Shqipëria kalon lumin

Dhjetëra tonë mallra ushqimorë janë sekuestruar dhe asgjësuar, pasi rrezikonin shëndetin e konsumatorëve. Drejtoria e Sigurisë Ushqimore dhe e Mbrojtjes së Konsumatorëve bën të ditur se gjatë muajve të stinës së nxehtë janë bërë disa qindra kontrolle në zona të ndryshme, ku dhe ka pasur bllokim të mallrave të ndryshëm ushqimorë dhe më pas asgjësimin e tyre. Drejtoresha e Sigurisë Ushqimore dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit ka bërë të ditur se çdo ditë ka pasur inspektime dhe kontrolle. Sipas Valbona Palukës, këto kontrolle kanë shmangur helmimet e konsumatorëve apo dhe incidente të ngjashme. Në një prononcim të dhënë për mediat, zonja Paluka bën të ditur se janë dhjetëra kuintalë mallra dhe pije jashtë standardeve të konsumit që janë sekuestruar.
Aksionet
Kryesisht aksionet e inspektorëve të sigurisë ushqimore dhe atyre veterinarë janë shtrirë në zonat turistike. Po kështu, inspektime të shpeshta ka pasur edhe në linjat e prodhimit të ushqimeve me bazë blegtorale. Linjat e përpunimit të qumështit, mishit dhe të mirave të tjera janë inspektuar për përmbajtjen bakteriologjike dhe mikrobike, kjo pasi temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e tyre. “Kontrollet dhe inspektimet kanë qenë intensivë, duke filluar që nga muaji maj, me një program që u është kushtuar vëmendje të gjitha pikave turistike, në bregdet apo mal, produkteve me origjinë shtazore, kontrollit të tregjeve, restoranteve dhe bareve. Kontrollet janë bërë nga inspektoratet e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë. Ka pasur raste të relatimit nga vetë subjektet për produkte me datë skadimi të kaluar dhe ta pakonsumueshme, ku dhe janë bërë asgjësime”, shprehet Valbona Paluka, duke shytuar më tej se “ka pasur kontrolle të shpeshta tek të gjitha fabrikat e qumështit dhe nënprodukteve të tij, si dhe mishit e nënprodukteve, peshkut dhe nënprodukteve, kjo për të pasur një plotësim të standardeve që në fillim”.
Sekuestrimet
Me një mesatare mujore, gjatë muajve të fundit janë asgjësuar rreth 780 kuintalë mallra. Sipas drejtoreshës së Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, asgjësimi është bërë sipas çdo norme, duke mos rrezikuar më konsumatorët. “Asgjësimet në total shkojnë 780-800 kuintalë në muaj në të 12 qarqet. Të gjithë asgjësimet janë bërë sipas rregullave, dhe në rastet kur kompanitë janë konstatuar si kompani problematike, janë marrë edhe masa administrative. Kontrollet në këtë sezon shkojnë në 2800 deri në 3000 në të gjithë qarqet. Në të gjithë zonën turistike, siç është Vlora, Durrësi, Shëngjini, Saranda, Pogradeci etj., kontrollet kanë qenë të shumtë. Pavarësisht numrit të madh të pushuesve dhe lëvizjeve, nuk ka pasur raste helmimesh, por kjo nuk do të thotë që s’kemi gjetur shkelje dhe produkte të skaduara”, bën të ditur Paluka.
Penalizimet
Pa dhënë një numër të subjekteve që janë penalizuar, Valbona Paluka jep vetëm shifrën mujore të të ardhurave nga gjobat. Ajo shpjegon se qëllimi nuk është penalizmi financiar i subjekteve, qoftë prodhues, përpunues apo tregtarë. “Di t’ju them, që vlera e gjobave mujore ka qenë 1 milion 650 mijë lekë të reja. Janë gjoba që penalizojnë të gjithë bizneset për të shkeljet administrative në kundërshtim me ligjin e ushqimit, veterinarisë etj. Nuk është vëmendja jonë për të penalizuar bizneset, por për të inspektuar dhe ndjekur sistematikisht për cilësinë dhe sigurinë”, bën të ditur drejtoresha e Sigurisë Ushqimore. Sipas Palukës, detyra kryesore është parandalimi i konsumit të ushqimeve të dëmshme, dhe për këtë kryhen inspektime në linja prodhimi, restorante dhe pika shitjeje.
BOX
Precedentët
Para pak ditësh, disa dhjetëra persona, të ftuar në një dasmë u helmuan në rrethinat e Elbasanit, një rast tjetër i ngjashëm u regjistrua edhe në Lushnjë, por jo shumë problematik. Dyshohet se helmimi u shkaktua nga prishja e ushqimeve që nuk janë ruajtur në ambiente frigoriferike. “Ka pasur dhe raste të bëra mediatikisht të helmimit të konsumatorëve. Fatmirësisht nuk kanë qenë helmime për shkak të konsumit të produkteve jo të përshtatshme për konsum njerëzor”, sqaron drejtoresha Paluka. Ndërkohë, rastet e helmimeve masive nuk kanë munguar. Raste janë vënë re në ceremoni mortore apo dhe dasma të ndryshme. Ndërkohë, helmimet nuk kanë munguar edhe nga konsumi i ujit të pijshëm.
Raste helmimesh
Durrës - Pak kohë më parë në qytetin e Durrësit u helmuan rreth 39 nxënës kosovarë. Ata në udhëtimet turistike në Shqipëri, konsumuan ushqime të ndryshme në restorante. Rreth 470 nxënës shkollash dyshohet se u helmuan, por 39 u shtruan në spital me urgjencë. Analizat thanë se shkak i helmimit ishte ushqimi.
Durrës - 10 nxënës të një shkolle u helmuan rëndë nga ushqimi. Rezultatet e hetimeve dhe të analizave dolën se shkak për këtë ishte bërë ushqimi i konsumuar prej këtyre nxënësve në fast-foodin para shkollës së tyre. Kontrollet treguan se ushqimet që konsumoheshin në këtë fast-food ishin jashtë çdo lloj standardi higjieno-sanitar.
Kukës - 185 punëtorë të rrugës Durrës-Kukës u helmuan nga ushqimi i kampit në mars të këtij viti. Ata u trajtuan me medikamente dhe serume nga mjekët që punojnë për kompaninë, pasi kanë pasur diarre dhe dobësi fizike. Punëtorët pohuan se helmimi duhet të ketë ardhur nga mishi që gatuhet në mensën e punëtorëve.
Fier - 5 persona të një familjeje u helmuan, pasi gjatë gatimit të bukës u përdorën pesticide. Në prill të këtij ata pa dashje përdorën helm për vreshtat dhe shpëtuan nga vdekja vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë mjekësore.
Fushë-Krujë - 100 persona u helmuan nga ushqimi që konsumuan gjatë një dreke mortore. Vdekja e një 20-vjeçari për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi. Më shumë se 50 persona përfunduan në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, ndërsa të tjerët u kuruan në Krujë dhe Fushë-Krujë. Rezultoi se shkak për këtë helmim masiv ka qenë cilësia e ushqimeve që ishin prishur nga temperaturat e larta dhe ruajtja në kushte të këqija.
Ura Vajgurore - 200 të helmuar në këtë zonë alarmuan të gjithë banorët e qytezës. Shkaku ishte uji i pijshëm dhe banorët kishin të njëjtat simptoma: diarre, të vjella dhe temperaturë e lartë. Sipas specialistëve të ISHP-së, u pohua se ky lloj infeksioni kishte si origjinë ujin e pijshëm. Specialistët e mjekësisë bënë analizat dhe dolën në konkluzionin që ujësjellësi i qytetit kishte dalë jashtë funksionit, sepse ai ishte infektuar që në burim.