E Diel, 1 Nëntor 2026

Alida Hisku: Ëndrra ime, të këndoja në skena të mëdha

Mbrëmja “Gala” me këngët më të mira të 50 viteve Festival të Këngës në RTSH solli emocione dhe spektakël në skenën e Pallatit të Kongreseve. Sonte shpallet kënga fituese që do të shkojë në ‘Eurosong’

“Ka qenë një propozim i drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së, z. Petrit Beci, për të kujtuar këngët më të mira të festivaleve tona. Praktikisht ka qenë shumë e vështirë, sepse kemi 49 këngë fituese dhe t’i këndosh të gjitha në të njëjtën natë, shkon shumë gjatë...”, - do të shprehej drejtori artistik i Festivalit të 50-të në Radio-Televizionin Shqiptar, Shpëtim Saraçi. E në fakt, mbrëmja ‘Gala’ ishte konceptuar tërësisht ndryshe nga dy netët e para të festivalit. Mbrëmë nuk kishte garë, por kishte emocion, kujtime që riktheheshin si një rrugëtim në këto 50 vite të këngës shqiptare. Ishin ofruar për të interpretuar ata këngëtarë që jetojnë dhe kanë mundësi vokale për të kënduar ato këngë, me të cilat dikur kanë fituar çmimin e parë si: Sherif Merdani me “Këngën e nënës”, David Tukiqi me “Globi rrotullohet”, Tonin Tërshana me “Erdhi Pranvera” apo Alida Hisku me “Vajzat e fshatit”. Ndërsa pjesa tjetër e këngëve u interpretuan nga këngëtarë më të rinj, që kanë dhënë kontribut në Festivalin e dhjetorit. Në këtë natë nuk munguan as këngëtarët kosovarë, të cilët sa herë kanë marrë pjesë kanë sjellë freski në festival, pavarësisht se nuk kanë marrë çmime të para. Në këtë 50-vjetor, Kosova kishte vendin e vet. Dhe është në natyrën njerëzore që sa herë që u rikthehet kujtimeve, ato shoqërohen me emocion të madh. “Mes gjithë këtyre kolegëve që këndojnë sot në këtë natë ‘Gala’, unë ndihem njeriu më i privilegjuar, sepse më ka rënë rasti të këndoj për njeriun më të dashur në jetën tonë. Njeriu më i dashur në jetë nuk qenka as gruaja, as djali, as vajza, as babai, as miku. Njeriu më i dashur qenka nëna, ndaj dhe unë këndoj këngën e nënës. Ajo që është më e çuditshme është që këtë mesazh mua ma ka dhënë një kriminel. Po, kryetari i degës në Librazhd, pasi më dënoi pa të drejtë 10 vjet, hyri një ditë në atë dhomën e izolimit, më qëlloi me grusht me sa fuqi që kishte dhe më tha: Ku i ke ato vajzat që të shoqëronin, ku i ke ata shokët që të qerasnin, ku i ke miqtë që të merrnin nëpër koncerte? Të kanë braktisur të gjithë, vetëm ajo nëna të vjen këtu me një çantë të vjetër, që sjell nja dy tesha dhe ushqime...”. Vërtet më kishin braktisur të gjithë, vetëm nëna vinte..”,- thotë jo pak i emocionuar Sherif Merdani sikur ngjitej për herë të parë në skenë. Një fat i tillë do ta ndiqte edhe këngëtaren Alida Hisku, që dhe pse nuk provoi burgun, u braktis nga miqtë e kolegët në atë kohë. “Nuk mund të them se emocionet janë shtuar, sepse koha bën të vetën, por as janë pakësuar pasi duke qenë larg atdheut, jeta të merr në rrjedhën e vet, ndonjëherë të shtyn me dashje e pa dashje, megjithatë jam e bindur që emocionet e Festivalit të 13-të janë edhe sot e kësaj dite.

Kjo ka qenë edhe dëshira ime, të këndoja në skena të mëdha e të kënaqja sa më shumë publik. Kjo më gëzon, sepse është hera e parë që këndoj në këtë skenë dhe është një ditë e veçantë për mua sot. U deshën 50 vjet festival që ne, me shumë nostalgji të mblidheshim nga të gjitha anët e botës! Në këto momente emocioni nuk do të doja të kritikoja, aq më tepër që nga kritikat e kam pësuar në jetën dhe karrierën time.

Me gjithë situatat e vështira që kaloj në familjen time, dëshira ishte shumë e madhe dhe aty ku është dëshira është edhe një rrugëzgjidhje”. Për Tonin Tërshanën, rikthimi në skenën e Festivalit ka një domethënie të veçantë, që do të thotë se publiku nuk e ka harruar pavarësisht mungesës së gjatë. “Unë kam 20 vjet që nuk marr pjesë në festivale, pasi detyrimisht do të zëvendësohemi nga të rinjtë. Por edhe pse jam në moshë, prapë më duket sikur emocionin e kam njëlloj si vitet e mëparshme; do i falënderoja organizatorët e festivalit që na kujtuan edhe ne të vjetërve. Kisha nevojë për këtë emocion. Gati-gati e kisha harruar dhe më duket sikur po këndoj për herë të parë. Edhe kënga që unë këndoj është në moshën 40-vjeçare. “Erdhi Pranvera”, një këngë e Pjetër Gacit dhe Fatos Arapit, në atë kohë kishte një sukses të madh. Atë vit ishte shumë e suksesshme edhe kënga e Agim Krajkës, “Kafe Flora”, e kënduar nga Lindita Theodhori. Por kënga ime mori pikët e jurive të rretheve. Unë kam kënduar shumë këngë dhe kam marrë çmime, por interesi i këngëtarit është që kënga të jetë sa më popullore dhe besoj se ia kam arritur. Dhe ky është suksesi i këngëtarit, jo çmimi”,- jep një mesazh në këtë festival këngëtari më i vjetër i skenës, Tonin Tërshana. Ndërsa kompozitori David Tukiqi rikthehet në skenën e Festivalit të 50-të të RTSH-së me një këngë të fëmijërisë së tij, që edhe sot e kësaj dite këndohet nga të gjithë. “Është më se e natyrshme që këtë këngë ta këndoj sërish dhe tani, edhe pse nuk jam më i vogël. E kompozuar nga Nikolla Zoraqi e me tekst të Fatos Arapit dhe orkestruar nga Robert Radoja, kjo këngë mendoj se ka ngelur dhe është pasuar brez pas brezi. Ky është 50-vjetori i Festivalit dhe mendoj që edhe në të 100-in festival, ajo prapë do të këndohet. Unë në këtë 50-vjetor nuk ngjitem vetëm si këngëtar, por edhe si kompozitor. Kështu që kam dy gëzime në një ditë, dhe si këngëtar, dhe si kompozitor. E kënga titullohet pikërisht “Dy gëzime në një ditë”, që dikur e ka kënduar Nertila Koka”, - thotë Tukiqi. Këngët e sjella mbrëmë në natën ‘Gala’ të festivalit janë përzgjedhur paraprakisht nga një komision profesional. Këngët retrospektivë janë përcjellë tek publiku me regjistrim. Disa nga këngëtarët që u ngjiten në skenën e natës ‘Gala’ ishin: Myfarete Laze, Sherif Merdani, Frederik Ndoci, Irma dhe Eranda Libohova, David Tukiqi, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Mira Konçi, Manjola Nallbani, Juli Ndoci, Aleksandër Gjoka, Viktor Tahiraj, Rovena Dilo etj. Sonte në mbrëmje është nata e fundit e Festivalit të 50-të të Këngës, ku pasi të këndohen 20 këngët finaliste do të shpallet edhe kënga fituese që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian. Ndryshe nga një vit më parë, duket se diskutimi për pretendentin nuk ka dalë jashtë jurisë dhe fituesi këtë vit do të jetë vërtet një surprizë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›