E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët e UET, takim me Arvizun e njohje nga afër me diplomacinë

Një grup studentësh të degës Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës vizituan dje mjediset e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zhvilluan një bisedë të hapur me ambasadorin Aleksandër Arvizu. Lënda “Bazat e Diplomacisë” ishte ajo që shërbeu si “vizë” drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për studentët e degës Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës. Ata për disa orë patën mundësi të shkelnin në ‘tokën e mundësive’ dhe panë nga afër një prej përfaqësive të huaja në Shqipëri.

Në kuadrin e lëndës së zhvilluar gjatë një semestri mbi bazat e diplomacisë, ata patën mundësinë jo vetëm të këqyrnin një ditë të zakonshme pune në një përfaqësi diplomatike, por edhe të zhvillonin një bisedë e t’i drejtonin pyetje ambasadorit Aleksandër Arvizu dhe Niles Cole, Zv/shefi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, mbi rolin e ambasadës dhe ngjarjet aktuale në arenën ndërkombëtare. Pyetjet e tyre prekën probleme të ndryshme të diplomacisë amerikane dhe të diplomacisë në përgjithësi, si dhe më gjerë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Për t’i shoqëruar studentët ishte edhe rektori i UET-së, Tonin Gjuraj, i cili ka shërbyer edhe si ambasador i shtetit shqiptar në Izrael, (për të, paraardhësi i z.Arvizu, ambasadori Uithers shprehej në kabllogramet e publikuara nga WikiLeaks, duke mos i kursyer vlerësimet për aftësitë e tij si diplomat dhe duke e cilësuar “ambasadori i duhur në vendin e duhur”), si edhe pedagogun e tyre, Enri Hide.

Veç kësaj, kjo vizitë e studentëve të UET-së që jo vetëm kanë mundësinë të shkollohen me kurrikulat më bashkëkohore mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare - e cila duhet thënë që në universitete të tjera zhvillohet vetëm në kuadrin e studimeve historike - shërbeu për t’u njohur me mënyrën e funksionimit të ambasadës amerikane dhe strukturat e saj. Universiteti Europian i Tiranës i kushton rëndësi të madhe edhe anës praktike e reale, duke mos i lënë studimet e larta të mbeten vetëm në planin teorik, por edhe t’i angazhojë studentët në aktivitete të ndryshme, seminare, konferenca e internshipe brenda e jashtë vendit.

Ambasadori amerikan nga ana e tij i përshëndeti studentët dhe i përgëzoi ata për studimet në Universitetin Europian të Tiranës. Diskutoi me ta dhe priti pyetje. Një prej pikave më interesante kishte të bënte me përgatitjen e diplomacisë shqiptare, që për ambasadorin ishte në nivel të lartë, por mund të bëhet edhe më aktive duke marrë edhe më shumë përgjegjësi e iniciativa në arenën ndërkombëtare. Një pikë tjetër interesante gjatë kësaj vizite ishte rëndësia që ambasadori i kushton komunikimit në politikëbërje, si në politikën e brendshme, ashtu dhe në politikën e jashtme. Mungesa e komunikimit mes palëve- sipas ambasadorit - është një çështje vërtet për t’u adresuar në të ardhmen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›