Skulptura e Xhafës në parkun e Cyrihut
“Si do të pasurohet Cyrihu nga një shqiptar”, quhet artikulli i botuar në njërën nga mediat e shkruara zvicerane për artistin kosovar Sislej Xhafa. Vepra e tij artistike në formë të shkronjës ‘Y’, 16 metra e lartë, e vendosur në parkun e ri të qytetit të Cyrihut, është projekti që u ka rënë në sy të gjithëve. “Me artin tim unë bëj pyetje” - thotë Xhafa. Sipas tij, kjo vepër nuk vë në pyetje diversitetin e shijeve, por ka shumë interpretime. “Skulptura është hobi dhe ritëm në të njëjtën kohë. Pastaj, gjatë natës, kur hija e tij me ngjyrë të bardhë, portokalli dhe të kuqe bie mbi tokë, “Y” ngjan si një raketë e kristaltë”, shprehet ai. Në fakt, mesazhi që ai përcjell me këtë vepër është emigracioni. Sislej Xhafa për më shumë se dhjetë vjet jetoi dhe punoi në Nju-Jork. Ai është i bindur se reklama kundër emigracionit masiv, siç është shpërndarë aktualisht nga SVP në Zvicër, nuk do të pranohet nga njerëzit në shtëpinë e tij të re. “Liria e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret nga njerëz që denigrojnë vende dhe popuj të ndryshëm. Ka gjithmonë individë që kanë kryer dhe do kryejnë vepra penale. Emigrantët kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë një pasuri për çdo shoqëri, kulturalisht dhe ekonomikisht”, - komenton në intervistën e tij për mediat zvicerane artisti Sislej Xhafa. Vetëm pak muaj më parë portreti i Papës i ekspozuar në Toronto hapi po aq polemika sa edhe “Y”-ja e tij në qendër të Cyrihut. Xhafa ka prezantuar punimet e tij në ekspozita të shumta në vende të ndryshme të botës, si: Kaliforni, Itali, Turqi etj. Për punën e tij artistike ai është shpërblyer me çmime të shumta si “Onufri” në Tiranë, “Biella 2001” nga fondacioni “Pistoletto” etj.