Mediu refuzon prokurorinë

TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme dështon në përballjen e parë me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili është i zhveshur nga imuniteti prej katër muajsh. Ora 10:00 e paradites së djeshme sipas prokurorisë ishte parashikuar nga grupi hetimor i dosjes “Gërdeci”, si koha kur Mediu do të jepte shpjegime në organin e akuzës në cilësinë e personit nën hetim. Burime zyrtare thanë për “Korrierin” se, edhe pse është ishte njoftuar 6 ditë më parë, ish-ministri i Mbrojtjes nuk u paraqit në prokurori, me arsyetimin se nuk ndodhej në Shqipëri. Një përgjigje e tillë është kthyer nga përfaqësuesi ligjor i Mediut, i cili me anën e një shkrese zyrtare i bëri me dije Prokurorisë së Përgjithshme se personi në fjalë ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arsye private. Përgjigja negative e ish-ministrit, që të paktën publikisht ka shprehur vullnetin për t’u paraqitur në prokurori, u ka çuar një ditë dëm hetuesve dhe prokurorëve të çështjes, të cilët ditën e djeshme ishin mbledhur në Prokurorinë e Përgjithshme për t’u përballur me Mediun. Mësohet se prokuroria do të kërkojë përsëri dëshminë e Fatmir Mediut, i cili mesa duket ishte në dijeni të fletëthirrjes së prokurorisë para se të largohej nga Shqipëria. Përveç faktit se ai është larguar për arsye private, përfaqësuesit ligjorë të tij nuk japin asnjë motiv të këtij udhëtimi urgjent drejt SHBA-ve. Por nga ana tjetër, organi i akuzës, i kritikuar deri më tani për qëndrim indiferent ndaj thirrjes së Mediut, thotë se në muajin shtator ish-ministri i Mbrojtjes do të rithirret sërish për të dhënë shpjegim. Burime pranë prokurorisë thanë se shtatori ndoshta do të jetë më i vlefshëm për hetimin, pasi drejtësia amerikane është duke përgatitur disa informacione të kërkuara nga prokuroria shqiptare. Bëhet fjalë për detaje të vlefshme që implikojnë edhe persona të tjerë në ngjarjen tragjike të Gërdecit, ku numërohen 26 viktima dhe qindra të plagosur. Hetimi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes nisi zyrtarisht rreth 4 muaj më parë, kur Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit republikan. Sipas prokurorisë, dyshohet se gjatë kohës që Fatmir Mediu mbante postin e ministrit të Mbrojtjes, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tij, të cilat bien në kundërshtim me ligjin, aktet nënligjore dhe rregulloret ushtarake, ka favorizuar subjekte private, të cilat ushtronin procesin e demontimit në Gërdec, aty ku ndodhi edhe tragjedia e 15 marsit. Fatmir Mediu, i cili do të rithirret sërish në prokurori gjatë muajit shtator, sipas prokurorisë është person nën hetim, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “shpërdorim detyre”.
Mediu kundër Mediut
Publikisht, ish-ministri i Mbrojtës ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë në prokurori rreth çështjes për të cilën hetohet. Pikërisht kjo deklaratë është përdorur nga segmente të caktuara të politikës, të cilat në dalje të ndryshme publike kanë sulmuar organin e akuzës se po zvarrit thirrjen e Fatmir Mediut në prokurori. Por tashmë që grupi hetimor grumbulloi të gjithë materialet e nevojshme për të zhvilluar një seancë pyetjesh rreth çështjeve që i interesojnë hetimit, është ish-ministri i Mbrojtjes, ai që e shtyn përballjen e dytë me prokurorinë.