Altin Lala, në negociata me Bajern Mynih

Altin Lala
Prestigjiozja “Bild” jep lajmin e bujshëm se gjigandët e Bajern Mynih janë në negociata për të firmosur me mesfushorin veteran shqiptar Altin Lala. 36-vjeçari është në fund të kontratës me Hanoverin dhe mund të transferohet me parametër zero te bavarezët, por jo për të luajtur në skuadrën e parë. Në fakt, “Bild” raporton se klubi bavarez kërkon shërbimet e Altin Lalës për ekipin rezervë, Bajern Mynih II, që militon në Kategorinë e Katërt, ose siç quhet ndryshe “Regionalliga Sud”. Negociatat me Lalën po drejtohen nga zbuluesi i talenteve të ekipit, Mikael Tarnat, i cili ka luajtur për 5 vjet me mesfushorin shqiptar në radhët e Hanoverit. I pyetur nga mediat gjermane mbi tratativat me Bajern Mynih, Lala u përgjigj shkurt: “Kjo është një histori shumë interesante. Mendoja t’i jepja lamtumirën futbollit të luajtur por…”. Për të kuptuar nëse është interesante kjo ofertë për 36-vjeçarin shqiptar duhet të presim fundin e sezonit, kur mesfushorit i skadon kontrata me Hanoverin.