E Diel, 1 Nëntor 2026

Alida Bego, pilotja e re e Bazës Ajrore të Farkës

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Nëntogere Alida Bego prej 4 vitesh është pjesë e Forcës Ajrore dhe një prej piloteve të reja të Bazës Ajrore të Farkës.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ndau në rrjetet sociale një video ku nëntogere Bego flet për fillimet e një karriere midis tokës dhe ajrit.

“Dita ime fillon në orën 8 të mëngjesit me zhvillimin e kontrolleve teknike të helikopterit. Që nga përfundimi i kursit të përgatitjet të oficerit të ri u bëra pjesë e Forcës Ajrore në Rinas dhe nga aty zbulova edhe dëshirën për aviacionin e cila më solli edhe këtu ku jam sot”, tregon nëntogerja.

“Si gjithçka që mësohet për herë të parë, ka pasur vështirësi e veta në ambientimin me kabinën e instrumenteve si dhe me lëshimin e helikopterit, por rruga ime nuk përfundon këtu. Misioni im është i gjatë, por i bukur”, theksoi Bego.

Bego theksoi se dyert e Forcës Ajrore janë të hapura për këdo.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu vuri në dukje se Forca Ajrore është e hapur është për të rinj e të reja të motivuar që zgjedhin t’i japin kuptim ambicieve të tyre, duke i shndërruar në shërbim për veten dhe Atdheun, në një mjedis që ndërton profesionistë, karakter dhe të ardhme.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›