Altin Basha, Premierat e regjisorit nga Kosova në Tiranë
Regjisori Altin Basha do të çelë sezonin në dy skenat më të mëdha teatrore shqiptare. Premiera e parë e këtij sezoni u ngjit mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Prishtinës me shfaqjen “Nata e Helverit”. Sipas regjisorit Altin Basha, “Nata e Helverit” është një dramë ku autori merr një moment specifik të zhdukjes së njerëzve që merreshin peng nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Basha e ka cilësuar si një punë jo të lehtë vënien në skenë të një vepre kaq të rëndësishme edhe për vetë faktin se koha në dispozicion për të realizuar këtë shfaqje ka qenë e shkurtër. “Jemi munduar që të zbërthejmë punën tonë deri në detajet më të vogla dhe sigurisht kjo nuk është një punë e lehtë, e bërë në një kohë të kufizuar, gjithashtu me një dramaturgji kaq impenjative”- u shpreh Basha në konferencën e mbajtur në Prishtinë, në prag të premierës. Basha rikthehet në skenën e Prishtinës pas një mungesë relativisht të gjatë. Për herë të fundit ai ka vënë në skenën e Prishtinës shfaqjen “Pallati i Ëndrrave” të Ismail Kadaresë, në vitin 2001, një shfaqje në fakt që ngjitej në skenën kosovare si një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtare të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. “Në Kosovë ka një dëshirë të madhe për të bashkëpunuar me Shqipërinë, ndërsa te ne ende nuk e shoh këtë gatishmëri, por shpresoj që kjo dëshirë të shtohet”- komenton një debat paksa delikat, që në fakt është cekur disa herë mes institucioneve kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë. Një mungesë bashkëpunimi që, me sa duket, as protokoll-marrëveshjet mes ministrive të dy vendeve, duket se nuk e përmbushin dot atëherë kur mungon dëshira e mirë. Për t’u rikthyer te shfaqja që çel sezonin në skenën e Prishtinës, regjisori Altin Basha rikthen në skenë një nga aktoret më të njohura të teatrit kosovar, zonjën Safete Rugova. Ajo rikthehet në këtë skenë ku ka kaluar 40 vjet karrierë, me rastin e 65-vjetorit të lindjes. Premiera e dramës “Nata e Helverit”, që u shfaq mbrëmë në Teatrin Kombëtar, rrëfen pasojat sociale të Luftës së Dytë Botërore, që mbetet edhe sot “kujtesa e errët” e njerëzimit. Çmenduria e asaj periudhe historike është e atyre përmasave sa që shpesh njerëzimit i kthehet dhe i rikthehet si një frikë e brendshme. Lufta e Dytë Botërore, për shkaqe të kuptueshme, është bërë shpesh objekt i letërsisë, dramës, teatrit apo kinemasë, por ”Nata e Helverit” e gjeti vendin e saj në këtë galeri veprash falë thurjes dhe mënyrës së trajtimit të kësaj teme. Në fakt, dramaturgu polak Igmar Villcist, ka shkruar një vepër dramatike me mesazhe që reflektojnë edhe sot në botën e globalizimit, prandaj mund të thuhet pa frikë se veprat e këtij autori janë një nga sukseset më të bujshme të dramaturgjisë polake bashkëkohore.
Premiera “Amadeus” ngjit në skenë Ndriçim Xhepën
Vetëm pak ditë pas premierës në Prishtinë, një tjetër premierë e regjisorit Basha çel sezonin artistik në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Kështu, sezoni i ri artistik në TK nis me premierën teatrore “Amadeus”, shkruar nga Peter Shapffer. Regjisori Basha ka nisur prej kohësh punën me stafin realizues së bashku me aktorët, për të sjellë këtë premierë teatrore, e cila këtë herë ngjit në skenë dhe një nga emrat më të njohur të skenës së teatrit, aktorin Ndriçim Xhepa, i cili vjen në këtë premierë pas suksesit me rolin e kolonelit në dramën “Darka e gabuar” e shkrimtarit Ismail Kadare.