Basha takime në Vlorë, apel për bashkimin e qytetarëve kundër Qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua sot me qytetarë dhe tregtarë të Vlorës. Basha prezantoi projektin ekonomik të PD-së që bazohet tek ulja e taksave, nxitja e sipërmarrjes së lirë përmes liberalizimit të ekonomisë. “Kështu nuk shtyhet dot më. U bënë 8 vite me gënjeshtra, me premtime që s’janë mbajtur asnjëherë. Kështu nuk shtyhet më asnjë ditë më shumë. Tani e kemi vetë në dorë, se populli e ka vetë në dorë ta ndryshojë qeverinë, të bëhemi bashkë. Ju në Vlorë ja keni pirë lëngun premtimeve të pambajtura por të jeni të sigurt, po kështu kudo në Shqipëri, nga i pari tek i fundit. Nga deputeti i parë, kryeministri tek kryetari i bashkisë shohin vetëm interesat e tyre prandaj është gjendja kështu. Do bëjmë gjithçka për ta ndryshuar. Dhe ndryshimi është shumë afër. Edhe unë të garantoj që qeveria e re që do të vijë, edhe ajo do ti ketë mandatet e kufizuara. Kush nuk i bën dot punët për 8 vite, nuk ka fytyrë, nuk ka gojë të kërkojë edhe 4 vite të tjera. Mrekullira nuk premtojmë por do punojmë për njerëzit. Do punojmë për njerëzit, do punojmë për ju. Dhe ju do të keni pushtetin për të ndryshuar qeverinë sa herë që nuk punon për ju. Sa herë që mendon për vete”, – premtoi lideri demokrat.