E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj përgatiti ligjet e tragjedisë së Gërdecit

Ministri aktual i Drejtësisë, konfirmohet se është një nga autorët kryesorë të hartimit të paketës ligjore që shtroi rrugën për ndryshimin e procedurës së trajtimit të armëve. Zbardhen e-mailet që e përfshijnë ate në aferën e armëve 

TIRANE-Fati merr për ters edhe për vetë atë. Dritëhijet afrohen edhe për Enkelejd Alibeajn, 35 vjeç, ministër i Drejtësisë, me të gjitha gjasat është përfshirë në listën e gjatë të zyrtarëve të lartë shqiptarë të dyshuar për lidhje direkte me tragjedinë e Gërdecit. Ministri aktual i Drejtësisë, konfirmohet se është një nga autorët kryesorë të hartimit të paketës ligjore që shtroi rrugën për ndryshimin e procedurës së trajtimit të armëve dhe teknikës në përdorim të Forcave të Armatosura, të cilat hiqeshin nga pronësia e saj. Emri i tij tashmë është shënuar në dosjen voluminoze të hetimit që Prokuroria e Përgjithshme ka nisur prej muajsh për tragjedinë e Gërdecit, që shkaktoi vrasjen e 26 qytetarëve, plagosjen e qindra të tjerëve dhe shkatërrimin e pronës në vlerë prej dhjetëra milionë eurosh. Ministri shqiptar i Drejtësisë, duke qenë në detyrën e drejtorit të departamentit të Antikorrupsionit dhe të Kontrollit të Brendshëm të Këshillit të Ministrave, ka luajtur një rol aktiv krejtësisht pa asnjë lidhje me detyrën e tij zyrtare, në përpilimin e akteve ligjore që paraprinë Gërdecin. Në cilësinë e provës materiale, organi i akuzës ka mundur të sigurojë një numër e-mailesh të zotit Alibeaj, të cilat ai ia adresonte Ministrisë së Mbrojtjes, me cilësinë e një eksperti. Mësohet gjithashtu se në zyrën e tij të vjetër në kryeministri, në shumë raste janë zhvilluar takime, “konsultime” me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, pikërisht për këtë qëllim.
Për momentin, përmendja e emrit të tij dhe roli që ai ka luajtur në këtë histori është ruajtur në kushtet e sekretit të plotë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme çdo informacion në lidhje me të, konsiderohet i klasifikuar dhe sekret hetimor. Megjithatë mësohet se shpejt Alibeaj mund të kërkohet të pyetet me cilësinë e personit në dijeni për ngjarjen dhe për të dhënë shpjegime për përfshirjen e tij në këtë histori, rol i cili mund të klasifikohet paraprakisht edhe shpërdorim detyre. Provat për një gjë të tillë tashmë janë në dorë të organit të akuzës, që për më shumë ka siguruar dhe dëshmi të tjera nga “partnerët” e dikurshëm të zotit Alibeaj, të cilët nuk kishin asnjë lidhje zyrtare apo funksionale. Të paktën njëri nga ta, ish-këshilltari juridik i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Plarent Ruka, është pyetur dy javë më parë për orë të tëra në prokurori me cilësinë e dëshmitarit. Ruka, i larguar nga detyra në korrik të këtij viti, ka qenë kryesisht njeriu i pikës së kontaktit mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtorit të Departamentit të Antikorrupsionit.
E-mail-et përvëlues
Ekziston një korrespondencë e plotë elektronike dhe një numër i përcaktuar edhe takimesh me protagonist Enkelejd Alibeajn dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Ato janë zhvilluar në kryeministri në periudhën që nis me dhjetorin e vitit 2006 dhe janë intensifikuar jashtëzakonisht në muajt e parë të vitit 2007. Në këto e-maile, një pjesë e të cilave tashmë ndodhen në dosjen voluminoze të akuzës, me gjithë gabimet e shumta drejtshkrimore, Alibeaj afronte asistencë juridike dhe zgjidhje për problemin se çfarë duhej bërë me armët, teknikën dhe pajisjet që dilnin nga përdorimi dhe që ishin pronë e Forcave të Armatosura. Kryesisht, marrësi i tyre ishte Plarent Ruka, këshilltari juridik i Ministrisë së Mbrojtjes me adresë plarentruka@yahoo.com
Ishte koha kur kompania amerikane SAC kishte kërkuar të kryente demontimin e fishekëve dhe Ministria e Mbrojtjes ishte gati t’ia afronte një punë të tillë me prokurorinë të drejtpërdrejtë. Fillimisht u vu re se mungonte baza ligjore për të kryer një veprim të tillë dhe këtu hyn në lojë vetë Alibeaj. Mbas disa takimeve radhazi në zyrën e tij në Këshillin e Ministrave, ai i drejton në 22 janar 2007, sa për të marrë vetëm një shembull, një e-mail këshilltarit juridik të Mediut. Ai bashkëngjit një “relacion mbi situatën juridike dhe mundësitë ligjore për implementimin e një marrëdhënieje kontraktore të drejtpërdrejtë për rastin konkret. Bëhet fjalë pikërisht për mënyrën sesi duhej të sillej shteti shqiptar dhe si duhej të lejonte ai nisjen e aktivitetit të SAC-it, që më pas do të niste bashkëpunimin me “Albademil-in” e Mihal Delijorgjit, biznesmeni tashmë i arrestuar për tragjedinë e Gërdecit. Pavarësisht gabimeve drejtshkrimore, toni i Alibeajt njësoj si të demonstronte një pushtet real për marrësin e e-mailit, është vërtet autoritar. “Ajo që duhet të bëni është hartimi i një udhëzimi, i cili përcakton ca modalitete dhe një radhë veprimesh midis FA-IMECO-departamenti ekonomik i ministrisë. Ky udhëzim del në bazë të pikës 3 të VKM 716 dhe në këtë mënyrë përcaktohet dhe shtrati normativ për marrëdhëniet kontradiktore konkrete”, shkruan Alibeaj.
Nga një kërkim në faqet e vendimeve të Këshillit të Ministrave, rezulton se një vendim me këtë numër, 716, nuk ka asnjë lidhje me armët dhe armatimin. Një lapsus i ministrit të ardhshëm në fakt, ai kërkohet t’i referohej një vendimi të qeverisë Nano, me numër 617. Dhe konkretisht bëhet fjalë për një vendim të dalë në 4 dhjetor 2002, të Këshillit të Ministrave dhe të firmosur nga ish-kryeministri Fatos Nano me titull “Për heqjen nga armatimi dhe përdorimi të një pjesë të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura dhe për asgjësimin ose çmontimin e shitjen e tyre”
Pika tre e këtij vendimi që i referohej Alibeaj, autorizonte ministrin e Mbrojtjes që “të nxjerrë udhëzimin e hollësishëm përkatës, për kriteret teknike dhe procedurat e asgjësimit ose çmontimit a tjetërsimit të armëve e të teknikës së Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, dhe në fakt kështu ndodhi. Po materiali ligjor i paraqitur nga ish-ministri i Mbrojtjes Mediu nuk kaloi në qeveri, ai u rrëzua dhe i hapi rrugë hartimit të vendimit 138, të datës 14 mars 2007, fiks një vit e një ditë pas së cilës ndodhi tragjedia e Gërdecit. Lexoje dhe po pate ndonjë gjë të paqartë, takohemi”, - firmos rregullisht Enkelejd Alibeaj në korrespondencën e tij elektronike me ish- zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes.
Dëshmitari nga Ministria e Mbrojtjes
Ndoshta është ndjerë i tradhtuar, ndoshta edhe i përdorur, ndoshta fati i tij ka qenë që u ndodh në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Plarent Ruka është pyetur për orë të tëra në prokurori në lidhje me dijeninë e tij për përfshirjen e ministrit aktual të Drejtësisë në një situatë të tillë. Nuk dihet dhe nuk bëhet e ditur se çfarë ka dëshmuar ai, por pavarësisht kësaj, pozicioni i ministrit Alibeaj është më së paku, vërtet shumë delikat. Duke qenë në një detyrë që nuk kishte asnjë lidhje me Forcat e Armatosura, ai bëhet jo vetëm pjesë, por edhe drejtues i procesit të shkrimit të bazës ligjore që do të paraprinte Gërdecin. Ish-drejtuesi i Departamentit Antikorrupsion e sheh kështu veten të përshirë në një nga aferat më të mëdha korruptive dhe kriminale në vend, e sheh veten së paku në një pozicion të dyshimtë. Pretendimi se ai ka dhënë thjesht ndihmesë vullnetare në këtë proces, është i pambështetur askund në ligj dhe në detyrat konkrete që ai ka mbajtur pranë Këshillit të Ministrave.
Po Berisha e dinte?
Situata bëhet edhe më delikate, nëse për një veprimtari të tillë të vartësit të tij ka pasur apo jo dijeni vetë kryeministri Berisha. Berisha e ka mohuar vazhdimisht një gjë të tillë - dijeni për atë çka paraprin Gërdecin- por po ai vetë në datën 15 nëntor 2007, në konferencë shtypi kur prezantoi Alibeajn si ministër të Drejtësisë, pohoi se tek Alibeaj ai ka gjetur “një nga bashkëpunëtorët e tij më të çmuar, më eficient dhe një nga juristët më të talentuar që unë kam njohur, drejtuesin eficient të Departamentit të Antikorrupsionit dhe Kontrollit të Brendshëm të Këshillit të Ministrave, i cili në këto dy vjet ka dhënë një kontribut thelbësor në luftën kundër korrupsionit”, që siç vërtetohet tashmë fatkeqësisht, është një nga pjesët e mekanizmit shtetëror që krijoi vetë Gërdecin.
Dy ministrat e Drejtësisë dhe i treti në mes
Në tri vitet e mandatit qeverisës së PD-së janë ndryshuar tre ministra në krye të Drejtësisë. Në fillim Aldo Bumçi, pastaj Ilirjan Rusmali dhe së fundi Enkelejd Alibeaj. Bumçi, tashmë zëdhënës i grupit parlamentar të PD-së, është shndërruar në një tabelë qitjeje nga PS-ja. Në më shumë se një rast, ai është konsideruar i përfshirë gjithashtu në aferën tragjike të Gërdecit. Një herë në Kuvend nga Taulant Balla dhe pastaj në më shumë se një rast nga zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli. Ai është konsideruar se ka shpërdoruar detyrën si ministër i Drejtësisë, për të favorizuar trafikun e armëve. “Zelli i tij me të cilin ai i shërben klanit Berisha, nuk do ta shpëtojë dot nga detyrimi për t’u rrëfyer përpara organeve të drejtësisë në lidhje me këtë fakt”, - tha për herë të fundit më 12 tetor Kodheli.
Në Partinë Socialiste sigurojnë se kanë prova të mjaftueshme që vërtetojnë pretendimin për implikimin e mundshëm të Bumçit, në tragjedinë e Gërdecit, prova të cilat ndodhen edhe në dosjen hetimore të organit të akuzës. Veç të tjerash, ata përmendin dhe një shkresë zyrtare të firmosur nga Bumçi në mars të 2007-ës, pak ditë përpara se të miratohej vendimi 138 i datës 14 mars 2007. Nuk e kanë bërë ende publike një gjë të tillë - ajo është dhe në tryezat e përfaqësuesve të disa prej ambasadave në Tiranë- me pretendimin se hetimi është atribut ekskluziv i prokurorisë. Edhe pse nuk është bërë kurrë publike, zëra gjithmonë e më autoritarë e lidhin emrin e ish-ministrit të Drejtësisë Rusmali, me rrjedhje të dhënash të rezervuara në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, por dhe skandale të tjera, tek të cilat është përfshirë qeverisa Berisha. Nëse ka ndodhur vërtet kështu, atëherë gjithçka konsiderohej si një pjesë e një hakmarrjeje të vonuar të një prej ish-bashkëpunëtorëve më të afërt të zotit Berisha. Të tjerë zëra në PD, madje e konsiderojnë edhe largimin e Rusmalit, nga detyra po në nëntor 2007, si pjesë e kundërshtimit të tij që ai ka pasur me segmente shtetërore, dhe jo të tillë për mënyrën se si duhej vepruar me demontimin dhe tregtimin e armëve që po largoheshin nga pronësia e Forcave të Armatosura. Alibeaj është ministri i tretë i Drejtësisë, që shënon emrin në dosjen e nxehtë. Në prokurori nuk pranojnë të komentojnë nëse ai do të thirret të japë shpjegimet e tij në lidhje me këto fakte. Një gjë e tillë nëse ndodh, do të acarojë edhe më tej marrëdhëniet e tij të tendosura me organin e akuzës, por edhe me gjithë sistemin e drejtësisë në përgjithësi.
(Marrë nga revista MAPO)

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›