E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria U20, katastrofë që në start

Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç për vajza e ka nisur me disfatë katastrofike pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Europian, Divizioni B, i cili po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Që në ndeshjen e parë në grup, kjo ndaj Greqisë, Shqipëria ka regjistruar humbjen rekord me plot 99 pikë diferencë. 119-20 janë shifrat në përfundim të 40 minutave, që tregojnë jo vetëm disnivelin e madh mes kombëtares sonë dhe Greqisë, por dhe disnivelin që në përgjithësi kemi tek basketbolli i vajzave me Europën.

Për më tepër kur bëhet fjalë për lojtare të gjitha të ekipeve të para në Superligë. Shifrat nuk kanë nevojë për koment, sepse që në periodën e parë, vajzat kuqezi janë mundur 28-6. 33-2 e dyta dhe në pushim Greqia ka kryesuar 61-8. 23-3 e treta dhe në total 94-11. E fundit 35-9 dhe përfundimisht 119-20. Lojtarja më e mirë e Shqipërisë ishte Ornela Muça me tre pikë të shënuara, tre kapje topi në tabelë, 2 asiste dhe 1 rrëmbim topi në lojë e sipër.

Tanimë Shqipëria do të vihet përballë Turqisë, Zvicrës dhe Ukrainës, teksa gjendja duket e vështirë dhe pa mundësi reagimi. Në grupin A, Turqia ka fituar me Ukrainën 88-45 dhe 64-55 me Greqinë, kurse Zvicra ka mundur Ukrainën, 67-44. Në këtë kampionat merr pjesë dhe Kosova, e cila është mundur nga Maqedonia e Veriut, 69-83, si dhe ka fituar me Kroacinë, 63-60. I gjithë aktiviteti përfundon më 17 korrik, ndërsa marrin pjesë 18 ekipe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›