E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Buxheti i 2026, 1,7 miliardë euro për rritjen e pensioneve

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se buxheti i vitit 2026 është historik për Partinë Socialiste, duke synuar për herë të parë një mbështetje të qëndrueshme dhe domethënëse për pensionistët, përmes një angazhimi financiar afatmesëm prej 1,7 miliardë eurosh.

Kreu i qeverisë, duke prezantuar projektbuxhetin e vitit 2026 të propozuar nga qeveria, tha se ky është buxheti i konsolidimit të rritjes së qëndrueshme sociale dhe shëndetësore.

Duke iu përgjigjur opozitës për çështjen e pensionistëve, Rama theksoi gjatë seancës plenare të Kuvendi se, “fjalët i merr era, por faktet mbeten. Të gjithë ata që dëgjojnë nga foltorja ose nga tryezat e Kuvendit do të mund t’i verifikojnë këto masa në muajt dhe vitet që vijnë, ashtu siç kanë parë gjithmonë realizimin e angazhimeve tona”.

Kryeministri gjithashtu nënvizoi se sa më shumë të thuhet që qeveria nuk po i rrit pensionet, aq më shumë pensionistët do të binden se nuk ka asnjë alternativë tjetër në Shqipëri për ta dhe për nipërit e mbesat e tyre përveç Partisë Socialiste.

Buxheti i 2026-ës konsolidon një rritje të qëndrueshme sociale dhe shëndetësore, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët dhe mbështetjen e pensionistëve, si një nga prioritetet kryesore të qeverisë.

/e.xh//a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›