Aliko: Bashkia Gjirokastër, asnjë masë për ngrohjen në insititucionet arsimore

Kryetari i PD Gjirokastër Dasho Aliko në një deklaratë për mediat i ka kërkuar kryetarit të bashkisë Gjirokastër që të marri masat për ngrohjen e insititucioneve arsimore.
Në një njoftim për shtyp Aliko shkruan:
Në këto ditë të ftohta, institucionet e arsimit nuk përmbushin kushtet elementare për një proçes normal mësimor. Shkak është mungesa e ngrohjes. Kjo është më e dukshme sidomos në gjimnazet “Asim Zeneli” dhe “Siri Shapllo”. Me dhjetëra ankesa kam marrë këto ditë nga gjimnazistët apo dhe prindërit e tyre për këtë problem.
Bashkia e Gjirokastrës dhe kryetari i emëruar i saj, nuk mjaftohen me këtë, por detyrojnë nxënësit e gjimnazit “Siri Shapllo” të paguajnë nga xhepi i tyre në formen e një takse te turpshme, për blerjen e bazës materiale me qëllim sigurimin e ngrohjes. Ky veprim është i paligjshëm, arbitrar dhe abuziv që ndërmerret nga Bashkia e Gjirokastrës , pasi taksa mujore për arsimin që paguan cdo familje në qytet dhe fshat, është e destinuar të shkojë në këtë zë, pra për investimet. E njejta situatë ështe edhe në shkollat e fshatrave.
Në keto kushte i bëj thirrje kryetarit te emëruar të Bashkisë Gjirokastër të çmojë me seriozitet këtë situatë dhe t’i japë zgjidhje të menjëhershme. Ngelem në pritje të reagimit të menjëhershëm nga Bashkia.