Alla-Kenedi

Plani ishte që ta vrisnin të enjten, pikërisht ditën kur ai do të mbajë fjalimin në Konventën e Denverit, si kandidati zyrtar demokrat për në Shtëpinë e Bardhë. Por policia e kryeqytetit të Kolorados i kishte vënë nën shënjestër prej ditësh dhe kështu, me një operacion spektakolar, arriti të ndalojë një grup supremacistësh të bardhë që komplotonin të vrisnin Barak Obamën. Sipas televizionit lokal “CBS34”, një prej të ndaluarve rrëfeu përgatitjet e atentatit, i ngjashëm me atë kundër ish-presidentit amerikan Xhon Kenedi. “Do të qëllonim Obamën me pushkë në një distancë të largët, rreth 750 metra”, - pohoi ai. Atentati ishte planifikuar për të enjten, pikërisht ditën në të cilën senatori me ngjyrë do të ngjitet në podium për të pranuar nominimin si kandidati i Partisë Demokratike për president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Arrestimi i parë u krye të dielën, pasi policia gjeti dy pushkë të kalibrit të lartë në një furgon me qira. Kur policët e morën në pyetje Tharin Gartrell, ai pohoi se kishte ardhur në Denver për të vrarë Obamën. Burime të “CBS4” thanë se arsenali i gjetur në automjet, gati për atentatin, përfshinte xhaketa antiplumb, radio marrëse, paruke, materiale për maskim, dokumente identifikimi të rremë, si dhe rreth 50 gramë metanfetaminë. “Ato armë na vunë në alarm”, - tha detektivi Marcus Dudley. Sipas tij, pas arrestimit të Gartrell, policët mësynë në hotelin “Cherry Creek” për të kapur Shawn Robert Adolph, 33 vjeç, anëtar i së njëjtës organizatë ekstremistë. Por i dyshuari tentoi të arratisej, duke u hedhur nga dritarja e katit të 6-të. Kështu atentatori theu kaviljen dhe përfundoi në pranga. Burime nga policia thanë se ai mbante medaljon dhe unaza me simbole naziste. Një person i tretë, Nathan Johnson, u arrestua gjithashtu me akuzën e pjesëmarrjes në të njëjtin grup neonazist. Sipas prokurorit të distriktit,
Troy Eid, nuk pati ndonjë rrezik konkret për senatorin Obama, por shërbimet sekrete, përgjegjëse për sigurinë e presidentit dhe kandidatëve për në Shtëpinë e Bardhë, kanë marrë përsipër hetimet bashkë me FBI-në dhe antiterrorizmin. Konventa e Denverit regjistroi edhe një episod tjetër të pakëndshëm, më të vogël, por që dëmton imazhin dhe rrezikon të lërë shenjë. Qindra manifestues që kishin mbërritur në qytet, për koincidencë me kongresin demokratik u përcollën mbrapsht nga policia, e cila përdori edhe gaz lotsjellës, ndërsa dhjetëra prej tyre përfunduan në rajon. Sipas mediave amerikane, bëhej fjalë për një grup të përzier, persona që identifikohen si antifashistë, antikapitalistë dhe pacifistë. Demonstruesit u konfrontuan me forcat e rendit, pranë parkut “Civic Center” rreth orës 7 të mbrëmjes, ndërsa konventa kishte nisur.