E Diel, 1 Nëntor 2026

Altin Haxhi: Gjeta një Shqipëri talenteshMbrojtësi tregon për përshtypjet e rikthimit: “Shikoj që lojtarët e rinj po bëjnë maksimumin për një vend”

Rrjetet sociale:

JORGIS MEMO (Panorama Sport)- Ndeshja e tij e fundit me Kombëtaren është më 23 nëntor të vitit 2007, pikërisht në humbjen e turpshme, 6-1, kundër Rumanisë. Megjithatë, për Altin Haxhin, që prej asaj dite, në ekipin kuqezi duket se gjërat kanë ndryshuar për mirë. I rikthyer në Kombëtare, teksa po kalon një rini të dytë, mbrojtësi 34-vjeçar që aktivizohet me Apoelin, ka treguar në një intervistë për “Panorama Sport”, rreth përshtypjeve të tij për atë që ka gjetur te kuqezinjtë tani. “Kam gjetur një Shqipëri talentesh”, - ka thënë ndër të tjera gjirokastriti (68 ndeshje me fanellën kuqezi), nëpërmjet linjës telefonike nga Gjermania. Kontakti me të ishte i vështirë, por “veterani” nuk ngurroi t’u përgjigjej pyetjeve tona, pas stërvitjes së djeshme. Ai foli edhe për bisedën me trajnerin Josip Kuzhe, ndërkohë që nuk mund të rrinte pa thënë edhe një batutë. “Tani që po flasim, s’po më lë rehat Klodian Duro”, - tha duke qeshur. 

Pas gati dy vitesh mungesë, tashmë si po ju duket Kombëtarja?
Kam gjetur një kolektiv shumë të mirë dhe klima në skuadër mendoj se është e duhura, për të përgatitur një ndeshje të vështirë si ajo me Suedinë. Në syrin tim, nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Çdo gjë më duket në rregull dhe po punohet me qetësi. Rëndësi ka që grupi është në harmoni të plotë. Edhe pse jam shkëputur këto dy vite, natyrisht unë besoj se ndryshimet janë bërë për mirë në Kombëtare. Në fund të fundit, gradualisht ajo do të rinovohet, sepse për disa lojtarë, përfshi edhe mua, mosha bën të vetën.

Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje?
Shikoj që lojtarët e rinj po bëjnë maksimumin për të zënë një vend në Kombëtare. Janë të gjithë të talentuar dhe unë shpresoj që ata të kenë shanse dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e Kombëtares, duke merituar këtë fanellë, që ka përgjegjësi të madhe.

Këtë e keni vërejtur në miqësoren e fundit?
Shiko, unë i kam ndjekur edhe më parë ndeshjet e Kombëtares dhe disa nga lojtarët e rinj, gjithashtu edhe gjatë miqësores së fundit. Megjithatë, në ndeshje zyrtare është tjetër gjë. Nesër (sot) që kemi një miqësore pak më të fortë, të shikojmë se si do të paraqitemi në tërësi si skuadër, që të jemi gati edhe për Suedinë.

Nëse keni folur me trajnerin Kuzhe, mund të na thoni se për çfarë biseduat?
Po, kemi biseduar. Natyrisht, siç ndodh në takimet e para me një trajner të ri, folëm për gjëra normale. Kuzhe më tha që është shumë i kënaqur që unë pranova të kthehesha në ekip dhe shprehu bindjen se do të ketë një komunikim të mirë me mua personalisht, në vazhdimësi.

Po për të ardhmen tuaj, në lidhje me angazhimin në edicionin tjetër, keni diskutuar?
Të them të drejtën, ende nuk kemi vendosur asgjë për këtë. Të kaloj një herë ndeshja me Suedinë, pastaj do të ulemi të bisedojmë më gjerësisht.

Me Suedinë do t’ju shikojmë në mbrojtja, apo në mesfushë?
Edhe pse për pozicionin në fushë ende nuk kam folur me trajnerin, besoj se do të luaj si mbrojtës, aty ku kam qenë gjithnjë kohët e fundit.

Kundërshtarit mund t’i duhet medoemos fitorja për kualifikimin në Botëror. Mendoni se mund të përsëritet një rezultat pozitiv ndaj tyre?
Në këtë ndeshje, neve së pari duhet të bëjmë një lojë të mirë, që të paktën të jemi si fillim të kënaqur me veten tonë. Çdo gjë është e mundur dhe ishalla marrim ndonjë rezultat pozitiv. Për mua nuk ka rëndësi fare, nëse i duhen apo jo pikët medoemos Suedisë. Duhet të bëjmë lojën tonë dhe të kemi besim te vetja.

Kujt i druheni më shumë nga lojtarët e ekipit nordik?
Në çdo ndeshje të gjithë lojtarët që ke përballë i shikon si kundërshtarë dhe personalisht nuk mendoj se ka ndonjë gjë të veçantë, nëse përpara është Ibrahimoviç, apo dikush tjetër. Të paktën, unë kështu e shikoj.

Numri i klikimeve - 694
  E Shtune, 10 Tetor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›