Alkantara: Nuk ishin penallti
Mesfushori i Barcelonës u jep të drejtë ankesave të Milanit ndaj gjyqtarit.
Del kundër shokëve të ekipit që duartrokitën arbitrin.
E gjithë media europiane, me përjashtim të asaj katalanase, është zgjuar mëngjesin e djeshëm duke hedhur kritika dhe akuza në adresë të arbitrit holandez, Bjorn Kuipers. Ky i fundit dha një penallti të dyshimtë për Barcelonën në fundin e pjesës së parë, për një shtytje në zonë mes Nestës e Pujolit, që për më tepër ndodhi edhe përpara se topi i goditur prej Ksavit nga këndi nuk ishte vënë ende në lojë. Ndonëse të gjithë futbollistët e Barçës dhe trajneri Pep Guardiola i dhanë të drejtë vendimit të arbitrit dhe e përgëzuan për paraqitjen e bërë, një zë brenda kampionëve në fuqi të Europës mendon ndryshe, madje për të dyja penalltitë e akorduara për spanjollët. Tiago Alkantara, mesfushori i skuadrës katalanase që zëvendësoi Ksavi Hernandezin në pjesën e dytë, u ka dhënë të drejtë ankesave të Milanit mbi gjykimin e Bjorn Kuipersit. Talenti spanjollo-brazilian, djali i ish-futbollistit të “Seleçaos”, Mazinjo, është bashkuar me Milanin dhe gjithë opinionin publik, duke theksuar në adresën e tij në “Twitter”: “Ndaj nesh u akorduan dy penallti që nuk ishin”. Një frazë e shkurtër, por kuptimplotë, sepse ashtu siç menduan të gjithë, edhe Tiago Alkantara e kupton që Barcelona e tij nuk ka nevojë për ndihma të tilla arbitrare. Përpara Milanit ishte klubi më i fortë në botë, një skuadër e mbushur me talente dhe me ikona që do kujtohen gjatë, si Mesi e Ksavi, ndaj duke parë që cilësia ishte nga ana e katalanasve, ndihmat arbitrare stonojnë kundrejt tyre, sepse edhe pa to me shumë mundësi Barcelona do të kishte fituar sërish dhe do të ishte kualifikuar për në gjysmëfinale.
Abiati/ “Te Barça s’besuan se ishin penallti”
Portieri i Milanit, Kristian Abiati, hedh dritë mbi ato dy penallti të dyshimta, që gjyqtari i ndeshjes Barcelona-Milan, Kuipers, ka dhënë në favor të skuadrës katalanase. “Ato dy penallti që dha arbitri na kapën në befasi, si ne dhe futbollistët e Barcelonës. Madje, disa prej tyre filluan edhe të qeshnin nga gëzimi, sepse u erdhi papritur ai vendim i arbitrit. Ndërsa unë u dëshpërova për penalltinë e parë, pasi për pak mund ta devijoja gjuajtjen e Mesit. Gjithsesi, kemi luftuar me ballin lart, dhe arritëm të vendosnim në vështirësi spanjollët. Ne jemi skualifikuar përballë kampionëve të Europës, por jemi të dëshpëruar, sepse pas barazimit besuam te kualifikimi”.