Atdheut në fakt, nga hajduti në ballë e 40 oligarke vërdallë! Kjo ndodh teksa buxheti 2023 shkoi si gosti për miq e klientë, nga një kryeministër gojëndyrë që nervat dhe qetësia i kanë lënë shëndenë. Shqiptarëve i’u la peshqesh, veç fyerjeve dhe talljes, varfërinë, korrupsionin, pabarazinë, padrejtësinë dhe ikjen masive nga vendi. Kjo është e vërteta e hidhur me të cilën shqiptarët përballen çdo ditë. Një realitet që propaganda nuk e fsheh dot, arroganca nuk e lehtëson dhe vetëm ndryshimi i madh mund dhe duhet ta përmirësojë”- shkruan Alibeaj në Twitter.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›