E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro, Haxhi e Berisha, shqiptarët e Kupës UEFA



Nuk kanë të mbaruara ndeshjet ndërkombëtare të Klodian Duros. Pas dy ballafaqimeve me shqiptaro-maqedonasit e Milano Kumanovës e eliminimit të grekëve të AEK-ut të Athinës në dy tyret e para eliminatore, Omonia Nikosia e Qipros do të përballet me anglezët e Mançester Sitit. Një ballafaqim shumë më i vështirë për Duron me shokë, por njëherësh një tjetër mundësi e autorit të dy golave në barazimin 2-2 me AEK-un e Athinës, që prodhoi edhe kualifikimin historik të klubit nga Nikosia e Qipros në turin e parë të Kupës UEFA. Kështu në harkun e 75 ditëve ish-mesfushori i Tiranës do të luajë – përfshirë edhe tri ndeshjet e kombëtares- 9 ndeshje ndërkombëtare. E reja e fundit nga Omonia: presidenti i klubit, Mitiadhis Neofitu dha 200 mijë euro për lojtarët pas kualifikimit me AEK-un.
ALTIN HAXHI- Pas një largimi të pritshëm nga Apoeli në Qipro, mesfushori këmbëmajtë Altin Haxhi do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit qipriot, duke qenë sërish nën urdhrat e Ivan Jovanoviçit. Shkak ka qenë dëmtimi i rëndë i brazilianit Jan Paulista gjatë një ndeshje me Erithro Asteria. Lajmi jepet nga faqja qipriote protathlima.com.cy. Apoeli do të ketë kundërshtar në raundin e parë të Kupës UEFA gjermanët e Shalke 04. Takimi i parë do të luhet në Qipro (18 shtator), ndërsa i kthimit dy javë më pas në “Arena auf Shalke”.
BESART BERISHA – Rozenborgu norvegjez i Besart Berishës do të përballet në turin e tretë të Kupës UEFA kundër Brondbit të Danimarkës. Berisha, i cili kur luante në radhët e Hamburgut realizoi një gol në fazën e grupeve të Ligën e Kampioneve, është në kërkim të golit të tij të parë në Kupën UEFA.
NAPOLI – Skuadra italiane, Napoli, që eliminoi me dy fitore (3-0, 5-0) kundër Vllaznisë sonë, do të përballet me portugezët e Benfikës. Napoli e ka fituar një herë më parë Kupën UEFA në vitin 1989 dhe përpara se të merrte pjesë në Kupën Intertoto (kundër Panionos) e në Kupën UEFA (kundër Vllaznisë) kishte munguar prej 14 vjetësh në arenën kontinentale. Nga skuadrat e tjera italiane, Milani do të përballet me zviceranët e Zurihut (luan edhe një kosovar Admir Mehmeti), Udineze do të luajë kundër Borusias së Dortmundit.

KALENDARI NDËRKOMBËTAR I DUROS
ME KLUBIN, KUPA UEFA
17.07.2008: Omonia-Milano (Maqedoni) 2-0
31.07.2008: Milano-Omonia
14.08.2008: AEK(Greqi)-Omonia 0-1
28.08.2008: Omonia-AEK 2-2
18.09.2008: Mançester Siti (Angli)-Omonia
02.10.2008: Omonia- Mançester Siti

ME KOMBËTAREN SHQIPTARE
20.08.2008: Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0 (miqësore)
06.09.2008: Shqipëri-Suedi (El.Bot.2010)
10.09.2008: Shqipëri-Maltë (El.Bot.2010)

30 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›