E Diel, 1 Nëntor 2026

Huber: Akademia e Pushtetit Vendor, hap drejt përmirësimit të shërbimeve publike

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, ka theksuar sot se çelja e Akademisë së Pushtetit Vendor është një moment kyç për sistemin e qeverisjes vendore në Shqipëri.

Gjatë fjalës së saj në takimin e organizuar për prezantimin e kësaj akademie, Huber e cilësoi këtë iniciativë si “një gur kilometrik në zhvillimin e mëtejshëm të decentralizimit dhe përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët shqiptarë”.

Në lidhje me mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Shqipërinë, Huber theksoi se ky projekt është një vazhdim i përpjekjeve të mëparshme, siç është programi “Bashki të Forta”.

“Që nga programi ‘Bashki të forta’, Zvicra ka qenë pjesë e mbështetjes për reformat e decentralizimit dhe do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore”, u shpreh ajo.

Ambasadorja nënvizoi se, Akademia e Pushtetit Vendor është një produkt i dialogut dhe bashkëpunimit të gjatë midis qeverisjes qendrore dhe vendore, shoqatave, ekspertëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Huber theksoi se kjo akademi është një mundësi për të fuqizuar kapacitetet e qeverive vendore, duke u siguruar që reformat të kthehen në shërbime cilësore dhe të prekshme për qytetarët.

“Akademia do të sigurojë që këto reforma të kthehen në përmirësime të prekshme për jetën e qytetarëve”, tha Huber.

Ajo shtoi se roli i Asamblesë dhe Bordit Drejtues të Akademisë është kyç për të siguruar që angazhimet të realizohen në mënyrë profesionale dhe efektive.

“Qeveritë vendore janë pararojë e reformave të Bashkimit Evropian, dhe fuqizimi i kapaciteteve të tyre është një hap i rëndësishëm në këtë proces”, theksoi ambasadorja.

Ambasadorja Huber përmendi gjithashtu Platformën e Menaxhimit të Njohurive, e cila mbështetet nga Suedia dhe Zvicra dhe ka për qëllim ndarjen e praktikave më të mira me Akademinë, për të mundësuar një përhapje më të gjerë të njohurive dhe përvojës në nivelin e administratës vendore.

“Akademia simbolizon një partneritet të fortë dhe një angazhim të përbashkët ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj vendore, duke u bazuar në profesionalizëm dhe përgjegjësi të përbashkët”, përfundoi Huber, duke theksuar se Zvicra do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të pakursyer për reformat e decentralizimit dhe fuqizimin e qeverisjes vendore në Shqipëri.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›