E Enjte, 5 Nëntor 2026

Vizita në Kosovë/ Kodheli: Komisionet parlamentare homologe, tryeza pune mbi projekte të mirëfillta

Një delegacion nga Komisioni për Politikën e Jashtme nga Kuvendi i Shqipërisë, nën kryesimin e Mimi Kodhelit, zhvilloi një vizitë në Kosovë me ftesë të kryetares së Komisionit për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Time Kadrijaj.

Në përbërje të këtij delegacioni ishin deputetët Ervin Bushati, Vasil Sterjovski si dhe Reme Lala.

Delegacioni nga Kuvendi i Shqipërisë u prit nga krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, kryetarja e Kuvendit njëherazi edhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla si dhe delegacioni i Komisionit për Punët e Jashtme dhe Diasporën.

Gjatë takimit me komisionin homolog, parlamentarët theksuan rëndësinë e shkëmbimeve parlamentare, që vizita të tilla të përbashkëta të shpeshtohen sidomos kur distanca fizike mes dy vendeve tona është kaq e vogël.

Nën modelin e mbledhjeve të përbashkëta të qeverisë, që janë provuar si formate të suksesshme, komisionet homologe mund të zhvillojnë tryeza pune mbi projekte të mirëfillta, sugjeroi në takim Kodheli.

Nën një frymë mikëpritëse e vëllazërore, Kadrijaj falënderoi anëtarët e Komisionit për pranimin e ftesës në këto ditë të vështira, si dhe uroi Kodhelin për pozicionin e ri si zëvendëspresidente të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Duke vlerësuar se marrëdhëniet tona janë të një niveli të shkëlqyer, ajo shprehu besimin se, ngritja e komisionit të posaçëm të Kuvendit “Për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur, përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë”, vinte edhe si rezultat i vizitës së fundit në Shqipëri të komisionit që ajo drejton.

Kodheli duke falënderuar për mikpritjen nënvizoi rëndësinë që ka fuqizimi i diplomacisë dhe rritja e nivelit të shkëmbimit mes dy vendeve tona si dhe i përfshirjes së diasporës në politikat kombëtare.

Nga ana tjetër Osmani nënvizoi rëndësinë e pasjes së një politike të jashtme të përbashkët me një zë të unifikuar i Shqipërisë dhe Kosovës sa i përket çështjes së kësaj të fundit. Duke e vlerësuar luftën e Kosovës si të drejtë, ajo tha se klasa politike nuk duhet të heshtë, duke mundësuar njohjen e të vërtetës edhe për brezat e rinj.

Takimi me Ministren për Punët e Jashtme mbylli listën e takimeve të delegacionit nga KPJ. Ministrja Stublla tha se prioritet i qeverisë ku ajo bën pjesë është organizimi i dialogut Kosovë-Serbi në bazë të parimeve kushtetuese. Ajo kërkoi ndihmën e Shqipërisë në proçesin lobues për njohjen e shtetit të Kosovës si dhe mbështetje në rrugën euro-atlantike e anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Kodheli tha se Kosova është pikë bisedimi dhe çështje e pandarë e çdo lloj tryeze që përfaqësuesit e Shqipërisë zhvillojnë në punën e tyre të përditshme, duke mundësuar të jenë zëri aty kur Kosova e ka të pamundur. Po ashtu u dakordësua për një bashkëpunim edhe më të ngushtë në suazën e organizatave ndërkombëtare ku delegacionet e përhershme parlamentare marrin pjesë, por me statuse të ndryshme.

Delegacioni nga Kuvendi i Shqipërisë u shoqërua gjatë vizitës nga ambasadori ynë në Prishtinë, Qemal Minxhozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›