Allushi: Lumi Vjosa në nivele të qëndrueshme, nuk rrezikon daljen nga shtrati

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Rreziku i daljes nga shtrati i lumit Vjosa, si pasojë e shirave me intensitet e pa ndërprerje në Gjirokastër e Përmet dhe masat që duhen të ndërmerren ishin në qendër të takimit të prefektes së qarkut të Vlorës Evis Allushi dhe kryetarëve të fshatrave të njësisë administrative Novoselë.
Gjatë takimit prefektja Allushi tha se për momentin, niveli i ujit të lumit Vjosa, nuk paraqet rrezik për daljen e tij nga shtrati, por nëse do të ketë rritje të nivelit, banorët e fshatrave Mifol, Fitore, Bishan e Novoselë, duhet të jenë në gatishmëri për t’u larguar nga zonat e rrezikut.
Allushi i bëri thirrje banorëve të fshatrave pranë lumit Vjosa që të jenë bashkëpunues e të ndjekin me vëmendje çdo njoftim, me qëllimin që të informohen në kohë reale, në rast të daljes së lumit nga shtrati.
Prefektja kërkoi edhe bashkëpunimin e gazetarëve dhe medieve për të qenë bashkëpunues me shtabin e emergjencave civile, me qëllim lajmërimin nëpërmjet tyre, në kohë reale të banorëve të fshatrave që mund të rrezikohen më shumë.
Me cilësinë e kryetares së shtabit të emergjencave civile, prefektja Allushi është në terren duke koordinuar punën e institucioneve, me qëllim minimizimin e problematikave që mund të krijohen si pasojë e reshjeve të shumta dhe e fryrjes së lumenjve, në të gjithë territorin e qarkut.
Në këto orë të vështira, Prefektja, kërkoi gjithashtu bashkëpunimin e qytetarëve e të bizneseve, ku të gjithë së bashku të kontribuojnë për t’a kaluar me sa më pak dëme situatën e krijuar.
1 nga 7
/k.s/a.f/