E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në krah të rektorit që kërkoi heqjen e "I.Qemali"

 

VLORE -I ndodhur dje përkrah rektorit Shaskaj në përurimin e godinës së re universitare, kryeministri Sali Berisha jo vetëm që nuk e përmendi asnjëherë gjatë fjalës së tij emrin e Ismail Qemalit, (që Shaskaj ka propozuar t'i hiqet Universitetit të Vlorës), por në afrimitetin me rektorin la të kuptohet se ka mbështetjen e tij. Gjithashtu në fjalën e tij, duke folur me shifra investimi e synime në fushën e arsimit në Vlorë, Berisha "harroi" të thoshte një fjalë për problemet e mëdha që ka në këtë universitet, skandalin e firmosjes së certifikatave nga rektori pa siglën e emrit të universitetit, protestat e studentëve për mundësi arsimimi të plotë (pajisjen me diploma e jo certifikata), spastrimet joprofesionale në stafin akademik, korrupsionin në radhët e pedagogëve, etj… E mbi të gjitha, në këtë ditë përuruese të godinës së re mungonin ata për të cilët është bërë ky investim. "Berisha preu shiritin e foli me të tijtë, me nëpunës të shtetit e simpatizantë, pasi e shtuna është ditë pushimi dhe studentët ishin me pushime nëpër shtëpi", - pohoi për Gazetën një nga studentët që ishte në përurim.
UNIVERSITETI
Vizita dhe përurimi i parë i Berishës dje në Vlorë, ishte godina e re universitare. Investimi për këtë objekt ishte në vlerën e 2.2 milionë dollarëve dhe përfundoi në ditën e fillimit të vitit të ri akademik. Ndërkohë që njoftimi për ardhjen e Berishës për përurimin e godinës së re, siç na thonë pedagogë e nxënës të tij, u parapri nga një aksion që vazhdoi gjatë gjithë natës, pasi godinës, krahas të tjerave i mungonin xhamat. "Gjatë gjithë natës është punuar me kohë të plotë, me qëllim që të plotësoheshin të gjitha dritaret me xhama në pjesën e përparme. Ndërkohë që në pjesën e pasme dritaret paraqesin vërtet një pamje qesharake. Një kanat ka xham, tjetri jo, më tej një kanat ka, e dy të tjerë jo. Pa bërë fjalë këtu dhe për shumë punime të tjera që nuk kanë përfunduar ende, por përurimi u bë. Ishin gjetur 3 vajza që duheshin për përurimin, ishin pedagogët e urdhëruar e pak studentë nga fundi. Por kryeministri i përmendi sukseset e qeverisë së tij në arsim…", - pohon për Gazetën një nga pedagogët. Ndërsa para mbylljes së fjalës së tij në universitet, kryeministri Berisha nuk harroi të garantojë gjithë fëmijët e Shqipërisë se "…ne do të bëjmë që fëmijët tanë kudo që ndodhen, në Smokthinë, në Vlorë, në Dukagjin, në Mokër, të mësojnë në shkolla të reja, të mësojnë në shkolla moderne, të mësojnë në shkolla të denja".
VIZITAT
Pas përurimit në universitet, Berisha u ndal në TEC-in e Vlorës, ku u kërkoi ndërtuesve që vepra të përfundojë dy javë para afatit. "Ky projekt jetik për Vlorën turistike, Vlorën industriale, bregun e Shqipërisë, por edhe për vendin, po ecën me shpejtësi. Është vendosur gjeneratori, janë në vendosje e sipër turbina, kaldaja, pra një vepër industriale prej rreth 90 milionë eurosh apo 110 milionë dollarë. Dua të përgëzoj me këtë rast kompaninë dhe punëtorët për punën e shkëlqyer". Ndërsa vizita në shtëpinë e mjekut të njohur neurolog, Kosta Koçi, masakruar me thika kohë më parë nga persona të paidentifikuar, ishte aktiviteti i fundit i Berishës dje në Vlorë. Ai i premtoi mjekut Koçi, përkujdesjen për gjetjen e autorëve të masakrës ndaj tij dhe vënien para përgjegjësisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›