Allyson Felix mbyll karrierën me medalje

Dita e parë e botërorit të atletikës në Eugene ka patur surprizat e saj. Veterania amerikane Allyson Felix do të mbyllë karrierën e saj në atletikë pasi ka marrë një tjetër medalje, të 19-tën për të në kampionatet botërore. SHBA, në përbërje të së cilës ishte edhe Feliz, marrë medaljen e bronxtë në stafetën 4x400m mix, meshkuj dhe femra. Medaljen e artë e fitoi Republika Domenikane, të argjendën Holanda.
Atletja amerikane e nisi karrierën e saj gati dy dekada më parë duke marrë edhe 11 medalje olimpike. “Ishte shumë e veçantë të vrapoja para publikut tim, pikërisht në garën time të fundit”, tha Felix. “Kam kujtime të bukura dhe një mirënjohje të jashtëzakonshme për këtë sport”. Janë zhvilluar gjithashtu edhe bateritë e garës më të shumëpritur të botërorit, ato të 100 metrave për meshkuj.
Në orët e para të mëngjesit të së dielës do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e kësaj gare. Jacobs, De Grasse dhe atletë të tjerë pretendentë kanë arritur të kualifikohen në gjysmëfinale, edhe pse nuk ishin në formën e tyre më të mirë. Në 20 km për femra, vjen edhe medalja e parë historike për Perunë. Eshtë Kimberly Garcia Leon e cila fitoi medaljen e artë në këtë displinë me kohën 1h27’09”.